TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Janar 2026, 12:40

John Bolton thirrje evropianëve: Rezistoni edhe 3 vjet, mos iu nënshtroni Trumpit!

Shkruar nga Giulia Pompili
John Bolton thirrje evropianëve: Rezistoni edhe 3 vjet, mos iu
Presidenti Trump

Në një intervistë për gazetën italiane Il Foglio, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së paralajmëron mbi rreziqet e kësaj Shtëpie të Bardhë. Ai i bën thirrje vendeve evropiane të mos i nënshtrohen shantazhit të Trump, duke shpresuar që në fund të mandatit të tij presidencën ta marrë një person më normal...

Një vit pasi Donald Trump mori detyrën, John Bolton - ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare - është i prerë në ato që thotë në një intervistë për Il Foglio: “Grenlanda është një katastrofë e mundshme. Ajo mund të sjellë fundin e NATO-s, gjë që do të dobësonte si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Evropën”.

Bolton kujton se gjatë Luftës së Ftohtë, një nga synimet kryesore të sovjetikëve ishte shpërbërja e NATO-s. “Ata dështuan, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja pse humbën Luftën

e Ftohtë. Por tani punën për ta po e bën Trump!”.

Bolton, që ka qenë edhe ambasador i SHBA-së në OKB, u bën thirrje vendeve të BE-së

të tregojnë përmbajtje: “Mos u bëni bashkëpunëtorë të Trump. Duhet të luani një lojë afatgjatë. Atij i kanë mbetur edhe 3 vjet në detyrë. Le të shpresojmë që pas tij të vijë një president më normal...”.

Një figurë me peshë në Uashington

Bolton është një nga diplomatët më me ndikim në Uashington, i njohur si një nga republikanët më agresivë. Ai ka një rrjet të gjerë kontaktesh në administratën federale dhe shpesh ka qenë zëri i ashpër i politikës së jashtme amerikane.

Shërbeu si këshilltar i Sigurisë Kombëtare deri në shtator 2019, kur u përplas ashpër me Trump dhe dha dorëheqjen. Që prej asaj kohe, kritikat e tij ndaj presidentit e kanë bërë të dëgjohet edhe nga demokratët, duke u shndërruar në një nga kundërshtarët më të zëshëm të presidentit aktual.

Bolton kujton një episod të hershëm: “Trump më pyeti në vitin 2018 nëse mendoja se SHBA-ja duhet ta blinte Grenlandën. Ne bëmë kërkime historike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por në atë kohë ai nuk foli kurrë për përdorimin e forcës. Sot është krejt ndryshe. Unë nuk e di pse është kaq shumë i tensionuar...”.

Kriza me Evropën

Së fundmi, Trump ka deklaruar se do ta “zotërojë psikologjikisht” Grenlandën. Bolton e sheh këtë çështje si një obsesion personal: “Askush tjetër në SHBA nuk mendon se duhet ta zotërojmë psikologjikisht Grenlandën. Kjo është thjesht ideja e Trump.”

Kriza ka vënë në pozitë të vështirë kryeministren italiane Giorgia Meloni. Sipas Bolton, ajo është ndër të paktët udhëheqës evropianë që mund të ushtrojë ndikim mbi Trump. “Rutte, Macron, Merz, Starmer kanë probleme të brendshme politike. Meloni mund të ketë shansin më të mirë për të ndikuar”, theksoi ai në intervistë.

Sipas tij, në situatën aktuale evropianët kanë dy rrugë: të negociojnë me Trump - gjë që ka pak gjasa të funksionojë - ose të përballen me një luftë tregtare. “Trump beson se mund të arrijë gjithçka me forcën e personalitetit.

Ai mendon se evropianët janë të dobët dhe do të dorëzohen. Nëse negociatat dështojnë, nuk ka alternativë tjetër veçse një konflikt tregtar. Sigurisht, përveçse nëse ata duan t’ia japin Grenlandën vetë, gjë që do të ishte katastrofë për Perëndimin” nënvizon ish-këshilltari.

Iran, Venezuela dhe shpërqendrimi i Grenlandës

Ditët e fundit ka qarkulluar një thashethem: Grenlanda mund të jetë thjesht një manovër shpërqendruese, për të mbuluar suksesin e operacionit në Venezuelë me rrëzimin e Maduros dhe për të ulur pritshmëritë për një ndërhyrje në Iran.

Por Bolton i ndan këto çështje nga njëra-tjetra. Ai beson se një sulm ndaj Iranit është ende i mundur: “Trump ka thënë se Irani ka nevojë për një udhëheqje të re. Kjo tregon se ai është afruar me qëndrimin tim. Gjatë mandatit të parë nuk ishte pro ndryshimit të regjimit. Unë isha, por ai jo. Tani duket ndryshe”.

Megjithatë, Bolton thekson se për këtë duhen forca të mjaftueshme në rajon, siç është grupi i aeroplanmbajtëses Abraham Lincoln. “Regjimi iranian është në pikën më të dobët që nga viti 1979. Ai është jashtëzakonisht jopopullor. Një sulm ushtarak, mund ta dobësonte më tej dhe ta bënte më të vështirë shtypjen e opozitës”, thotë eksperti i njohur./Përshtati "Pamfleti", nga “Il Foglio”

john bolton thirrje evropianeve mos iu nënshtroni trumpit

Lini një Përgjigje