TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Korrik 2024, 12:30

Joe Biden do të tërhiqet nga gara, një kandidat më i ri në moshë ka mundësi ta mposhtë Trumpin

Shkruar nga Gabriele Carrer
Joe Biden do të tërhiqet nga gara, një kandidat më i ri
Joe Biden

Trump u tregua shumë i zgjuar që në fillim e la Biden të shprehej sa më shumë, duke u ngatërruar apo u përhumbur në jo pak raste.

Pas debatit të javës së shkuar përballë paraardhësit dhe sfidantit të tij Donald Trump, shumë gazeta amerikane, madje edhe ato më afër me të në aspektin politik, i kërkuan Joe Biden që të tërhiqet nga fushata elektorale. Nga Partia Demokratike kanë nisur të dalin zëra kritikë ndaj presidentit 81-vjeçar.

“Largimi i tij nga gara është një skenar i pashmangshëm!”- thotë John L.Harper, profesor në Universitetin SAIS Europe në Bolonja dhe profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA. Në një intervistë për Huffington Post Italia, ai mendon se një kandidat i ri i minutës së fundit nga demokratët, do të ketë shumë më tepër shanse për të mposhtur Trumpin më 5 nëntor.

Profesor, çfarë shkoi keq për Joe Biden në debatin e javës së kaluar?

Këshilltarët e tij menduan zhvillimin e një debati televiziv të hershëm midis 2 kandidatëve, me shpresën se kjo do ta ndihmonte Biden të rikuperonte disi terren në sondazhe. Megjithatë rezultoi të ishte një autogol i bujshëm. Ata menduan se Joe do të demonstronte të njëjtën forcë si fjalimi i tij për Gjendjen e Bashkimit mbajtur në janar të këtij viti, kur i befasoi të gjithë, dhe pas të cilit pati rritje në sondazhe. Për këtë arsye, vendosën ta afronin debatin në qershor, diçka kjo e pazakontë. Shpresonin se do të kishte një efekt të ngjashëm. Por ky  operacion dështoi.

Aq sa gjatë debatit, Trump nuk u duk aq agresiv sa në të kaluarën...

Trump u tregua shumë i zgjuar që në fillim e la Biden të shprehej sa më shumë, duke u ngatërruar apo u përhumbur në jo pak raste. Ai tregoi se ka mësuar nga debati që e humbi po përballë Biden në vitin 2020. Në atë kohë, ishte shumë agresiv, duke e ndërprerë shpesh rivalin e tij. Ndërsa javën e kaluar, ai përdori një qasje të ndryshme, duke e lënë Biden të shfaqte plotësisht vështirësitë e tij.

Çfarë do të ndodhë tani?

Është e pamundur të parashikohet e ardhmja. Por ditët e fundit më është kujtuar një libër i famshëm i psikiatres austriake Elisabeth Kübler-Ross mbi 5 fazat e zisë:mohimi, zemërimi, vetëdijësimi, depresioni dhe pranimi. Besoj se në këtë rast jemi në një situatë të ngjashme. Pra jemi në fazën e mohimit dhe zemërimit nga ana e Biden, ndaj një fati që duket tashmë i vulosur. Ndoshta në ditët dhe javët në vijim, do të shohim prej tij një pranim të së pashmangshmes.

Pra një tërheqje nga gara?

Po, unë parashikoj një tërheqje të Biden. Intervista me George Stefanopulos në televizionin ABC News, do të jetë një test i rëndësishëm, edhe për shkak të serisë së gabimeve dhe gafave të bëra së fundmi gjatë një interviste radiofonike. Problemi i tij është se nuk ka shkop magjik për ta zgjidhur këtë problem.

Nevoja për tërheqjen e tij do të bëhet gjithnjë e më e dukshme në javët e ardhshme. Donatorët do të rebelohen, guvernatorët që e mbështesin ende mund të ndryshojnë pozicionin e tyre, dhe kongresmenët mund të shtojnë presionin, pasi kanë frikë se mos humbasin vendet e tyre, për shkak të mungesës së popullaritetit të presidentit.

Megjithatë Biden, mund të ketë frikë nga pasardhësi:zëvendëspresidentja Kamala Harris nuk është ngritur kurrë në nivelin e një figure kombëtare. Nëse ai do të jepte dorëheqjen si president, atëherë Harris do të zinte vendin e tij, por do të duhej të emëronte një zëvendëspresident të miratuar nga Senati dhe Kongresi. Dhe ne e dimë se Kongresi kontrollohet aktualisht nga Partia Republikane...

Ky nuk është një skenar i besueshëm. Unë besoj se ai do të tërhiqet si kandidat i Partisë Demokratike për të favorizuar një të ashtuquajtur “konventë të hapur”, me kandidatë potencialë si Harris dhe figura të tjera si guvernatorët Gretchen Whitmer dhe Gavin Newsom, por jo vetëm.

A janë të dënuar demokratët t’i humbin këto zgjedhje, pavarësisht se kush do të jetë kandidati në fund të konventës?

Rezultati i zgjedhjeve nuk është i sigurt. Trump mund të mposhtet. Një kandidat më i ri, më dinamik mund ta mundë atë. Kjo edhe sepse vlerësimi i tij në sondazhe është shumë nën normën 50 për qind në shkallë kombëtare.

A është e bashkuar Partia Demokratike?

Disa citojnë vitin 1968, kur u tërhoq nga gara presidenti Lyndon B.Johnson. Por sot Partia Demokratike nuk është aq e ndarë sa atëherë. Fraksionet më të majta, si Skuadra, Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren, janë më pragmatikë. Ato e dinë se për të fituar duhet një kandidat i qendrës dhe i moderuar. Rreziku kryesore për Partinë Demokratike është humbja e mbështetjes nga elektorati afro-amerikan, i cili është thelbësor në shtete si Pensilvania.

Sot zgjedhjet fitohen duke marrë vota edhe nga militantët e partisë tjetër, ose duke mobilizuar në maksimum mbështetësit e tu?

Zgjedhjet e 20 viteve të fundit, na kanë treguar se zgjedhjet fitohen duke mobilizuar bazën e mbështetësve dhe duke e zgjeruar atë, duke rritur ndjeshëm pjesëmarrjen në votime dhe duke bindur të votojnë të pavendosurit./ Marrë nga “Huffington Post Italia”, përshtati "Pamfleti".

joe biden

Lini një Përgjigje