
Një qeveri e udhëhequr nga Tubimi Kombëtar do të përballet me rreziqe dhe sfida serioze në formën e mosbindjes civile.
Pasi vizitova Parisin në fund të vitit 2022, shkrova një artikull të diskutueshëm që i kundërvihej qasjes tradicionale të kohës. Unë thashë se pas rizgjedhjes në fillim të atij viti, presidenti francez Emmanuel Macron do të vazhdonte të sundonte si Napoleoni, duke miratuar me arrogancë reforma të kujdesshme por jo popullore, në vend se të siguronte shumicën parlamentare.
Po ashtu, parashikova se deri në kohën e zgjedhjeve të ardhshme evropiane, partia e tij do të kishte rënë në pikiatë, duke e lejuar Tubimin Kombëtar të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen që të fitonte shumicën e votave. Në këtë skenar, Macron do të lihej të qeveriste me një qeveri pakice edhe më të dobët.
Ndërkohë të frikësuar nga një fitore e Le Pen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, investitorët do të impononin një disiplinë të rreptë në treg: normë e lartë e interesit dhe çmime më të ulëta të aksioneve. Por kjo do të bëhej një profeci vetë-përmbushëse, pasi vetë tregu do ta detyronte Macron të merrte masa shtrënguese akoma më jopopullore.
Për fat të keq, rrugëtimi drejt katastrofës ka vazhduar siç e kisha parashikuar. Pas dështimit të partisë së tij në zgjedhjet evropiane muajin e kaluar, Macron e shpërndau në mënyrë të pamatur Asamblenë Kombëtare dhe thirri zgjedhjet e reja të parakohshme.
Në rastin më të mirë, ai do të mbetet në krye të vendit me një parlament të varur, dhe me një qeveri të pakicës shumë të dobët për ta përballuar çdo lloj mocioni mosbesimi. Por skenari më i mundshëm është që Tubimi Kombëtar të fitojë zgjedhjet, dhe ta drejtojë qeverinë e ardhshme në një marrëveshje të sikletshme “bashkëjetese” me administratën e Macron.
Nëse Tubimi Kombëtar do të siguronte një shumicë absolute në raundin e dytë, a do të ndiqte ai vizionin e rrezikshëm të ekstremit të djathtë, mbi politikat fiskale të pamatura dhe unilateralizmin anti-BE, duke hyrë në një kurs përplasjeje me Komisionin Evropian? Apo do të moderohej dhe ta prezantojë veten si një parti më tradicionale, ashtu siç ka bërë partia Vëllezërit e Italisë e kryeministres italiane Giorgia Meloni?
Një “Melonizim” i plotë i Tubimit Kombëtar nuk ka gjasa të ndodhë për disa arsye. Së pari, programi i fushatës së Le Pen dhe pikëpamjet e deklaruara prej saj, janë shumë më në të djathtë sesa ai i Melonit. Së dyti, qeveria e krahut të djathtë në Itali, luajti shumë mirë duke zhbllokuar afro 200 miliardë euro nga fondet e ndihmës së BE-së (grante dhe kredi me kosto të ulët) bazuar në planin e rimëkëmbjes nga pandemia. Ndërkohë Franca, është një nga kontribueset më të mëdha në buxhetin e BE-së.
Së treti, Meloni e nisi qeverisjen me më pak frymë dhe masa anti-BE, dhe një prirje më pro NATO-s dhe pro-Ukrainës, ndërsa partia e Le Pen është historikisht euroskeptike dhe ka përfituar dikur nga paratë ruse. Dhe ndërsa ish-kryeministri italian Mario Draghi, një teknokrat i respektuar gjerësisht në union, i dha disa “këshilla prindërore” një Meloni fillimisht aguridhe në ekonomi, Le Pen mund të jetë e vetme.
Gjithsesi, ka disa arsye që na nxisin të mendojmë se Le Pen dhe zëvendësi i saj, Jordan Bardella (si kryeministër), do të ishin pjesërisht të “Melonizuar’. Së pari, shumica e partive i moderojnë qëndrimet e tyre sapo ngjiten në pushtet, thjesht sepse këtë e impononin detyra e qeverisjes.
Së dyti, nëse Le Pen dëshiron që të bëhet presidente në vitin 2027, ajo duhet të provojë se Tubimi Kombëtar mund të qeverisë me kompetencë, dhe kjo gjë mund të kërkojë një koalicion me forca më të moderuara. Për më tepër, si Bashkimi Evropian ashtu edhe Banka Qendrore Evropiane, mund të ndikojnë tek pozicionet e politikës franceze përmes “karotave” dhe “shkopinjve” të ndryshëm. Franca i nënshtrohet tashmë një procedure të Komisionit Evropian, që kërkon nga ajo të zvogëlojë deficitin e saj.
Ndërkohë BQE-ja mund të ofrojë një mbështetje të kushtëzuar apo edhe të pakushtëzuar për vendet me sjellje të mira. Në fakt, disa ekspertë kanë sugjeruar se nëse presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, ish-Ministre franceze e Financave, do të tregojë se si të komunikojë me Le Pen, mund t’i ofrojë kësaj të fundit disa “këshilla prindërore”.
Nëse dështon gjithçka tjetër, disiplina e tregut mund t’i parandalojë ende politikat fiskale që janë tejet të pamatura, ose të paktën të imponojë një ndryshim të politikave të tilla pas fillimit të zbatimit të tyre. Investitorët e tregut të obligacioneve që protestojnë kundër politikave monetare ose fiskale të konsideruara inflacioniste, mbeten kufizimi kryesor i detyrueshëm për pamaturinë ekonomike në shumicën e vendeve.
Kjo ishte arsyeja pse qeveria e Liz Truss në Mbretërinë e Bashkuar rezistoi vetëm 44 ditë.
Nëse Tubimi Kombëtar është një partie mençur, do ta moderojë programin e saj fiskal dhe do të qetësojë bazën e tij - njëlloj si Meloni në Itali- duke e vënë theksin tek siguria, zbatimi i ligjit dhe garantimit i rendit, si dhe tek vendosja e kufizimeve mbi migracionin.
Dhe nëse do të ketë ndonjë pengesë në zbatimin e politikave ekonomike ose sociale, mund të fajësojë fare mirë presidentin Macron, BE-në dhe investitorët “e këqij”, duke forcuar argumentin e saj se francezët duhet t’i japin edhe presidencën.
Thënë këtë, një qeveri e udhëhequr nga Tubimi Kombëtar do të përballet me rreziqe dhe sfida serioze në formën e mosbindjes civile, rezistencës burokratike (“Shteti i Thellë), grevave të punëtorëve (të organizuar nga lideri i ekstremit të majtë Jean-Luc Mélenchon), protestave nga studentët dhe mësuesit, dhe potencialisht edhe nga një dhunë e ngjashme me atë që shpërtheu vitin e kaluar në të ashtuquajturat ‘banlieue’ (periferitë e qyteteve me të ardhura të ulëta) të banuara kryesisht nga myslimanët pas vrasjes nga policia të një të riu mysliman francez.
Në rast se Franca, një vend i famshëm për demonstratat e mëdha dhe revolucionet - edhe kur në pushtet janë regjimet më të moderuara - qeveriset nga një parti e ekstremit të djathtë, dhe grupimi i dytë më i madh parlamentar i përket të majtës ekstreme, mund të jenë një normë trazirat e vazhdueshme dhe një kaos potencialisht i dhunshëm.
Bashkëjetesa me Macron do ta ndërlikonte më tej situatën. Presidenti, i cili dikur e krahasonte veten me hyjninë e lashtësisë, Jupiterin, mund të bëhej një “rosë e çalë” apo edhe të vendosë të japë dorëheqjen, duke shkaktuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale përpara vitit 2027.
Edhe nëse zgjedhjet aktuale mund të çojnë në një parlament pa një shumicë të qartë, qeveria e Macron mund të rrëzohet nga një mocion mosbesimi, duke çuar në një qeveri të përkohshme shumë të dobët, e cila vështirë se do të mbështetej nga aleatët e mbetur të presidentit. Kështu, Macron mund të japë sërish dorëheqjen.
Në secilin nga skenarët e sipërpërmendur, institucioni i presidencës do të diskreditohej më tej, dhe Le Pen do të ishte e mirë-pozicionuar për ta pasuar në detyrë. Nuk ka politikanë të njohur karizmatikë që mund ta sfidojnë atë në zgjedhjet presidenciale. Nëse ajo dhe Bardella nuk vetë-shkatërrohen, herët a vonë ata do të ngjiten në pushtet.
Por kur ta bëjnë këtë, mund të “Melonizohen” mjaftueshëm sa për të zbutur si frikën më të keqe të shumë analistëve. Ose të paktën kështu shpresohet.
Shënim: Nouriel Roubini, profesor i ekonomisë në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Nju Jorkut. Më herët ka qenë ekonomist për çështjet ndërkombëtare në Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Clinton, dhe ka punuar për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Rezervën Federale të SHBA-së dhe Bankën Botërore./ Përshtati "Pamfleti", nga “Project Syndicate”.
Lini një Përgjigje