Sistemi i ri EES kufizon lëvizjen e banorëve në dy fshatra serbe pranë kufirit me Kroacinë
Vendosja e sistemit evropian për regjistrimin e hyrje-daljeve në zonën Schengen (EES) ka lënë banorët e dy fshatrave serbe pa akses të rregullt në shërbimet bazë si administrata, arsimi dhe shëndetësia.
Ndërsa debati publik në Serbi është përqendruar kryesisht te ndikimi i këtij sistemi në biznes, pasojat më të mëdha ndihen në jetën e përditshme të banorëve të fshatrave Neštin dhe Vizić, që i përkasin komunës së Baçka Palankës.
Këto fshatra në rajonin e Sremit ndodhen mes malit Fruska Gora dhe lumit Danub, por administrativisht lidhen me Baçka Palankën në anën tjetër të lumit. Midis tyre shtrihet territori i Kroacisë, çka i detyron banorët të kalojnë përmes një shteti tjetër për të arritur në qytetin e tyre.
Për dekada me radhë, ky tranzit i përditshëm drejt shkollave, institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore është zhvilluar pa pengesa të mëdha. Rruga më e shkurtër kalon përmes pikës kufitare Baçka Palanka–Ilok, vetëm 9 kilometra nga Viziç dhe 13 kilometra nga Nestin.
Situata ndryshoi pas anëtarësimit të Kroacisë në zonën Schengen në vitin 2023 dhe u ndërlikua më tej me hyrjen në fuqi të sistemit EES. Ky sistem regjistron në mënyrë dixhitale çdo hyrje dhe dalje të shtetasve të vendeve të treta, duke zbatuar rregullin e qëndrimit maksimal prej 90 ditësh brenda 180 ditëve, shkruan EWB.
Edhe pse banorët kalojnë vetëm për disa minuta në territorin kroat dhe nuk qëndrojnë realisht në vendet e Schengenit, çdo kalim llogaritet si një ditë qëndrimi. Kjo i çon ata shpejt drejt kufirit të lejuar.
“Ne bëjmë disa kilometra për të arritur në anën tonë. Tani duhet të numërojmë sa herë shkojmë në qytet”, shprehet një banor për median “Savremena politika”.
Sipas të dhënave komunale, në Viziç jetojnë rreth 240 banorë, ndërsa në Nestin 613. Shumica udhëtojnë çdo ditë drejt Baçka Palankës për punë, shkollë dhe shërbime të tjera.
Autoritetet lokale sqarojnë se të gjitha shërbimet administrative dhe shëndetësore ndodhen në qytet, ndërsa nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm ndjekin shkollën po aty. Aktualisht, tetë nxënës nga Neštin dhe pesë nga Vizić ndjekin shkollën fillore në qytet, ndërsa gjithsej 24 nxënës ndjekin arsimin e mesëm.
Si alternativë, banorët po shqyrtojnë rrugë të tjera, si kalimi përmes Banoštorit dhe më pas me traget drejt Begeçit. Megjithatë, kjo rrugë e zgjat udhëtimin nga 9–13 kilometra në 36–42 kilometra dhe varet nga kushtet e motit dhe oraret e lundrimit.
Zgjidhja afatgjatë mbetet ndërtimi i një ure mbi Danub pranë Baçka Palankës, projekt i premtuar prej vitesh. Në fund të vitit të kaluar, në Beograd u nënshkrua një kontratë me kompaninë spanjolle “Centunion” për ndërtimin e saj.
Ministria e Ndërtimit thekson se ura do të ketë rëndësi strategjike për rajonin e Vojvodinës dhe do të përmirësojë jetën në të dy anët e lumit. Buxheti i vitit 2026 parashikon rreth 15 miliardë dinarë për këtë projekt, ndërsa ndërtimi pritet të zgjasë katër vjet.
Deri atëherë, banorët e Neštin dhe Vizić mbeten të varur nga një pikë kufitare që funksionon njëkohësisht si kufi ndërkombëtar dhe rrugë lokale.
Koordinatorja e Konventës Kombëtare për BE-në në Serbi, Bojana Selaković, e konsideron këtë situatë si pasojë politike dhe jo thjesht teknike.
Sipas saj, ngërçi në procesin e integrimit evropian dhe mungesa e reformave konkrete kanë bërë që qytetarët të përballen me pasoja të parashikueshme të rregullave evropiane.
“Bashkimi Evropian nuk do të ndryshojë sistemet e tij për dy fshatra serbe, por shteti kandidat ka detyrimin të mbrojë qytetarët e tij përmes marrëveshjeve dhe zgjidhjeve infrastrukturore,” thekson ajo.
Selaković shton se besueshmëria në Bruksel ndërtohet përmes reformave dhe zbatimit të rregullave, jo përmes retorikës politike.
Lini një Përgjigje