Stanjacioni ekonomik dhe rritja e fortë e kostos së jetesës ushqejnë pakënaqësinë ndaj qeverisë, ndërsa sfiduesi Peter Magyar fiton terren
Ekonomia e Hungarisë ndodhet në stanjacion prej vitesh dhe rritja e fortë e kostos së jetesës po ushqen pakënaqësinë ndaj qeverisë. Modeli dikur i suksesshëm i Viktor Orbánit ka humbur vrullin dhe nga kjo po përfiton sfiduesi i tij, Peter Magyar.
Fabrika e BYD-së në Szeged, në jug të Hungarisë, është një projekt simbol i qeverisë së Viktor Orbánit. Ajo synon të prodhojë 300 mijë automjete në vit, duke u bërë fabrika më e madhe në vend. Ky është edhe investimi i parë i gjigantit kinez të makinave elektrike në Evropë dhe një sfidë direkte ndaj konkurrencës amerikane Tesla, e cila vitin e kaluar prodhoi rreth 150 mijë makina në Gigafactory-n e saj pranë Berlinit. Qeveria hungareze e ka mbështetur fuqishëm projektin, duke investuar deri në 300 milionë franga për tërheqjen dhe ndërtimin e infrastrukturës. Fabrika pritet të krijojë rreth 10 mijë vende pune, shkruan media zvicerane NZZ.
Megjithatë, prodhimi që duhej të kishte nisur tashmë është shtyrë disa herë. Portali investigativ “Atlatszo” publikoi pamje nga brenda objektit, ku shihen automjete të verdha neon pothuajse të përfunduara, të cilat çmontohen dhe më pas rimontohen. Dyshohet se ato janë sjellë nga Kina, ndërsa linjat e prodhimit në Szeged nuk janë ende gati.
Kritikët spekulojnë se kjo mund të lidhet me respektimin e afateve për përfitimin e subvencioneve, megjithëse kompania BYD deklaron se gjithçka po ecën sipas planit. Sipas ekspertëve, prodhimi në seri pritet të nisë vetëm në gjysmën e dytë të vitit dhe në shkallë të kufizuar.
Fabrika në Szeged pasqyron situatën e përgjithshme ekonomike të Hungarisë në vitet e fundit. Orbán ka premtuar vazhdimisht një përshpejtim të rritjes ekonomike. Në fillim të vitit 2025, ai e cilësoi atë si “vitin e kthesës”, duke parashikuar një periudhë të gjatë rritjeje prej 3 deri në 6 për qind. Në realitet, ekonomia ka mbetur në stagnim. Me një rritje prej vetëm 0.4 për qind, Hungaria ka qenë ndër vendet e fundit në Evropën Qendrore dhe Lindore për të tretin vit radhazi.
Sipas Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW), ekonomia mund të rikthehet në rritje më të qëndrueshme këtë vit, por deri në vitin 2028 ajo pritet të mbetet dukshëm nën 3 për qind. Ekonomisti Sandor Richter thekson se besueshmëria e qeverisë është dëmtuar nga premtimet e përsëritura për një bum ekonomik që nuk u realizua.
Në prag të zgjedhjeve në mes të prillit, kjo situatë përbën një sfidë serioze për Orbánin. Në të kaluarën, shumica e popullsisë toleronte pasurimin e dukshëm të rrethit të tij të afërt, për sa kohë që mirëqenia e përgjithshme rritej. Kjo nuk ndodh më. Inflacioni i lartë mbetet një problem kyç: çmimet e ushqimeve janë rritur me rreth 80 për qind që nga viti 2019.
Edhe pse inflacioni u rrit në të gjithë rajonin pas luftës në Ukrainë, në Hungari ai ishte më i larti. Shkak janë edhe politikat e brendshme: para zgjedhjeve të vitit 2022, qeveria ndërmori masa fiskale ekspansive, si përjashtimi nga taksat për të rinjtë nën 25 vjeç, përfitime për familjet dhe pensioni i 13-të. Këto rritën kërkesën në një kohë kur oferta ishte e kufizuar, duke nxitur rritjen e çmimeve. Përpjekjet për kontrollin e çmimeve rezultuan joefektive.
Hungaria ka humbur terren krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe është tejkaluar nga Rumania dhe Kroacia. Besimi i konsumatorëve është i ulët dhe shumica e qytetarëve mendojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar.
Kjo është arsyeja kryesore pse Orban përballet me një sfidues serioz si Peter Magyar, i cili u shfaq papritur dy vjet më parë. Ai e përshkruan Hungarinë si vendin më të korruptuar dhe më të varfër në Bashkimin Evropian.

Modeli “Orbanomics” funksionoi mirë për vite me radhë, sidomos pas vitit 2014, duke siguruar rritje të qëndrueshme dhe fitore elektorale për Orbanin. Politikat u fokusuan në industrializim dhe tërheqje të investimeve të huaja, veçanërisht në sektorin e automobilave, ku kompani gjermane si Audi, Mercedes dhe BMW ndërtuan fabrika të mëdha.
Së fundmi, Hungaria është orientuar drejt Kinës dhe industrisë së automjeteve elektrike. Në dhjetë vitet e fundit, kompanitë kineze kanë investuar mbi 16 miliardë franga në 54 projekte të mëdha. Megjithatë, këto investime shoqërohen me probleme, përfshirë akuzat për kushte të rënda pune dhe shkelje të standardeve.
Po ashtu, një fabrikë baterish e Samsung pranë Budapestit është përballur me kritika për ndotje të lartë, ndërsa autoritetet nuk ndërhynë për shkak të rëndësisë ekonomike të projektit.
Ekspertët paralajmërojnë se strategjia industriale e Orbanit është një bast i rrezikshëm mbi sektorin e automobilave dhe e bën vendin të ndjeshëm ndaj krizave gjeopolitike dhe konflikteve tregtare. Kritikohet gjithashtu fakti që Hungaria mbetet një “linjë prodhimi” për kompanitë e huaja, me pak vlerë të shtuar vendase.
Sipas Sandor Richter, vendi duhet të investojë më shumë në kërkim shkencor dhe sipërmarrje, ndërsa rritja e mëparshme erdhi kryesisht nga zgjerimi i forcës së punës dhe jo nga rritja e produktivitetit.
Një faktor tjetër është mungesa e sigurisë juridike dhe korrupsioni, që kanë ulur investimet private. Bashkimi Evropian ka bllokuar rreth 18 miliardë euro fonde për Hungarinë për shkak të shqetësimeve për shtetin e së drejtës.
Megjithatë, përballë zgjedhjeve, qeveria ka rritur shpenzimet publike, duke përfshirë pensionin e 14-të dhe lehtësime të reja tatimore. Në dy muajt e parë të vitit është konsumuar tashmë 40 për qind e deficitit të planifikuar vjetor. Pavarësisht se kush fiton zgjedhjet, qeveria e ardhshme do të përballet me masa shtrënguese jo popullore. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje