TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Mars 2026, 13:38

Trump kërcënon sërish Iranin: Hapni Ngushticën e Hormuzit ose do t'ju hedhim në erë gjithçka

Shkruar nga Pamfleti

Trump përsëriti kërcënimet se "nëse për ndonjë arsye nuk arrihet së shpejti një marrëveshje" dhe Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet, SHBA-të do të sulmojnë termocentralet e Iranit, puset e naftës dhe ishullin Kharg.

Trump kërcënon sërish Iranin: Hapni Ngushticën e Hormuzit
Donald Trump

Donald Trump ka bërë një tjetër kërcënim ndaj Iranit dhe ka këmbëngulur se SHBA-të janë në bisedime me një "regjim të ri".

Ai ka kërcënuar se "nëse nuk arrihet një marrëveshje shpejt, ne do t'i japim fund 'qëndrimit' tonë të mrekullueshëm në Iran duke hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht të gjitha termocentralet e tyre, fushat e naftës dhe ishullin Kharg".

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në diskutime serioze me një REGJIM TË RI DHE MË TË ARSYESHËM për t'i dhënë fund operacioneve tona ushtarake në Iran. Është bërë shumë përparim, por nëse për ndonjë arsye nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, gjë që ndoshta do të arrihet  dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet për biznes menjëherë, ne do ta përfundojmë qëndrimin tonë të mrekullueshëm në Iran duke hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht të gjitha termocentralet e tyre, fushat e naftës dhe ishullin Kharg (dhe ndoshta të gjitha impiantet e tyre të desalinizimit!), të cilat qëllimisht nuk i kemi prekur ende.

Kjo do të jetë hakmarrje për shumë nga ushtarët tanë dhe të tjerë, që Irani masakroi dhe vrau gjatë "Mbretërimit të Terrorit" 47-vjeçar të regjimit të vjetër. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.”, shkruan Trump.

Donald Trump paraditen e sotme tha gjithashtu se SHBA se mund të marrë naftën e Iranit dhe të konfiskojë ishullin e Kharg, nyjen më të rëndësishme të karburantit në vend.

“Të jem i sinqertë me ju, gjëja ime e preferuar është të marr naftën e Iranit, por disa njerëz budallenj në SHBA më pyesin se përse duhet ta bëj diçka të tillë. Por ata janë budallenj”, pohoi kreu i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për Financial Times.

Ai sugjeroi se kjo lëvizje mund të nënkuptojë përvetësimin e ishullit të Kharg. “Ndoshta e marrim, ndoshta jo. Kemi shumë opsione”, shtoi më tej ai.

Komentet e presidentit vijnë teksa 3500 trupa të tjerë u dislokuan në Lindjen e Mesme, mes frikës se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të ekspozojë forcat amerikane ndaj sulmeve të Iran.

Vetëm pak më herët, gjatë prononcimit për gazetarët në avionin e tij Air Force, presidenti Trump tha se ekipet negociuese nga SHBA dhe Irani po takoheshin në mënyrë direkte e indirekte dhe se udhëheqësit e rinj iranianë ishin treguar shumë të arsyeshëm.

“Sot kemi pasur negociata shumë të mira me Iranin, duke marrë shumë nga gjërat që duhet të na i kishin dhënë shumë kohë më parë. Do të shohim se si do të funksionojë, por janë shumë të mira. Po ecin shumë mirë. Forcat tona kanë shkatërruar shumë objektiva shtesë sot. Marina është zhdukur, Forcat Ajrore janë zhdukur, e dimë këtë. Por sot shkatërruam shumë, shumë objektiva. Ishte një ditë e madhe. Dhe po negociojmë me ta drejtpërdrejt dhe tërthorazi”, tha Trump.

Pakistani, i cili po vepron si ndërmjetësues mes Teheranit dhe Uashingtonit, tha se po përgatitej të organizonte bisedime serioze gjatë ditëve në vazhdim, me synimin për t’i dhënë fund luftës njëmujore. Nuk është e qartë nëse SHBA ose Irani kanë pranuar të marrin pjesë.

Por kryeparlamentari iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, sugjeroi se Trump po përdorte negociatat si kamuflim për planifikimin e një operacioni tokësor. Ai paralajmëroi se Irani nuk do të pranonte dorëzimin dhe se trupat e tyre po prisnin ushtarët amerikanë, ndaj të cilëve, siç tha, do të lëshonin “shi zjarri”.

Sipas The Wall Street Journal, Trump po vlerëson mundësinë e një operacioni ushtarak për të rekuperuar më shumë se 450 kilogramë uranium të pasuruar. Operacioni kompleks do të kërkonte futjen në Iran të forcave tokësore amerikane për disa ditë ose një periudhë më të gjatë.

Sulmet mes palëve kanë vijuar edhe gjatë orëve të fundit, me Israel që raportoi valë bombardimesh nga Irani, por edhe nga Jemeni.

Teksa lufta nuk jep sinjale zbutjeje, çmimi i naftës është rritur edhe më shumë, në 115 dollarë për fuçi.

hapni ngushticën e hormuzit trump

1 Komente

  1. T
    Tony

    Edhe femija i vogel nuk kerkon me kaq naivitet embelsira ne shitore si e kerkon ky i rrjedhuri naften. Wow, wow, wow!

    Lini një Përgjigje