TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Shkurt 2025, 12:14

Jalta II, Putin kërkon një ndarje të botës në 2 blloqe të mëdha, si në vitin 1945

Shkruar nga Michal Kranz*

 

Jalta II, Putin kërkon një ndarje të botës në 2 blloqe
Vladimir Putin /

Presidenti rus, do t’i shohë bisedimet me Trump si një mundësi të artë për të ridimensionuar fushën e lojës globale, nga Paqësori në Danub...

Nëse dini diçka mbi Konferencën e Jaltës, ndoshta e keni të fiksuar në mendje edhe një foto të famshme. Tre udhëheqës të lodhur nga lufta, të ulur krah për krah njëri-tjetrit, Roosevelt me ​​buzëqeshjen e tij të plotë, Churchill me vetullat e ngrysura dhe Stalini që buzëqesh me ironi nën mustaqet e tij, dukshëm i kënaqur me rezultatin e negociatave.

Është një imazh tejet kuptimplotë, dhe jo thjesht ka do të mishëronte fillimin e një Lufte të Ftohtë, e cila i diktoi zhvillimet në Evropë për dekada të tëra. Në fund të fundit, për shumë rusë konferenca që këtë javë kremton 80-vjetorin, nuk është thjesht një ngjarje historike.

Ajo flet më tepër për mundësitë që ka tani Rusia. Nëpërmjet lenteve të Putinizmit, skena globale duket këtë vit shumë e ngjashme me atë të vitit 1945. Sfera e ndikimit të Rusisë, madje edhe zemra e saj, është nën kërcënimin e forcave perëndimore.

Por ashtu si 80 vjet më parë, në sytë e ideologëve të Kremlinit, Rusia po e frenon atë si ushtarakisht dhe civilisht. Por kujtoni sërish foto e famshme, dhe me kë ishte ulur Stalini. Jo përkrah disa servilëve të Byrosë Politike, por me dy rivalët e tij, të cilët që të dy, në mënyrën e tyre, do ta ndihmonin në diktimin e ambicieve perandorake të vendit të tij për dekadat në vijim.

Për mua, ky është leksioni i vërtetë i Jaltës 8 dekada më vonë: jo se Rusia ishte e destinuar natyrshëm që ta dominonte Euroazinë, por ajo mund të ketë sukses vetëm me ndihmën e Perëndimit. Edhe përpara se Rusia të ekzistonte si shtet, sundimtarët e saj mbështeteshin tek të huajt.

Në fillim të shekullit XVII-të, në të ashtuquajturën Koha e Telasheve, Moskovia ishte e rrethuar nga kriza të njëpasnjëshme, luftëra civile dhe sulmet e Perandorisë Suedeze dhe mbretërisë Polako-Lituaneze.

Në dallim nga versioni popullor i historisë që dinë shumica e rusëve, Mikael Romanov, Cari i parë i familjes më të njohur të Rusisë, u kurorëzua në vitin 1613 vetëm pasi bashkëpunoi me të huajt.

Epikat nacionaliste, veçanërisht opera e vitit 1836 “Një jetë për carin”, e kanë paraqitur atë si një hero të madh, i cili u largua nga polakët pushtues në vend se të nënshtrohej. Në fakt, xhaxhai i tij i mbështeti përpjekjet e polakëve për të vendosur një të huaj në fronin rus, ndërsa vetë Mikaeli jetoi për një farë kohe në Kremlinin e pushtuar nga polakët.

Pavarësisht se i jep hapësirë ​​të mjaftueshme për t’u zgjeruar, pozicioni gjeografik e lë Rusinë të pambrojtur ndaj pushtimeve tokësore si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi. Për më tepër, e rrethuar nga malet në jug, nga akulli i Arktikut në veri dhe konkurrentët evropianë në perëndim, ajo tradicionalisht ka pasur pak mundësi për të zhvilluar forcën e saj detare, e cila është jetike për çdo superfuqi moderne.

Dhe për ta arritur këtë, Rusia është detyruar të zgjerojë territoret e saj përmes luftërave vetjake, por edhe në aleanca. Por në narrativat e lavdishme me të cilat mburren, si ajo e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, rusët harrojnë një fakt: ajo fitore do të kishte qenë e pakuptimtë, në rast se nuk do të ishte pranuar nga superfuqitë perëndimore.

Sepse nëse sundimi nazist në Evropë nisi tatëpjetën pas disfatave në Stalingrad dhe Kursk, ajo që erdhi më vonë u vendos midis 4-11 shkurtit 1945 në Jaltë, ku Roosevelt dhe Churchill i dhanë Stalinit bekimin e tyre për të vendosur një rend të ri evropian. Brenda një jave, Stalini i bindi aleatët e tij që ta lejonin të zgjeronte kufijtë e vendit të tij drejt gjithë Evropës Lindore, duke aneksuar shtetet baltike, dhe duke shtuar një pjesë të konsiderueshme të Evropës Lindore në sferën e tij të influencës.

Për elitat ruse të mësuara të mendojnë në cikle historike, një Jalta 2.0 është çuditërisht e vonuar. Putini e ka ndjerë prej kohësh se momenti unipolar i Amerikës ishte thjesht një mashtrim, një lajthitje e historisë që mohonte me kokëfortësi realitetet gjeopolitike të fuqisë ruse.

Në këtë kuadër, pushtimi i Ukrainës nga Rusia, është përpjekja e Putinit për ta detyruar Amerikën dhe Perëndimin të përballet me ato që ajo i sheh si të drejtat e saj natyrore, për të sqaruar paqartësitë se ku mbaron sfera e ndikimit të Rusisë dhe ku fillon ajo e Amerikës, dhe për të rivendosur përfundimisht ekuilibrin sipas kushteve të Moskës.

Por ashtu siç ka bërë gjithmonë, Rusia nuk mund të krijojë e vetme këtë sistem të ri ndërkombëtar. Presidenti rus duhet të jetë gjithashtu i vetëdijshëm për atë që ndodh kur Rusia përpiqet të veprojë në mënyrë të njëanshme.

Pas Revolucionit të Tetorit në vitin 1917, entuziazmi i nxiti bolshevikët të përhapnin revolucionin e tyre drejt Perëndimit. Duke iu shmangur “valsit diplomatik” të Carëve, ata refuzuan dialogun me shtetet borgjeze të Evropës. Por pas disa sukseseve fillestare - kundër Polonisë që sapo ishte pavarësuar, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë - ata u ndalën nga polakët në portat e Varshavës.

Pas humbjes në vitin 1920, Lenini u detyrua të nënshkruajë Traktatin e Rigës, duke përcaktuar kufijtë e Bashkimit Sovjetik me Poloninë. Kështu, BRSS-ja e re kishte pak për të treguar për këtë shfaqje brutale të forcës, dhe dështoi të rimerrte shumë nga territoret që Nikolla II kishte humbur gjatë Luftës së Parë Botërore.

Qasja e Stalinit dy dekada më vonë, nxori mësime jetike nga ky gabim historik, duke kombinuar fuqinë ushtarake të Ushtrisë së Kuqe me manovrat e zgjuara diplomatike në Jaltë.

Nëpërmjet negociatave të ashpra dhe shakave, Stalini e bindi Roosevelt dhe Churchill të pranonin një zgjerim dramatik të territorit sovjetik, së bashku me një grup shtetesh tampon nga Bullgaria në Hungari. Në këmbim, Stalini premtoi të mbante zgjedhje të lira në vende si Polonia dhe Çekosllovakia, një zotim që ai s’kishte ndërmend ta mbante ndonjëherë.

Rezultatet e kësaj manovre folën vetë: Rusia e zgjeroi fuqinë e saj më tej se sa kishte bërë ndonjëherë në kohëve e Carëve, dhe qeveritë nga lindja në deri në Berlin i jepnin drejtpërdrejt llogari Moskës. Kohët e fundit, ka shenja se Putini është gati për një Jalta të dytë.

Një tregtar instinktiv, i pamëshirshëm dhe transaksional, Donald Trump mund të jetë partneri që i duhet Putinit për të zyrtarizuar kufijtë e perandorisë së re të Rusisë, për të vendosur një ekuilibër të ri fuqie në Evropë, dhe për të vendosur rregullat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare për pjesën tjetër të këtij shekulli.

Presidenti rus, do t’i shohë bisedimet me Trump si një mundësi të artë për të ridimensionuar fushën e lojës globale, nga Paqësori në Danub./Përshtati Pamfleti nga “Unherd”

vladimir putin jalta 2 ndarja e botës 2 blloqe

Lini një Përgjigje