
“Sonte është nata që e kemi pritur për më shumë se 30 vjet”. Kështu e nisi fjalimin e fitores Jakov Milatoviç, i cili mposhti Milo Gjukanoviç në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Malin e Zi.
“Qoftë me fat kjo fitore për të gjithë ne”, tha Milatoviç. Ai shtoi se Mali i Zi sonte bëri një hap përpara dhe “i tha lamtumirë regjimit të vjetëruar të Gjukanoviçit”.
"I thamë lamtumirë krimit dhe korrupsionit. Kjo është një ditë historike për të gjithë, i ftoj të gjithë të festojmë me dinjitet", theksoi ai.
Milatoviç premtoi se do të jetë president i të gjithë qytetarëve. "Në pesë vitet e ardhshme, ne do ta sjellim Malin e Zi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, kurrë nuk do të vijnë më konflikte nga Mali i Zi ndaj ndonjë vendi të Ballkanit Perëndimor dhe fqinjëve tanë. Ne duam unitet, harmoni dhe përparim në Ballkanin Perëndimor evropian", tha ai.
Në fjalimin e Milatoviçit në Qendrën Universitare, përveç kryetarit të PES Milojko Spajiq, morën pjesë lideri i Lëvizjes Qytetare URA Dritan Abazoviç, kryetari i demokratëve Aleksa Beçiç, krerët e DF Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç.
Lini një Përgjigje