
Kush do të paguajë për këtë korridor që përfshin linjat hekurudhore, infrastrukturën dixhitale dhe tubacionet e naftës?
Klaus Dodds është profesor i gjeopolitikës në Universitetin Royal Holloway në Londër, dhe anëtar i Akademisë së Shkencave Sociale. Ai ka shkruar shumë libra, ku më i fundit ka sapo ka dalë në treg dhe titullohet “Luftërat kufitare. Konfliktet që do të përcaktojnë të ardhmen tonë”.
Profesor, cilat janë konfliktet që do të përcaktojnë të ardhmen tonë?
Ato do të ndodhin veçanërisht aty ku demokracitë liberale, do të përballen me faktin që kulturat tona publike, janë gjithnjë e më shumë të formësuara nga mediat sociale, të sponsorizuara nga palë të treta armiqësore apo të financuara nga grupime interesi të veçanta.
Kufij të tjerë që do të sfidohen përfshijnë zona, të cilat qeveritë kombëtare dhe të tjerët, i perceptojnë si me interes të madh strategjik dhe të bazuar në burime. Të mira tona të përbashkëtat planetare, si Antarktida dhe oqeanet, ka të ngjarë të përballen me një konkurrencë të mëtejshme për qasje në peshkim dhe potencialisht në minerale.
Hëna dhe hapësira e jashtme, mund të jenë fushëbetejat e radhës, pasi po zbulojmë se marrëveshjet tona ndërkombëtare të viteve 1950, 1960 dhe 1970, kanë urgjentisht nevojë të përditësohen. Disa prej tyre mund të kenë të bëjnë me gjetjen e burimeve, por sistemet tona të komunikimit satelitor varen gjithashtu nga aftësia për të shfrytëzuar dhe siguruar qasje dhe përdorimin e hapësirës. S’mund të përjashtohet mundësia që në të ardhmen të ndodhin konflikte gjeopolitike në Hënë dhe në hapësirë. Orbita e ulët e Tokës, është një rajon kufitar shumë i ndjeshëm.
Përveç Ukrainës dhe Gazës, cilët janë vatrat e tjera më të nxehta, ku duhen ulur menjëherë tensionet?
Ato që ndajnë Indinë, Kinën dhe Pakistanin, 3 shtete të armatosura bërthamore me konflikte territoriale dhe me ankesa të pazgjidhura. Këto zona të përbashkëta janë të largëta, në lartësi të madhe, por edhe shumë të vlefshme për arsye të tjera, si qasja tek uji.
Kriza më e rëndë është ajo midis Indisë dhe Kinës, të cilët vazhdojnë përplasjen dhe të forcojnë pozicionet e tyre përkatëse. Mijëra trupa janë mbledhur rreth Linjës së Kontrollit (LOC) dhe ka pasur herë pas here përleshje midis forcave kufitare. Vlen të përmendet se një luftë e shkurtër atje ka ndodhur në vitin 1962.
Një rast tjetër interesant ka të bëjë me Venezuelën dhe Guajanën. Mosmarrëveshja kufitare është ende e hapur, dhe Karakasi pretendon 2/3 e Guajanës. Kohët e fundit, Kombet e Bashkuara bënë thirrje për vetëpërmbajtje, nga frika se qeveria nacionaliste e Venezuelës po nxit ndjenjat populiste, dhe po mobilizon zemërimin kundër planeve të Guajanës për të zhvilluar burimet e naftës dhe gazit në ato që cilësohen si “ujërat venezueliane”.
Edhe tani që flasim, dy Polet janë objekt mosmarrëveshjesh mes superfuqive botërore...
Tani për tani, rajoni i Arktikut është kursyer nga çdo konflikt, dhe deri vonë është cilësuar si një zonë bashkëpunimi. Forumet ndërqeveritare si Këshilli i Arktikut, kanë luajtur një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar shtetet të gjejnë fusha bashkëpunimi në fusha të tilla si mbrojtja e mjedisit, shkenca dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Ajo që mund të ndodhë, është një konflikt mbi qasjen dhe lëvizshmërinë në ujërat e Arktikut. Oqeani Qendror Arktik po hapet gradualisht për shkak të shkrirjes së vazhdueshme të akullit të detit, dhe ujërat ndërkombëtare janë shumë të gjera. Ka të ngjarë që shtetet jo-arktike, si Kina dhe India, të dëshirojnë të ushtrojnë në të ardhmen të drejtat e tyre në Oqeanin Qendror të Arktikut.
Kjo mund të shkaktojë tensione me shtetet arktike dhe popujt indigjenë, që dëshirojnë të ruajnë rolin e tyre kryesor në rajon. Por shumica e burimeve të Arktikut, shtrihen brenda territoreve dhe zonave ekskluzive ekonomike të shteteve të Arktikut, dhe pavarësisht tensioneve midis NATO-s dhe Rusisë, Arktiku ka mbetur deri më tani relativisht i paprekur. Por ka edhe vatra të tjera të mundshme si arkipelagu i largët Svalbard, ku Rusia dhe Norvegjia janë përplasur me njëra-tjetrën mbi atë që mund dhe s’mund të bëhet atje.
Në librin tuaj të ri “Libri i Parë i Gjeopolitikës”, ju shkruani: ”Disa nga momentet më dramatike në gjeopolitikë, karakterizohen nga liderët politikë që shohin hartat?”...
Burra të tillë nuk mungojnë as sot. Ata e bëjnë këtë për ta siguruar publikun se gjithçka nuk është aq e keqe sa duket (mendoni për shtetarët amerikanë në epokën e Luftës së Vietnamit) apo për të treguar ambiciet territoriale dhe strategjike që kanë.
Ndërkohë përmbajtja e hartës, mund të jetë qëllimisht mashtruese ose e heshtur: hartografët mund të inkurajohen të mohojnë ekzistencën e entiteteve të panjohura si Palestina dhe Tajvani, dhe të përshkruajnë ambiciet ekspansioniste të sponsorëve të tyre, siç është linja 9 ose 10 e Kinës në Detin e Kinës Jugore.
Hartat kombëtare janë pa ndryshim gjeopolitike, në kuptimin që ato sqarojnë se ku fillon dhe ku mbaron territori kombëtar. Për shembull, ato argjentinase do të përfaqësojnë përgjithmonë Ishujt Malvine (ose Ishujt Falkland) dhe një Territor Antarktik Argjentinas.
Një mjet tjetër i madh i gjeopolitikës është infrastruktura. Amerika synon t’i kundërpërgjigjet Rrugës së Mëndafshit të propozuar nga Kina me një mega-projekt që fillon në Indi, kalon në Lindjen e Mesme dhe përfundon në Evropë. Mendoni se ky është një plan i zbatueshëm përballë krizave të vazhdueshme?
Këto projekte, janë dëshmi e ambicies gjeopolitike dhe arrogancës. Dihet që shumë prej tyre janë zvogëluar, braktisur ose reformuar për shkak të kostove, konfliktit dhe korrupsionit. Infrastruktura është gjeopolitike, pasi fuqia e saj politike projektohet në mënyrë dixhitale dhe fizike përmes kabllove nënujore, hekurudhave, anijeve, avionëve, tubacioneve të gazit e naftës etj.
Siç e ilustron më së miri konflikti në Ukrainë, ka shumë arsye pse Rusia po sulmon termocentralet, digat dhe portet ukrainase. Prandaj nuk është për t’u habitur që në dritën e Rrugës së Mëndafshit të Kinës, Shtetet e Bashkuara të mbështesin një korridor Indi-Lindje të Mesme-Evropë.
Kjo që përfshin Iranin dhe Izraelin, do të ndërlikojë progresin e mundshëm, por ajo që do ta pengojë më shumë është kostoja. Kush do të paguajë për këtë korridor që përfshin linjat hekurudhore, infrastrukturën dixhitale dhe tubacionet e naftës? Ka shumë sponsorë, dhe e ardhmja e tij do të varet kryesisht nga ndarja e një narrative të përbashkët strategjike dhe gjeopolitike nga të gjithë mbështetësit e këtij projekti.
Kur të heshtin armët, si do të arrihet të përfshihet sërish në dialog me Perëndimin Rusia pas Putinit?
Siç kanë paralajmëruar shumë qeveri të Evropës Lindore, edhe nëse do të kishte një lloj armëpushimi në Ukrainë, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është:Ku do të përfundojmë? Një Rusi pas Putinit, mund të mos jetë më e lehtë për t’u menaxhuar. Kjo s’do të thotë se është i pashmangshëm despotizëm i ri.
Por duhet ta pranojmë se Rusia e Putinit, e ka shpërbërë qëllimisht shoqërinë civile. Një poshtërim në Ukrainë, mund të shërbejë si një shkas për ndryshime thelbësore. Por edhe të mbeturit një vend autoritar, nuk do të thotë se Rusia nuk mund të llogarisë mbështetjen e aleatëve në mbarë botën.
Prandaj do të priret të përjashtojë ri-integrimin...
Nëse mbizotëron qasja në Ukrainë dhe ne duhet të shpresojmë se kjo do të ndodhë brenda këtij viti do të ketë sfida të mëdha mbi mënyrën se si Perëndimi do ta trajtojë Rusinë.
Një rrezik është që bota të ndahet më tej në perëndimore dhe jo-perëndimore, dhe që koalicionet rivale të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyra që mund ta bëjnë gjithnjë e më pak të mundshëm ri-integrimin.
Për shembull në Arktik, Rusia e ka përdorur epokën pas sanksioneve për të ndërtuar marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta me Kinën, Indinë dhe Lindjen e Mesme. Ndërsa kjo nuk kaloi pa shqetësime gjeopolitike mbi varësitë e reja, i dha gjithsesi mundësi Federatës.
të kapërcente sanksionet e ish-partnerëve perëndimorë. Dhe edhe nëse merr fund lufta në Ukrainë, Rusia ka të ngjarë të mbetet një palë e tretë armiqësore, me pakënaqësi të vazhdueshme për zgjerimin e fundit të NATO-s, me hyrjen e Finlandës dhe Suedisë.
Ne pamë në Teheran skenat gëzimi pas sulmit hakmarrës ndaj Izraelit, të cilat u shfrytëzuan nga regjimi i Ajatollahëve. Si përdoret gjeopolitika për qëllime propagandistike?
Në rastin e Iranit, identiteti gjeopolitik i Republikës Islamike ndikohet nga ndjekja e hegjemonisë rajonale, mosbesimi ndaj qeverive arabe jo-shiite, dhe antipatia e madhe ndaj shtetit të Izraelit. Disa mund të jenë të njohur me të ashtuquajturat hartën e “Iranit të Madh”, që përfshin zgjerimin e madh të regjimit të Teheranit. Në përgjithësi, gjeopolitika mund t’i përshtatet mirë axhendave populiste, nacionaliste dhe autoritare për disa arsye.
Cilat?
Së pari, që kur termi u krijua për herë të parë në vitet 1890, gjeopolitika është përdorur shpesh nga ushtritë dhe shoqëritë civile me një identitet të fortë territorial. Së dyti, gjeopolitika ishte dhe është shumë vizuale. Hartat janë shumë të rëndësishme dhe ndihmojnë në kultivimin e ndjeshmërisë gjeopolitike, duke demarkuar territoret kombëtare dhe luajtur një rol në vizualizimin e aspiratave revanshiste.
Së fundi, gjeopolitika i ka rrënjët në kulturën popullore, gjë që mund të nënkuptojë se mund të gjejmë gjurmë të saj në filma, programe televizive, libra, media sociale dhe demonstrata publike, përfshirë protestat./ Përshtati: "Pamfleti", Nga: "Huffington Post Italia"
Lini një Përgjigje