
Shumë burra vendosin të përpiqen të kalojnë lumin, duke i thënë vetes se është më mirë të rrezikojnë sesa të përfundojnë në burg, edhe sepse e dinë se nuk mund të marrin mbrapsht paratë e tyre.
Nga frika se do të mobilizohen dhe dërgohen të luftojnë në front, mijëra burra ukrainas janë arratisur nga vendi përmes lumit Tisa duke kaluar në Rumani. Trafikantët po e shfrytëzojnë dëshpërimin e tyre, shpeshherë duke u kërkuar mijëra dollarë për t’i transportuar deri buzë lumit, përpara se t’u ofrojnë vetëm një jelek shpëtimi apo një varkë të dobët prej gome.
Të paktën 22 persona kanë humbur jetën deri tani, në përpjekje për të kaluar me not Tisa që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë midis Rusisë dhe Ukrainës. Ndërsa rojet kufitare përpiqen të shpëtojnë njerëzit që janë duke u mbytur nga rryma e fortë e lumit, kjo është shpesh një mision i pamundur.
Gazetarët e gazetës ukrainase “Ukrainska Pravda”, udhëtuan së fundmi drejt kufirit që ndahen nga ky lumë për të parë nga afër situatën. Në bregun verior të lumit Tisa, në rajonin ukrainas Zakarpattia, ndodhet fshati i vogël Velykyi Bychkiv.
Bregu rumun në anën tjetër të lumit duket “në mënyrë mashtruese shumë pranë”, shkruan Ukrainska Pravda. Rojet kufitare ukrainase nga Detashmenti i Rojës Kufitare të Mukachevo-s, thonë se kapin gati çdo ditë njerëz që përpiqen të largohen nga vendi.
Disa futen në lumë, pa ditur as të notojnë. Sipas autoriteteve rumune, mbi 6.000 njerëz e kanë kaluar lumin Tisa që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Por jo të gjithë kanë mbijetuar. Njerëzit vdesin nga uji i ftohtë që u depërton në trup përmes rrobave të lagura, apo sepse përpiqen ta kapërcejnë lumin gjatë errësirës së natës.
Problemet shtohen nga të ashtuquajturit “udhërrëfyes”, të cilët u premtojnë të interesuarve se arratia e tyre do të jetë “një shëtitje e lehtë”. Gjatë 2 viteve të fundit, njerëzit janë përpjekur ta kalojnë kufirin e lumit me gomone të vogla, dyshekë plazhi apo goma makine. Shumë prej tyre veshin jelekë shpëtimi ose mbështillen me mbështjellës plastik, për të mos ngrirë në ujërat e acartë të lumit sidomos gjatë dimrit.
“Ndihma ndaj njerëzve që shmangin mobilizimin ushtarak, është shndërruar në një biznes fitimprurës në Ukrainë. Kontrabandistët marrin para nga njerëzit e dëshpëruar, duke u premtuar t’i ndihmojnë të kalojnë lumin dhe të hyjnë në Rumani, ku do të jenë të lirë nga kërcënimi i rekrutimit. Por personi që supozohet të ndihmojë, i merr paratë përpara se të shkohet në vendin e kalimit, dhe nuk mban asnjë përgjegjësi nëse arratia dështon”, shkruan gazeta ukrainase.
Sipas “Ukrainska Pravda”, mashtruesit pretendojnë shpesh se kanë një pakt me rojet kufitare që t’i lënë lejojnë këta burra të kalojnë. Pastaj, kur ata mbërrijnë në kufi, u thuhet se gjërat kanë ndryshuar. Në ato kushte, trafikanti u ofron një varkë modeste prej gome sapo një jelek shpëtimi, dhe e këshillon të provojnë shansin e tyre (përveç nëse duan të presin për mundësinë e radhës, që kush e di se kur mund të vijë).
Shumë burra vendosin të përpiqen të kalojnë lumin, duke i thënë vetes se është më mirë të rrezikojnë sesa të përfundojnë në burg, edhe sepse e dinë se nuk mund të marrin mbrapsht paratë e tyre. Oleh Seleznev, kreu i departamentit të inspektimit kufitar në Velykyi Bychkiv, tha se një burrë u përpoq të kalonte lumin, pavarësisht se kishte dokumente që e përjashtonin nga shërbimi ushtarak.
Ai ishte kujdestar për dikë me aftësi të kufizuara. Sipas rojeve kufitare, trafikantët arritën ta bindin burrin, se ai do të mobilizohej pa marrë parasysh rrethanat, dhe e bindën që të arratisej. Rojet e kapën dhe e akuzuan se tentoi të kalonte kufirin ilegalisht. Më vonë, ai mundi të largohej legalisht nga vendi.
Vetëm 2 vjet e gjysmë më parë, problemi më i madh përgjatë kufirit Ukrainë-Rumani ishin dronët që fluturonin mes fshatrave, duke shpërndarë mallra kontrabandë (kryesisht produkte të duhanit) nga një breg i Tisas në tjetrin. Tani që është forcuar kontrolli kufitar, trafikimi i njerëzve është bërë më fitimprurës sesa ai i mallrave.
Prandaj ish-kontrabandistët i janë drejtuar këtij biznesi. Sipas Seleznev, ata kërkojnë mijëra dollarë për shërbimet e tyre. Rojet kufitare i thanë “Ukrainska Pravda”, se ndonjëherë janë detyruar të shpëtojnë jetën e njerëzve që po përpiqeshin të iknin ilegalisht nga vendi.
Në fillim të këtij muaji, një patrullë kufitare vuri re një të ri pranë bregut të lumit gjatë natës. Ai u hodh menjëherë në lumë sapo dëgjoi rojet, por në pak sekonda u përfshi nga rryma dhe filloi të bërtiste për ndihmë. Rojet lëshuan një dron me një kamerë termike për ta mbajtur nën vëzhgim.
Më pas një kadet që po stërvitej me njësinë e Mukachevo-s, u hodh në lumë, arriti ta kapte dhe ta nxirrte në breg. Rreth 400 metra larg, operatori i dronit pikasi një person tjetër. Kur rojet mbërritën atje, panë një burrë në ujë, të kapur pas rrënjëve të pemëve që po përpiqej të notonte kundër rrymës.
Ata i bërtitën: ”Prit or shok, duro!”, ndërsa u përpoqën ta arrinin përmes gëmushave dhe telave me gjemba të vendosura në kufi, shkruan “Ukrainska Pravda”. Por ai u zhvendos nga atje, dhe ata nuk mund ta gjenin më pas. Rojet kufitare, e monitorojnë zonën me dylbi nga një pikë vëzhgimi në një kodër me pamje nga lumi.
Natën, ata përdorin kamerat termike. Nëse vënë re një makinë që ndalon afër, apo dikë që po përgatitet të arratisen, ata lajmërojnë kolegët më afër. Gjatë ditës, ndalojnë dhe kontrollojnë automjetet e dyshimta. Rojet që folën për gazetën “Ukrainska Pravda”, thanë se një javë më parë kishin pasur 3 raste të veçanta kur kapën në postblloqe burra që po planifikonin të kalonin me not lumin Tisa.
“Njerëzit përdorin hile të ndryshme, duke shpresuar se historia e tyre do të besohet nga rojet në pikën e kontrollit. Ndonjëherë paraqesin letërnjoftime ushtarake. Ose marrin me vete edhe një ushtar. Ndonjëherë, udhëtojnë bashkë me familjet e tyre, ose me makinën e gruas. Dhe thonë diçka të tipit:”Po shkoj me pushime” ose “Do të shkoj në Rumani për trajtim mjekësor”, thotë Seleznev.
Vitin e kaluar, detashmenti i Mukachevo-s, përgjegjës për patrullimin e afro 320 km vijë kufitare (përfshirë 120 km përgjatë lumit Tisa), arrestoi anëtarë të 56 grupeve të ndryshme, të përfshirë në organizimin e kalimeve të paligjshme të kufirit. Të dyshuarit janë akuzuar për transport të paligjshëm të njerëzve përtej kufirit shtetëror.
Burrat që përpiqen t’i shmangen rekrutimit, duke u hedhur përtej lumit në Rumani, përballen me akuza për shkeljen e paligjshme të kufirit, dhe informacioni mbi ta i përcillet Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës (SBU), policisë dhe zyrës lokale të zyrave të rekrutimit. Nëse personit që tenton të arratiset i lëshohet apo jo fletëthirrja për të front, kjo varet nga zyra e regjistrimit dhe jo nga shërbimi kufitar./ Përshtati: "Pamfleti", Marrë nga: “Meduza”
Lini një Përgjigje