Tensionet rriten mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit; nuk ka shenja përparimi në negociatat për paqe
Irani deklaroi të mërkurën se ka lëshuar raketa lundruese në drejtim të aeroplanmbajtëses amerikane “USS Abraham Lincoln”, vetëm disa orë pasi ushtria iraniane hodhi poshtë çdo mundësi për një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Fars News, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), sulmi me raketa ka “detyruar flotën detare amerikane të ndryshojë pozicion”. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila në raste të mëparshme ka kundërshtuar publikisht pretendime të ngjashme iraniane.
Aeroplanmbajtësja “USS Abraham Lincoln” ndodhet në Detin Arabik në mbështetje të operacionit “Epic Fury”, i cili pritet të hyjë në javën e katërt këtë të premte.
Një ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi nga Zyra Ovale se Irani kishte lëshuar mbi 100 raketa ndaj një prej aeroplanmbajtëseve amerikane, duke shtuar se “të gjitha janë rrëzuar”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i lartë i ushtrisë iraniane, nënkolonel Ebrahim Zolfaghari, deklaroi në një video të publikuar nga Fars se Teherani “nuk do të arrijë kurrë një marrëveshje” me Uashingtonin. Kjo deklaratë erdhi pasi SHBA kishte përcjellë një plan paqeje me 15 pika përmes ndërmjetësve pakistanezë.
“Ne nuk do të biem kurrë dakord me ju, as tani dhe as ndonjëherë,” tha Zolfaghari, duke shtuar se “fuqia strategjike” e SHBA-së është kthyer në “dështim strategjik”.
Sipas “Wall Street Journal”, kërkesat e SHBA-së përfshijnë çmontimin e kapaciteteve bërthamore iraniane, dorëzimin e uraniumit të pasuruar, kufizimin e programit raketor vetëm për qëllime mbrojtëse, mbajtjen të hapur të Ngushticës së Hormuzit dhe ndërprerjen e financimit për grupet e armatosura aleate.
Në këmbim, Irani kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve dhe mbylljen e bazave amerikane në Gjirin Persik. Një zyrtar amerikan i ka cilësuar këto kërkesa si “të paarsyeshme dhe jorealiste”.

Ndërkohë, operacionet ushtarake vazhdojnë pa shenja ngadalësimi. Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer disa valë sulmesh ndaj infrastrukturës së regjimit iranian në Teheran dhe paralajmëroi publikimin e detajeve të mëtejshme.
Një ditë më parë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se kishin goditur objekte të prodhimit ushtarak në qytetin Isfahan, përfshirë struktura për ndërtimin e nëndetëseve dhe sisteme mbështetëse për marinën iraniane.
Në një deklaratë të veçantë, Ministria izraelite e Mbrojtjes bëri të ditur se Izraeli ka kryer mbi 15,000 sulme ndaj Iranit që nga fillimi i operacioneve më 28 shkurt, një shifër më shumë se katër herë më e lartë se ajo e konfliktit 12-ditor të qershorit të kaluar.
Lini një Përgjigje