Marine Le Pen ka mbështetur kryeministren italiane Giorgia Meloni në përplasjen e saj publike me Donald Trump, duke vlerësuar se presidenti amerikan kishte kaluar kufijtë me deklaratat e tij.
“Ai ishte shumë ofendues, kështu që e kuptoj plotësisht reagimin e Giorgia Melonit, i cili është një reagim krenarie kombëtare”, tha Le Pen në një intervistë për një radio franceze.
Sipas saj, tensionet e fundit nuk nënkuptojnë një prishje të marrëdhënieve mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, por kanë sjellë një përkeqësim të raportit mes dy liderëve.
“A është kjo një ndarje përfundimtare midis dy kombeve? Sigurisht që jo. A është kjo një ftohje serioze e marrëdhënieve midis dy popujve? Absolutisht”, deklaroi ajo.
Le Pen vuri në dukje se marrëdhëniet ndërkombëtare udhëhiqen nga interesat shtetërore dhe jo nga raportet personale.
“Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk ka miq. Ka interesa, të cilat mund të jenë të përbashkëta ose të kundërta”, tha ajo.
Deklaratat e saj vijnë në një periudhë kur figura të tjera të rëndësishme të Tubimit Kombëtar kanë mbajtur qëndrime më kritike ndaj Trump. Jordan Bardella, i konsideruar pasardhësi politik i Le Pen, e ka përshkruar së fundmi presidentin amerikan si “të paparashikueshëm dhe jashtëzakonisht të paqëndrueshëm”, megjithëse më herët kishte shprehur vlerësime për të.
Duke komentuar politikat e Trump, Le Pen tha se ai mbetet “padyshim një simbol i vullnetit politik që nuk është parë në Evropë për dekada”, por shtoi se në politikën e jashtme ai ka vepruar ndryshe nga sa kishte premtuar.
Si shembull ajo përmendi qasjen ndaj Iranit, e cila sipas saj ka thelluar dallimet mes administratës amerikane dhe një pjese të së djathtës evropiane.
Përplasja mes Trump dhe Meloni nisi pasi presidenti amerikan pretendoi se kryeministrja italiane i ishte “lutur” për një fotografi të përbashkët gjatë samitit të G7 dhe se po e përdorte marrëdhënien me të për përfitime politike në Itali. Meloni i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se ai “e kishte sajuar atë ngjarje” dhe se duhej të merrej me punët e veta.
Lini një Përgjigje