
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Izraeli nuk do të tërhiqet nga Libani jugor, ndërsa vijojnë bisedimet mes Izraelit dhe Libanit nën ndërmjetësimin e administratës amerikane.
Teksa ka folur në konferencën MUNI EXPO në Tel Aviv, Katz theksoi se pozicioni i Izraelit mbetet i pandryshuar.
“E kemi bërë të qartë se në asnjë rrethanë nuk do të tërhiqemi dhe, që nga ky moment, kjo është një arritje diplomatike, nuk ka asnjë kërkesë amerikane që Izraeli të tërhiqet nga Libani”, deklaroi ministri izraelit.
Sipas Katz, ky qëndrim i është komunikuar edhe Uashingtonit. Ai tha se ia kishte bërë të qartë pozicionin e Izraelit homologut të tij amerikan, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu kishte zhvilluar diskutime për të njëjtën çështje me presidentin amerikan Donald Trump.
Deklaratat e ministrit vijnë në ditën e dytë të negociatave mes Izraelit dhe Libanit, të zhvilluara nën kujdesin e administratës Trump.
Më herët, Katz deklaroi se Izraeli nuk kishte ndërmend të tërhiqte forcat e tij nga Libani jugor. Megjithatë, komentet e fundit e bëjnë edhe më të qartë këtë qëndrim, duke nënvizuar se ai nuk do të ndryshonte as në rast të një kërkese nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, raportime të mëparshme të mediave ndërkombëtare kanë bërë të ditur se Izraeli kishte shqyrtuar mundësinë e një tërheqjeje të kufizuar ose simbolike nga disa zona të pushtuara në Libanin jugor, si një gjest ndaj qeverisë libaneze. Deri tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar që konfirmon një hap të tillë.
Lini një Përgjigje