Bullgaria është vendosur në qendër të një përplasjeje diplomatike me Iranin, pas një paralajmërimi nga autoritetet iraniane lidhur me praninë e avionëve ushtarakë amerikanë në territorin e saj.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, Teherani ka shprehur pakënaqësi për avionët cisternë të SHBA që ndodhen në aeroportin “Vasil Levski” në Sofje.
Një dokument i Ministrisë së Jashtme iraniane, i datës 18 mars dhe i paraqitur në parlament nga deputeti Stanislav Balabanov, thekson kundërshtimin e fortë të Iranit ndaj kësaj pranie. Në të, Irani paralajmëron se ruan të drejtën për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e tij, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Më vonë, zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Marin Raykov, konfirmoi ekzistencën e dokumentit dhe theksoi se vendi nuk është i përfshirë në konflikt.
“Bullgaria nuk është në luftë”, deklaroi ai, duke sqaruar se nga territori bullgar nuk nisen avionë për operacione luftarake dhe se marrëdhëniet diplomatike me Iranin mbeten të pandryshuara.
Sipas autoriteteve bullgare, avionët amerikanë janë pjesë e dislokimeve strategjike të NATO-s, ndërsa parlamenti nuk ka miratuar asnjë vendim për mbështetje të operacioneve ushtarake në rajonin e Ngushticës së Hormuzit.
Raportimet në mediat bullgare në fund të shkurtit kishin konfirmuar mbërritjen e disa avionëve ushtarakë amerikanë në Sofje, duke e lidhur këtë zhvillim me prani të shtuar të NATO-s në rajon.
Lini një Përgjigje