Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar ka deklaruar se vendi i tij i ka shkaktuar një “goditje të rëndë” Iranit, por nuk mund të sigurojë se përplasja aktuale do të jetë konflikti i fundit mes dy vendeve.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social “X” në prag të Pashkës, Sa’ar theksoi se “nuk ka liri pa vullnetin për ta mbrojtur atë”. Ai shtoi se Izraeli është përballur me “rrezikun e asgjësimit”.
Sipas tij, “armiqtë tanë, para së gjithash regjimi i Ajatollahut në Iran, kishin hartuar një plan eliminimi”.
Sa’ar iu referua gjithashtu vendimeve të marra nga Kabineti i Sigurisë në qershor 2025 dhe shkurt 2026, duke i cilësuar ato si “vendime historike” që synonin eliminimin e kërcënimit ndaj popullit hebre në Izrael. Ai theksoi se këto vendime lidhen me veprimet ushtarake kundër Iranit.
Deklaratat e ministrit pasqyrojnë qëndrimin zyrtar të Izraelit për rrezikun që, sipas tij, paraqet Irani, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe me zhvillime të paqarta për të ardhmen e konfliktit.
Lini një Përgjigje