TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Maj 2026, 22:29

Irani sinjalizon progres në negociatat me SHBA-të, Pakistani flet për “zhvillim pozitiv”

Shkruar nga Pamfleti
Irani sinjalizon progres në negociatat me SHBA-të, Pakistani flet
Bisedimet SHBA-Iran në Islamabad- Foto ilustruese

Irani ka dhënë sinjale të reja optimizmi për negociatat me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Pakistani po luan një rol gjithnjë e më aktiv në ndërmjetësimin e kontakteve mes palëve.

Ambasadori iranian në Pakistan, Reza Amiri Moghadam, deklaroi se pas diskutimeve të zhvilluara në Teheran po formësohet një “hap pozitiv” në dialogun me Uashingtonin.

Me një optimizëm të kujdesshëm, mund të shpresojmë se, nëse pala tjetër tregon angazhimin e duhur, po merr formë një zhvillim pozitiv”, deklaroi Moghadam.

Ai tha se ky progres lidhet me “qëndrimin dinjitoz të Republikës Islamike të Iranit”, rezistencën e popullit iranian dhe përpjekjet ndërmjetësuese të Pakistanit.

Diplomati iranian falënderoi gjithashtu Islamabadin për rolin në negociata.

Ndërkohë, Pakistani po shfaqet gjithashtu optimist pas raundit intensiv të bisedimeve të zhvilluara në Teheran.

Shefi i ushtrisë pakistaneze, gjenerali Asim Munir, zhvilloi një vizitë 24-orëshe në kryeqytetin iranian, ku u takua me presidentin Masoud Pezeshkian, ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë.

Sipas burimeve pakistaneze, diskutimet kanë qenë “shumë produktive” dhe një pjesë e tensioneve mes palëve duket se janë zbutur.

Në Islamabad besohet se Irani ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të shqyrtojë disa opsione kompromisi, përfshirë hollimin e uraniumit të pasuruar dhe një hapje të pjesshme të Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, Teherani kërkon në këmbim lehtësimin e presionit amerikan dhe heqjen e bllokadave ekonomike.

Vëmendja tani është përqendruar te reagimi i Uashingtonit, ndërsa orët dhe ditët e ardhshme konsiderohen vendimtare për fatin e negociatave.

Sipas raportimeve, nëse SHBA-të japin sinjale pozitive, një raund i ri bisedimesh mund të zhvillohet së shpejti në Islamabad.

Zhvillimet e fundit vijnë në një moment delikat për rajonin, ndërsa SHBA-të dhe Irani përpiqen të shmangin një përshkallëzim të ri ushtarak dhe të gjejnë një kompromis mbi programin bërthamor iranian dhe sigurinë në Gjirin Persik.

 

shba iran pakistan

Lini një Përgjigje