
Anijet që nuk paguajnë tarifat do t’u shtyhet kalimi ose do të ndalohen plotësisht...
Irani ka rikthyer në fuqi kufizimet e rrepta për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për “shkelje të përsëritura të besimit” në kuadër të armëpushimit të brishtë mes palëve.
Një zyrtar i lartë iranian i ka thënë CNN-it të shtunën se, për shkak të kufizimit të numrit të anijeve që do të lejohen të kalojnë, Teherani do t’u japë përparësi atyre që pranojnë shpejt protokollet e reja të sigurisë dhe paguajnë kostot e shërbimeve të sigurisë që ofron Irani.
“Duke pasur parasysh kufizimin e numrit të anijeve që do të lejohen të kalojnë, Irani ka vendosur t’u japë përparësi atyre anijeve që i përgjigjen më shpejt protokolleve të reja të Ngushticës së Hormuzit dhe paguajnë kostot e shërbimeve të sigurisë”, tha zyrtari. Sipas tij, anijet që nuk paguajnë tarifat do t’u shtyhet kalimi ose do të ndalohen plotësisht.
Masat e reja vijnë vetëm pak kohë pasi Irani kishte deklaruar hapjen e ngushticës për anijet tregtare në kuadër të një armëpushimi të përkohshëm. Tani, Teherani e përshkruan vendimin si pjesë të “menaxhimit të trafikut detar në dritën e rendit të ri që qeveris këtë ngushticë”.
Kjo do të thotë se Irani pak nga pak po instalon mekanizmin e tij të pagesës për ata që përdorin ngushticën, ashtu siç kishte deklaruar pak javë më parë, duke injoruar këshu kërkesën e SHBA-ve.
Kujtojmë se ngushtica e Hormuzit është arteria kryesore përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës së botës dhe një pjesë e madhe e eksporteve iraniane të naftës. Çdo kufizim ose tarifë e re mund të ndikojë seriozisht në çmimet globale të energjisë dhe në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër vetë presidenti Donald Trump ka deklaruar se po ecet me ritme të mira në negociatat me Iranin dhe se së shpejti do të ketë një njoftim lidhur me to. Është ende e paqartë nëse tarfia e pretenduar nga Irani është pjesë e diskutimive mes dy palëve.
Lini një Përgjigje