TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Shkurt 2024, 08:15

Intervista e pa publikuar e Navalnyt; si nisi persekutimi i Putin ndaj liderit të opozitës deri në vdekjen e tij

Shkruar nga Pamfleti
Intervista e pa publikuar e Navalnyt; si nisi persekutimi i Putin ndaj liderit
Putin-Navalny

Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny më herët ka denoncuar zyrtarët e korruptuar që jetojnë në Londër, të cilët dyshohet se ndihmojnë regjimin e Vladimir Putin të fshehë paratë e pista.

Në një intervistë të pa publikuar më parë të dhënë për “Sky News”, lideri i opozitës ruse tha se shpreson për një të ardhme më të mirë për vendin e tij edhe pse ishte i vetëdijshëm për rreziqet që po ndërmerrte.

Intervista e tij u zhvillua katër vite më parë, në një koloni penale në veri të Rrethit Arktik.

I konsideruar si kritiku më i zëshëm i presidentit rus Vladimir Putin, Navalny ndërroi jetë më 16 shkurt 2024 në moshën 47-vjeçare, në burgun Arktik pasi u ndje keq gjatë një shëtitjeje të zakonshme. Por, shkaku i vdekjes së tij mbetet ende mister.

Intervista e zhvilluar në vitin 2020, besohet të jetë një nga të fundit që Navalny dha teksa gëzonte ende shëndet të plotë. Në gusht të atij viti ai u helmua gjatë një fluturimi për në Moskë.

Gjatë intervistës ai tregon shpresat e tij për një të ardhme ruse si pjesë e Evropës, sigurinë e tij personale dhe kritikoi ashpër Britaninë dhe Perëndimin pasi sipas tij, i lanë bashkëpunëtorët e Putinit të shpëtonin.

"Perëndimi nuk bën asgjë, do të thosha. Ka disa kërcime rituale, por asgjë nuk ndodh realisht. Pse zyrtarët e korruptuar jetojnë ende në Londër? Sepse këta zyrtarë të korruptuar ushqejnë një numër të madh avokatësh londinez. Këta njerëz, do të duken shumë të civilizuar, do të jemi të kënaqur të bisedojmë me ta nëse do të ulen pranë nesh, do të kenë kravatë të bukur dhe sjellje të mirë dhe në të njëjtën kohë u shërbejnë interesave të banditëve", tha Navalny gjatë intervistës.

Ai thekson se Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj 2 mijë individëve, kompanive dhe grupe ruse, ndërsa synon drejtpërdrejt elitat e lidhura me Putinin në Mbretërinë e Bashkuar përmes Qelizës Luftuese të Kleptokracisë të Agjencisë Kombëtare të Krimit.

“Korrupsioni dhe kleptokracia nuk do të jenë kurrë të mirëseardhura në brigjet tona”, shprehet lideri opozitar rus.

Me fjalët që jehojnë më fort pas vdekjes së tij në burg, Navalny shton se “Rusia është një vend evropian, ku të gjithë njerëzit që jetojnë këtu duan të jetojnë si Evropa. Kështu që unë shpresoj që pas 10 vitesh, nëse më intervistoni përsëri, do të jem në gjendje t'ju tregoj se si ia dolëm të zhdukim pastrimin e parave korruptive”, theksoi ai.

Intervista e dhënë për 'Sky News' dhe e transmetuar për herë të parë, u xhirua si pjesë e një serie dokumentare të patransmetuar, After The Fall, me regji të Matthew Thorne dhe prodhuar nga Andrew Duncan./ Përshtati: "Pamfleti", Marrë nga: "Sky News". 

Lini një Përgjigje