
Të paktën 14 të vrarë dhe 37 të plagosur nga sulmet izraelite, ndërsa tensionet vazhdojnë pavarësisht armëpushimit
Një dron i Hezbollahut shpërtheu pranë një helikopteri të ushtrisë izraelite, i cili po kryente evakuimin e ushtarëve në Taybeh, në jug të Libanit.
Ndërkohë, Izraeli lëshoi urdhra të rinj evakuimi për jugun e Libanit, duke u kërkuar banorëve të largohen nga shtatë qytete jashtë të ashtuquajturës “zonë sigurie”, duke intensifikuar përplasjen me Hezbollahun pavarësisht armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 14 persona, mes tyre dy fëmijë dhe dy gra, humbën jetën dhe 37 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite mbrëmjen e së dielës. Ngjarjet ndodhin në kuadër të armëpushimit të brishtë me Izraelin, i cili hyri në fuqi më 16 prill.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite (IDF) kishte lëshuar më herët urdhra evakuimi për disa fshatra në jug të Libanit, duke theksuar se banorët “duhet të largohen” menjëherë dhe se qëndrimi në zonë “do të vinte jetën e tyre në rrezik”.
View this post on Instagram
Në një deklaratë të mëvonshme, IDF njoftoi se kreu “sulme ajrore kundër anëtarëve të Hezbollahut dhe objekteve në jug të Libanit”, të cilat, sipas ushtrisë izraelite, përdoreshin “për sulme kundër ushtarëve të IDF”.
Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve ANI, “avionë ushtarakë izraelitë” bombarduan Kfar Tibnit, një nga komunitetet e përfshira në urdhrat e evakuimit, duke shkaktuar plagosje te banorët.
Agjencia raportoi gjithashtu për bombardime në Zaatar al-Sharqiya, ku u shkatërrua një xhami, si dhe për një goditje ndaj një motoçiklete në të njëjtën zonë.
Korrespondentët e Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) raportuan se u pa tym të ngrihej mbi Nabatieh dhe Fawqa, si dhe në zona të tjera gjatë bombardimeve izraelite.
Lini një Përgjigje