TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Prill 2024, 17:08

Greva e kontrollorëve “paralizon” aeroportet franceze, anulohen mijëra fluturime

Shkruar nga Pamfleti

Greva e kontrollorëve “paralizon” aeroportet franceze, anulohen

Mijëra fluturime në Francë dhe Evropë janë anuluar sot, për shkak të grevës të kontrollorëve të trafikut ajror në Francë.

Greva ka shkaktuar ndalesën më të madhe në trafikun ajror në dekada.

Kompanitë e fluturimeve kanë përgjysmuar fluturimet në dy aeroportet kryesore në Paris, në Orly dhe Roissy Charles-de-Gaulle. Në Marsejë, po ashtu, janë anuluar shumë fluturime të tjera.

Më të prekurat janë fluturimet që kanë destinacione të shkurtra, por edhe fluturimet e gjata janë përballur me pengesa.

Ryanair ka raportuar se ka anuluar 300 fluturime më 25 prill, ndërkaq Easyjet dhe Transavia nga 200 secili.

Në total, rreth 2.300 fluturime në aeroportet franceze pritej të realizoheshin të enjten, për dallim nga 5.200 sa ishin realizuar një ditë më parë, tha autoriteti i aviacionit civil, DGAC.

Në mbarë Evropën, rreth 2.000 fluturime të tjera janë anuluar dhe rreth 1.000 të tjera kanë ndryshuar rrugën për të shmangur hapësirën ajrore franceze.

Numri i fluturimeve të anuluara ishte më i larti “në 20 vjet”, sipas Augustin de Romanet, drejtor i Grupit ADP, që menaxhon aeroportet në kryeqytetin francez.
Ai paralajmëroi se “dhjetëra mijëra dollarë” po rrezikohen nga anulimi i fluturimeve për shkak të grevës së kontrollorëve ajrorë.

Shoqata e trafikut ajror, IATA, akuzoi kontrollorët francezë se po “shantazhojnë”.

Greva e kontrollerëve ajrorë vazhdoi, pavarësisht se një shoqatë e madhe e punëtorëve të trafikut ajror u tërhoq nga greva, për shkak se tha se do të vazhdonte negociatat me autoritetet shtetërore lidhur me kushtet e punës.
Megjithatë, në grevë morën pjesë edhe tri shoqata të tjera.

france aeroport fluturime

Lini një Përgjigje