Autoritetet italiane po përpiqen të zbardhin vjedhjen e tre pikturave me vlerë miliona euro, e cila ndodhi në një muze pranë qytetit të Parmës.
Ngjarja u regjistrua më 22 mars, kur katër grabitës të maskuar hynë në vilën e Fondacionit Magnani Rocca dhe u larguan pasi morën tre vepra arti të rëndësishme.
Sipas autoriteteve, pikturat e vjedhura janë “Peshqit” e Pierre-Auguste Renoir, “Natyrë e qetë me qershi” e Paul Cézanne dhe “Odaliska në verandë” e Henri Matisse.
Sipas mediave italiane, grabitësit arritën të hyjnë dhe të dalin nga objekti brenda tre minutash. Aksioni i tyre u ndërpre vetëm nga aktivizimi i sistemit të alarmit, i cili i pengoi të merrnin më shumë vepra.
Banda hyri me forcë nga hyrja kryesore e Villa dei Capolavori, e vendosur në zonën rurale pranë Parmës, dhe mori pikturat nga “Salla Franceze” në katin e parë të ndërtesës.
Fondacioni deklaroi se grupi dukej “i strukturuar dhe i organizuar”, duke shtuar se nëse alarmi nuk do të ishte aktivizuar dhe policia nuk do të ishte njoftuar menjëherë, grabitësit mund të kishin vjedhur edhe objekte të tjera.
Pas grabitjes, autorët u larguan duke u ngjitur mbi një gardh dhe duke humbur gjurmët.
Vlera totale e pikturave të vjedhura vlerësohet në 9 milionë euro , me veprën “Les Poissons” që vlen 6 milionë euro – duke e bërë atë një nga vjedhjet më të rëndësishme të artit në Itali vitet e fundit.
Lini një Përgjigje