
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se Presidenti Donald Trump është “mjaft i interesuar” t’u bëjë thirrje vendeve arabe që të paguajnë kostot e luftës kundër Iranit. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Leavitt u pyet nëse shtetet arabe do të ndihmonin financiarisht në operacionin ushtarak amerikan kundër Iranit.
Ajo u përgjigj se kjo është një ide që Presidenti Trump e ka dhe se pritet të dëgjohet më shumë prej tij në të ardhmen.
“Është diçka për të cilën presidenti do të ishte mjaft i interesuar t’i thërriste ata ta bënin. Nuk dua të dal përpara tij, por është një ide që e di se ai e ka dhe diçka për të cilën mendoj se do të dëgjoni më shumë prej tij”, tha Leavitt.
Deklarata vjen në kontekstin e operacionit ushtarak “Operation Epic Fury” kundër Iranit, i cili ka hyrë në javën e tij të katërt. Shtëpia e Bardhë ka theksuar se bisedimet me Teheranin vazhdojnë dhe se ka progres, por njëkohësisht ka paralajmëruar se mund të ketë goditje më të forta nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Kjo qasje kujton modelin e Luftës së Gjirit në vitet ’90, kur disa vende arabe kontribuan financiarisht në kostot e operacionit të udhëhequr nga SHBA-të.
Presidenti Trump nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare të detajuar për këtë çështje, por Leavitt sugjeroi se mund të ketë zhvillime të mëtejshme së shpejti nga ana e tij.
Lini një Përgjigje