TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Korrik 2024, 22:31

Gjigantët e farmaceutikës në SHBA nuk paguajnë taksa, deklarohen enkas se po dalin me humbje

Shkruar nga Alessandro Lubello

Gjigantët e farmaceutikës në SHBA nuk paguajnë taksa,

Shtatë grupet kryesore farmaceutike aktive në Shtetet e Bashkuara në vitin 2023, jo vetëm që nuk paguanin taksa, por mund të mburreshin edhe me një rimbursim prej 250 milionë dollarësh.

Në Shtetet e Bashkuara, kompanitë e mëdha farmaceutike regjistrojnë një xhiro shumë të madhe, për shkak se ky vend ka çmimet më të larta të barnave në botë. Sipas disa vlerësimeve ato janë rreth 3 herë më të larta se në çdo vend tjetër.

Megjithatë, Brad Setser dhe Michael Weilandt, dy ekonomistë Këshilli i Çështjeve Ndërkombëtare për Marrëdhëniet me Jashtë (CFR), thonë se kjo nuk përkthehet në fitime që gjenerojnë taksa për autoritetet tatimore të SHBA-së. Përkundrazi, kompanitë raportojnë çuditërisht humbje.

Kështu në vitin 2023, Pfizer thotë se e mbylli bilancin e saj në Shtetet e Bashkuara me 4.4 miliardë dollarë humbje, AbbVie me 3.5 miliardë dollarë humbje, Merck me 15.6 miliardë, ndërsa Johnson & Johnson me 2 miliardë dollarë humbje.

Ndër kompanitë e mëdha farmaceutike amerikane, vetëm Eli Lilly regjistroi fitime, edhe pse modeste relativisht të vogla:900 milionë dollarë. Po si është e mundur që volume aq të mëdha shitjesh të sjellin humbje? Kompanitë janë të prirura të justifikohen, se çmimet e larta u japin mundësi të financojnë kërkimet e tyre të shtrenjta.

Por Setser dhe Weilandt shpjegojnë se si të gjitha shumëkombëshet e tjera, edhe kompanitë farmaceutike shfrytëzojnë rregullat (dhe boshllëqet) në regjimet tatimore, që fitimet e tyre të shfaqen në vendet ku taksat janë dukshëm më të ulëta apo edhe zero. Për shembull, AbbieVie, ia ka dalë të përqendrojë në Bermude të ardhurat nga ilaçi i saj fitimprurës Humira, ku nuk paguan asnjë taksë mbi fitimet e korporatave.

Kompania prodhon ilaçin Humira në Porto Riko, një territor që i përket Shteteve të Bashkuara, por që nuk përfshihet në llogaritjen e bazës tatimore për taksat që i duhen paguar Uashingtonit. Edhe filiali i saj në Puerto Riko, paguan honorare të mëdha për degën e AbbieVie në Bermude, ku përfundojnë 99 për qind e fitimeve (sipas të dhënave të vitit 2022).

Për këtë arsye, shtatë grupet kryesore farmaceutike aktive në Shtetet e Bashkuara në vitin 2023, jo vetëm që nuk paguanin taksa, por mund të mburreshin edhe me një rimbursim prej 250 milionë dollarësh. Dhe nuk ishte një vit i veçantë, shtojnë dy ekonomistët. Përkundrazi, nëse krahasohen të dhënat e vitit 2022 ose 2021, nuk ka dallime të rëndësishme.

Me përjashtim të Pfizer, e cila 2 vjet më parë nuk arriti të arkëtonte të ardhurat e mëdha të krijuara nga vaksina e saj kundër Covid-19 jashtë Shteteve të Bashkuara, ndoshta sepse zhvillimi i saj u financua edhe nga fondet publike nga Shtëpia e Bardhë.

Paradoksi është se një kompani si Novo Nordisk, e cila është bërë shumë e pasur falë ilaçit për rënien në peshë, Ozempic, paguan taksa në vendin e saj të origjinës, Danimarkë. Kompanitë farmaceutike zvicerane i paguajnë taksat në Zvicër, ato franceze në Francë. Nga ana tjetër amerikanët, përfitojnë nga një regjim tatimor që u lejon atyre t’i paguajnë taksat në Irlandë, Belgjikë, Bermude, Maltë ose Singapor.

Dhe problemi ka të bëjë me kompanitë shumëkombëshe në të gjithë sektorët. Për shembull Apple, paguan më shumë taksa jashtë vendit (kryesisht në Irlandë) sesa në Shtetet e Bashkuara. Sot Irlanda është eksportuesja më e madhe e barnave në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2023, ajo regjistroi një pjesë tregu që është sa dyfishi i asaj të Kanadasë, Kinës, Indisë dhe Meksikës. Ishujt Kajman dhe Ishujt e Virgjër Britanikë, janë eksportuesit më të mëdhenj të shërbimeve financiare në tregun amerikan, ndërsa Bermudet kryesojnë në sektorin e sigurimeve. Një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar i vitit 2017, tregoi se investimet e huaja në nivel global pas krizës së madhe të vitit 2008, nuk ranë kryesisht falë kapitalit që kalonte nëpër qendrat kryesore të shmangies së taksave.

Nuk ka dyshim se rasti i kompanive farmaceutike është i bujshëm, dhe do të kërkojë ndërhyrje nga qeveria amerikane. Megjithatë, Setser thekson se kjo anomali na tregon shumë mbi gjendjen aktuale të globalizimit. Vitet e fundit, kjo dukuri ka marrë hov pas suksesit të liderëve politikë nacionalistë dhe proteksionistë si dhe konflikteve tregtare midis fuqive të mëdha, veçanërisht midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Në realitet, specifikon Setser, globalizimi po rezulton jo pak rezistent:pavarësisht tarifave, ndalimeve dhe kërcënimeve të konfliktit, mallrat, shërbimet dhe kapitali vazhdojnë udhëtimin e tyre në rrugët globale. Por në thelb, dy janë fenomenet që e kanë shtrembëruar shumë ekonominë e globalizuar prej disa kohësh:nga njëra anë është Kina, e cila po e mbush botën me produkte (makina elektrike dhe teknologji të tjera të lidhura me tranzicionin e energjisë) pa stimuluar kërkesën e brendshme.

Nga ana tjetër ka shmangie të pagesës  së taksave nga kompanitë shumëkombëshe. Sipas një nisme të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në vitin 2015, një taksë minimale globale prej 15 për qind mbi fitimet e kompanive shumëkombëshe, po synon që ta zgjidhë këtë problem.

Por për momentin, s’mund të thuhet se ajo ka sjellë një ngadalësim të shmangies së taksave. Ata që janë të shqetësuar për ngadalësimin e globalizimit dhe që duan ta shpëtojnë atë nga luftërat tregtare dhe nacionalizmi, përfundon Setser, duhet të përpiqen të korrigjojnë disa shtrembërime./Përshtati "Pamfleti" nga “Internazionale”

Lini një Përgjigje