
Sulmet e reja në veri të Rripit të Gazës shkaktuan frikë për më të keqen. Trump me një qëndrim të prerë thotë se "armëpushimi do të vijojë, ndësa ka filluar Faza 2 "…
Pas 24 orësh frike për më të keqen, armëpushimi në Gaza është rikthyer në fuqi, edhe pse ushtria izraelite kreu një sulm të ri ajror dje në Rripin verior për t'iu kundërvënë një "kërcënimi të menjëhershëm".
Izraeli riktheu luftimet pas "bastisjeve të fuqishme dhe të menjëhershme" të së “martës së zezë” të urdhëruara nga qeveria e Benjamin Netanyahut, duke shënuar ditën më të përgjakshme që nga 10 tetori, data kur plani i paqes hyri në fuqi.
Sipas burimeve të Hamasit, të paverifikuara nga burimet izraelite, mbi 100 palestinezë kanë vdekur, përfshirë 52 fëmijë, raporte që OKB i quan "të tmerrshme".
Izraelitët raportojnë se rreth 30 nga komandantët e grupit terrorist janë vrarë, si një kundërpërgjigje për vrasjen e rezervistit Yona Efraim Feldbaum, 37 vjeç, i cili u qëllua nga një snajper palestinez gjatë një prite në zonën e Rafah, në Rripin jugor.
Izraeli e konsideroi vrasjen e rreshterit major një shkelje të marrëveshjeve, së bashku me organizimin nga Hamasi të kthimit të trupit të njërit prej 13 pengjeve të vdekur dhe vonesën në kthimin e trupave të të gjithë të rrëmbyerve.
Megjithatë, për Donald Trump, armëpushimi në Gaza "nuk është në rrezik". Presidenti amerikan, promovues i planit të paqes për të cilin ai pretendon se po "hyn në fazën e tij të dytë", beson se është "e drejtë" që Izraeli t'i përgjigjet çdo sulmi, por shpjegon se "asgjë nuk do ta rrezikojë" ndalimin e luftimeve. Me një kusht: që Hamasi të sillet siç duhet.
"Nëse nuk e bën, do të shfaroset", e ndërpret shkurt udhëheqësi amerikan, pavarësisht se kongresmenja republikane Marjorie Taylor Greene shprehu tmerrin e saj për vrasjen e fëmijëve palestinezë dhe foli për "krime lufte" izraelite në X.
Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme se rruga drejt paqes në Gaza do të jetë e mbushur me ditë si e marta, me sulme dhe reagime të mundshme, por Shtëpia e Bardhë mbetet e bindur se procesi do të vazhdojë nëse Hamasi respekton marrëveshjet e tij.
Dhe në këtë pikë, bashkëbiseduesi kryesor me grupin terrorist, Katari, po flet hapur.
Kryeministri Mohammed Al Thani pranon "shkeljen palestineze", por shpjegon se gjëja më e rëndësishme "është të sigurohet që marrëveshja të mos shembet".
Al Thani shpjegon se ndërmjetësit po bëjnë presion mbi Hamasin dhe fraksionet palestineze "që të njohin nevojën për t'u çarmatosur".
Kryeministri gjithashtu shfrytëzoi rastin për të drejtuar gishtin nga Izraeli, i cili "torturon dhe keqtrajton të burgosurit palestinezë" si Marwan Barghouti, "Mandela e Palestinës", lirimin e të cilit ai po kërkon, siç bëjnë edhe ish-udhëheqës ndërkombëtarë, përfshirë ish-presidenten irlandeze Mary Robinson dhe ish-presidentin kolumbian Manuel Santos, fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2016.
Komentet e Al Thanit erdhën menjëherë pas atyre të Ministrit izraelit Katz, i cili njoftoi një ndalim për Kryqin e Kuq që të vizitojë të burgosurit palestinezë sipas ligjit të "luftëtarëve të paligjshëm".
"Lejimi i vizitave," argumentoi ai, "do të dëmtonte seriozisht sigurinë shtetërore."
Sulmet e së martës kanë rritur sërish tensionet, jo vetëm midis Hamasit dhe Izraelit, por edhe brenda Izraelit. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se udhëheqësit e grupit terrorist "nuk do të gëzojnë asnjë imunitet" dhe kjo vlen si për "ata që veshin kostume elegante ashtu edhe për ata që fshihen në tunele".
Por ishte ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili gjithmonë e ka kundërshtuar marrëveshjen e armëpushimit, i cili iu drejtua Netanyahut, duke e akuzuar kryeministrin për “dobësi”, duke kritikuar “reagimin e tij të matur” pas sulmit dhe duke paralajmëruar se nëse qeveria do të “mjaftohej me deklarata sipërfaqësore fitoreje” pa eliminuar lëvizjen islamiste, “ajo nuk do të kishte më të drejtë të ekzistonte”. /Përshtatur nga Il Giornale/
Lini një Përgjigje