Gjeografia pesëshekullore dhe frika nga ndërhyrjet e jashtme diktojnë gjakftohtësinë strategjike të Teheranit, duke e bërë të parashikueshëm dështimin e çdo përpjekjeje amerikane për ta nënshtruar.
Pyetja që ka diktuar pjesën më të madhe të analizave serioze mbi Iranin gjatë 50 viteve të fundit është: Çfarë dëshiron Republika Islamike? Është një pyetje e arsyeshme, por jo ajo e duhura. Republika Islamike është 47-vjeçare.
Ndërkohë, Irani si entitet politik koherent dhe modern është pesëshekullor. Shkrirja e të dyjave në një të vetme ka prodhuar, për gati gjysmë shekulli, një politikë të dështuar të SHBA-së, marrëveshje të shembura dhe një luftë që pak kush e kishte parashikuar në formën e saj aktuale.
Pyetja më e dobishme është: Çfarë dëshiron Irani? Jo kjo qeveri, jo ky Udhëheqës Suprem, por vetë shteti, instinktet strategjike të të cilit u formësuan shumë përpara revolucionit dhe i kanë mbijetuar çdo ndryshimi sistemi.
Safavidët, Kaxharët, Pahlavët dhe Republika Islamike kanë vepruar të gjithë mbi të njëjtën trashëgimi gjeografike dhe historike. Qeveritë ndryshuan, por jo logjika. Pllaja iraniane rrethohet nga malet Zagros në perëndim dhe Alborz në veri, ndahet përgjysmë nga disa prej shkretëtirave më jomikpritëse në botë dhe ndodhet në udhëkryqin e Azisë Qendrore, Azisë Jugore dhe Lindjes së Mesme.
Çdo perandori e madhe tokësore ka dashur të ketë marrëdhënie me të. Çdo fuqi detare me ambicie në Oqeanin Indian është detyruar të përballet me ngushticën në skajin e saj jugor. Kjo gjeografi prodhoi një mësim të qëndrueshëm përgjatë dinastive: nuk mund ta sigurosh brendësinë duke mbrojtur vetëm brendësinë.
Sundimtarët që e kufizuan strategjinë e tyre brenda pllajës humbën pjesë të saj. Ata që u projektuan përtej saj, duke e kthyer pllajën nga një objektiv në një qendër force, rezistuan më gjatë. Hormuzi është pika ku kjo logjikë bëhet më e dukshme sot.
Përafërsisht një e pesta e furnizimeve globale të naftës kalon përmes kësaj ngushtice. Kur Irani e bllokoi kalimin pak javë më parë, tregjet e energjisë reaguan përpara se të ndalohej qoftë edhe një tanker i vetëm.
Pra, një vend pa armë bërthamore dhe pa një ushtri konvencionale të aftë për t’u përballur me Shtetet e Bashkuara mund ende të trondisë tregjet globale vetëm për shkak të pozicionit të tij gjeografik. Kjo është një trashëgimi gjeografike dhe nuk shembet me ndryshimin e një qeverie.
Tri bindje përshkojnë sjelljen strategjike iraniane, pavarësisht se kush e mban pushtetin.
Bindja e parë është se dobësia fton ndërhyrjen e të huajve. Traktati i Gulistanit në vitin 1813 dhe Traktati i Turkmençajit në vitin 1828 i hoqën Iranit territoret e tij në Kaukaz.
Konventa Anglo-Ruse e vitit 1907 e ndau vendin në sfera ndikimi pa u konsultuar fare me zyrtarët iranianë. Që nga ajo kohë, çdo qeveri iraniane i ka lexuar këto ngjarje si një paralajmërim strukturor. Një shtet që nuk mund të projektojë parandalim do ta shohë sovranitetin e vet të administrohet nga jashtë. Programi bërthamor, rrjeti rajonal dhe arsenali i raketave janë secili, në një mënyrë të vetën, kundërpërgjigje ndaj këtij paralajmërimi.
Bindja e dytë është se sovraniteti nuk është i negociueshëm. Revolta e duhanit në fillim të viteve 1890 dhe shtetëzimi i Kompanisë Anglo-Iraniane të Naftës në vitin 1951 nuk ishin episode të izoluara. Përkundrazi, ato ishin shfaqje të të njëjtit refleks në epoka të ndryshme.
Një kabllogram diplomatik amerikan i vitit 1976, ku ambasadori amerikan në Iran, Richard Helms, informonte Sekretarin e Shtetit, Henry Kissinger, e përshkruante saktësisht këtë logjikë: tensioni bërthamor ekziston për shkak të “mosdëshirës së Iranit për të pranuar ndonjë ndërhyrje të jashtme që mund të cenojë sovranitetin e tij”.
Kjo fjali do të tingëllonte njësoj edhe në raportet mbi negociatat bërthamore të viteve 2015, 2021 dhe 2026. Bindja e tretë është ajo që vazhdimisht është nënvlerësuar: Irani nuk e sheh veten si një fuqi thjesht rajonale.
Revolucioni i vitit 1979 zakonisht kornizohet në terma rajonalë fuqizimi i lëvizjeve politike shiite, riorganizimi i sigurisë në Gjirin Persik dhe shfaqja e Islamit politik si forcë qeverisëse.
Por efekti i tij i parë ishte global.
Brenda një viti, Irani kaloi nga të qenit një prej partnerëve strategjikë më të rëndësishëm të Uashingtonit në një shtet që ndiqte një rrugë të tretë mes superfuqive. Kriza e pengjeve ndryshoi politikën e brendshme amerikane për një gjeneratë.
Lufta Iran-Irak përfshiu shërbimet e inteligjencës dhe industritë e armëve të të dyja superfuqive, si edhe të pjesës më të madhe të Evropës. Dronët iranianë “Shahed” u përdorën më pas në një luftë evropiane.
Konflikti i këtij viti tronditi tregjet globale të energjisë, ndërpreu sigurimet e transportit detar në disa rrugë oqeanike dhe detyroi rillogaritje në çdo ekonomi që varet nga nafta e Gjirit - pra, shumicën e tyre.
Ish-Udhëheqësi Suprem, Ruhollah Khomeini, deklaronte se do ta eksportonte revolucionin në katër anët e botës. Dhe e kishte seriozisht. Dy deklarata, të ndara nga gjysmë shekulli, e bëjnë të qartë këtë vazhdimësi.
E para erdhi nga koloneli Mojtaba Pashaie, kreu i drejtorisë së Lindjes së Mesme në policinë sekrete iraniane gjatë viteve 1960, i cili shpjegonte arsyen pse shahu mbështeste partitë në Liban: “Ne duhet ta luftojmë dhe ta përmbajmë kërcënimin e Naserizmit në bregun lindor të Mesdheut për të parandaluar derdhjen e gjakut në tokën iraniane”.
E dyta erdhi nga Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, në janar 2016, para familjeve të ushtarëve të vrarë në Siri dhe Irak: “Nëse ata nuk do të kishin shkuar të luftonin armikun atje, armiku do të kishte hyrë brenda vendit. Ne do të duhej të luftonim me ta në Kermanshah dhe Hamedan”.
Pra, logjika është identike, edhe pse qeveritë ndryshojnë. Nga jashtë, orientimi perëndimor i shahut dukej si një shmangie nga ky model. Por nuk ishte. Ai kërkoi kapacitete bërthamore mbi të njëjtën logjikë si Republika Islamike, si edhe partneritet ushtarak me Izraelin.
Kur Uashingtoni ushtroi presion për masa mbrojtëse bërthamore që nënkuptonin mbikëqyrje të jashtme, ai rezistoi. Jo për arsye ideologjike, por sepse pranimi i një mbikëqyrjeje të tillë do të konfirmonte një status vartës që asnjë sundimtar iranian, në asnjë shekull, nuk ka qenë në gjendje ta pranojë.
I njëjti model është i dukshëm edhe sot. Në bisedimet me Pakistanin, Udhëheqësi Suprem Mojtaba Khamenei ua bëri të qartë zyrtarëve të pranishëm se Irani nuk do të negocionte sipas kushteve të vendosura nga të tjerët.
Uashingtoni dhe Tel Avivi hynë në konfliktin e këtij viti duke kërkuar diçka të kufizuar presion mbi programin bërthamor, raketat dhe rrjetin rajonal. Irani e zgjeroi menjëherë kornizën. Kur presioni ushtarak arriti një prag kritik, Teherani mbylli Hormuzin, duke e kthyer përballjen në një krizë ekonomike globale.
Sa herë që Uashingtoni vendos rregullat e lojës, Teherani ndryshon fushën e lojës.
Janë provuar sanksione gjithëpërfshirëse, sanksione të synuara, fushata vrasjesh, luftë kibernetike, mbështetje për grupet ndërmjetëse dhe veprime të drejtpërdrejta ushtarake. Të gjitha këto janë përdorur edhe më parë.
Asnjëra nuk prodhoi transformimin strategjik që premtohej. Përkundrazi, me një qëndrueshmëri që tashmë duhet trajtuar si e dhënë statistikore, ato prodhuan përshpejtim: zhvillim më të shpejtë bërthamor, një rrjet rajonal më të thellë dhe një sistem politik më të konsoliduar.
Prandaj, t’i kërkosh Iranit të çmontojë arkitekturën e vet të parandalimit nuk do të thotë t’i kërkosh Republikës Islamike të moderohet. Do të thotë t’i kërkosh Iranit të pranojë pikërisht kushtin që pesë shekuj përvojë historike e identifikojnë si burimin e katastrofës.
Asnjë qeveri iraniane nuk mund ta bëjë këtë, sepse dorëzimi do të konfirmonte mësimin themelor: dobësia fton ndërhyrjen. Në fakt, presioni që synon të prodhojë lëshime prodhon pikërisht sjelljen që ishte menduar të ndalte.
Kissinger kaloi vite duke menaxhuar Vietnamin përpara se të kuptonte se vietnamezët e Veriut po luftonin për diçka krejt tjetër nga ajo që ai kishte supozuar: kohën, qëndresën dhe erozionin gradual të vullnetit politik amerikan.
Teherani operon mbi të njëjtën logjikë. Irani nuk po përpiqet ta fitojë këtë raund. Ai po përpiqet të mbetet i qëndrueshëm derisa Shtetet e Bashkuara të kenë nevojë për një rrugëdalje. Gabimi i Kissingerit në Vietnam nuk ishte përshkallëzimi, por supozimi se pala tjetër ndante të njëjtin përkufizim të fitores.
Sot administrata Trump përballet me të njëjtën rrugë pa krye: ajo nuk mund t’i japë fund konfliktit me kushte që mund t’i mbrojë politikisht brenda vendit dhe nuk mund të tërhiqet pa një kornizë që Teherani aktualisht refuzon ta ofrojë.
Sa më gjatë të zgjasë përballja, aq më shumë dhimbja përhapet përtej Iranit - te tregjet e naftës, transporti detar, zinxhirët e furnizimit dhe ekonomitë që varen nga stabiliteti në Gjirin Persik. Hormuzi nuk dëmton vetëm Iranin.
Rreziku i përhapjes bërthamore është real. Rrjeti rajonal ka prodhuar dhunë reale. Një korrigjim analitik nuk i zhduk këto shqetësime. Ajo që ndryshon janë kushtet në të cilat ato mund të adresohen.
Një marrëveshje që ofron garanci sigurie, që e trajton Iranin si një palë me interesa legjitime parandaluese dhe jo si një problem që duhet menaxhuar, dhe që nuk kërkon nga Teherani të pranojë një status vartës që historia e tij e bën të papranueshëm, ka gjasa të mbijetojë.
Ndërsa një marrëveshje që i kërkon Iranit të pranojë kushte që i ka refuzuar në çdo shekull të historisë së tij moderne nuk do të funksionojë, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet. Sepse asnjë qeveri iraniane nuk mund të ofrojë atë që logjika e saj strategjike e ndalon.
Vështirësia aktuale e Uashingtonit nuk është mungesa e një bashkëbiseduesi në Teheran. Problemi është se ai vazhdon ende të bëjë pyetjen e gabuar./Përshtati "Pamfleti", nga “Foreign Policy”
Lini një Përgjigje