Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë propozimin e Kremlinit për të zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
Në një konferencë me gazetarët, Zelensky tha se Putin mund të vijë në Kiev nëse do të guxojë.
"Është absolutisht e pamundur për mua të takohem me Putinin në Moskë. Kjo do të ishte njësoj si të takohesha me Putinin në Kiev. Mund ta ftoj po aq mirë në Kiev, le të vijë. Po e ftoj publikisht, nëse guxon, sigurisht.”, tha ai.
Zelensky tha gjithashtu se është në gatishmërinë për një takim në një format më të përshtatshëm.
“Gjithmonë kam thënë se jam gati për çdo format që synon t’i japë fund luftës dhe që funksionon vërtet. Por në Moskë ose në Bjellorusi, kjo është thjesht e pamundur dhe është absolutisht e qartë pse: sepse njëri nga këto vende është agresori që filloi dhe po zhvillon luftën kundër nesh, duke na vrarë, ndërsa vendi tjetër është partneri i tij në këto veprime.”, tha presidenti ukrainas.
Ndër të tjera, presidenti u shpreh se nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare armëpushimi mbi sulmet mbi objektivat energjetike midis Ukrainës dhe Rusisë.
Ai thotë se vendimi, të cilin Ukraina e beson se është një mundësi dhe jo një marrëveshje e plotë, ishte një iniciativë e propozuar nga SHBA-të dhe personalisht nga Donald Trump.
Sipas Zelenskyt, Ukraina do jetë gati teknikisht që t'i bashkohet BE-së, pavarësisht kundërshtimit nga disa liderë europianë.
Ndërkohë Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të enjten se presidenti rus, Vladimir Putin ka pranuar të mos kryejë sulme ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera për një javë, për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta në Ukrainë.
Deklarata vjen në një kohë kur Rusia ka përdorur prej vitesh si taktikë goditjen e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, veçanërisht gjatë dimrit, në luftën që po shkon drejt vitit të katërt.
“Personalisht i kërkova presidentit Putin të mos qëllojë Kievin dhe qytete të tjera për një javë dhe ai ra dakord”, tha Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit, duke përmendur “të ftohtin e jashtëzakonshëm” në rajon.
“Ishte shumë mirë. Shumë njerëz më thanë: ‘Mos e humb thirrjen, nuk do ta marrësh këtë’. Por ai e bëri”, shtoi Trump.
Rusia nuk ka komentuar deri tani për ndonjë armëpushim apo pauzë të sulmeve.
Po ashtu, deklaratat e Trump nuk sqarojnë se cilat “qytete dhe qyteza” të tjera mund të përfshihen në këtë ndalim të përkohshëm të sulmeve.
Temperaturat tashmë të ulëta në zonën e Kievit pritet të bien ndjeshëm duke nisur nga e premtja. Parashikimet flasin për temperatura nate nën -20 gradë Celsius për katër ditë radhazi, duke filluar nga e shtuna.
Lini një Përgjigje