
Vendet e Perëndimit kanë dënuar zgjedhjet presidenciale ruse, duke i cilësuar si jo të lira dhe të ndershme.
“Këto zgjedhje nuk ishin të lira e të ndershme. Vëzhguesit e OSBE-së mungonin dhe ato u mbajtën nën një ambient të karakterizuar nga intimidimi”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
Ndërsa Olaf Scholz e quajti procesin një “pseudo-zgjedhje”, i mbajtur nën kujdesin e një sundimtari autoritar që mbështetet tek censura, represioni dhe dhuna.
Sekretari britanik i Punëve të Jashtme, David Cameron dënoi mbajtjen e zgjedhjeve në territoret e aneksuara të Ukrainës.
Edhe ministrat e Jashtëm të Letonisë dhe Lituanisë kritikuan procesin, duke theksuar se ai nuk ka asgjë të ngjashme me një proces zgjedhor.
Nga Kievi, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se “diktatori rus simuloi një tjetër zgjedhje”.
Ndërkohë, nga Pekini, qeveria kineze ishte e vetmja që uroi Putin për 6 vitet e tjera në krye të Kremlinit.
Komisioni zgjedhor i dha Putinit një fitore dërrmuese prej 87,28% të votave, një rezultat rekord që vëzhguesit thonë se ishte i mundur vetëm përmes forcës, shtypjes dhe mashtrimit.
Pjesëmarrja në votime u vlerësua zyrtarisht në 77,44%.
Lini një Përgjigje