TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Qershor 2024, 14:58

Fitorja e nacionalistëve këtë fundjavë, mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme në Gjermani dhe Francë

Shkruar nga David Carretta

Fitorja e nacionalistëve këtë fundjavë, mund të

Gjermania dhe Franca, janë dy vendet anëtare më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, dhe të hënën e javës së ardhshme rrezikojnë të përjetojnë një tërmet politik në shkallë kombëtare, pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve evropiane.

Në Gjermaninë e goditur nga përmbytjet dramatike ditët e fundit, një foto bëri xhiron e rrjeteve sociale. Në mesin e një rruge të përmbytur, me në sfond një makinë gjysmë të zhytur në ujë, shihej një poster elektoral i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ku shkruhej:”Industria e automobilave, në vend të histerisë mbi ndryshimin e klimës”.

A do të mjaftojë dëmi i shkaktuar në Bavari, i cili ndodh më pak se 3 vjet pas përmbytjeve edhe më dramatike në Gjermaninë Veriore, për t’i kujtuar votuesve urgjencën e zbatimit të Marrëveshjes së Gjelbër, dhe për t’u distancuar nga mohuesit e ndryshimit të klimës?

Në Francë, kryeministri i ri Gabriel Attal, vendosi të angazhohej drejtpërdrejt në fushatën elektorale. Ai u shfaq nëpër mitingje dhe është shumë aktiv në platformën X, pasi presidenti Emmanuel Macron ia besoi listën e tij zgjedhore Valerie Hayer, një kandidateje tejet teknokrate.

Me këtë aktivizim, ai po mundohet të garantojë mbështetje për kandidatët e partisë së tij përballë karizmës populiste të liderit të Tubimit Kombëtar të së djathtës ekstreme, Jordan Bardella. Por a do të mjaftojë popullariteti i Attal për ta shpëtuar partinë e Macron nga poshtërimi, përballë së djathtës ekstreme të Marine Le Pen?

Gjermania dhe Franca, janë dy vendet anëtare më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, dhe të hënën e javës së ardhshme rrezikojnë të përjetojnë një tërmet politik në shkallë kombëtare, pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve evropiane.

Ndërsa sytë e të gjithëve janë në Bruksel dhe tek shifrat që do të përcaktojnë shumicën e ardhshme në Parlamentin Evropian, pikërisht në kryeqytetet kombëtare rritja e madhe e nacionalistëve rrezikon të shkaktojë edhe efektet më të rënda. Në Francë situata duket e dëshpëruar për Macron dhe listën e tij “Besoin d’Europe” (Nevoja për Evropën).

Sipas një sondazhi të publikuar së fundmi nga Le Monde, Tubimi Kombëtar i dyshes  Bardella-Le Pen renditet me 33 për qind të votave, ose mbi 2 herë më shumë sesa lista e Macron që ka ngecur në 16 për qind. “Besoin d'Europe” pasohet nga Partia Socialiste e drejtuar nga Raphaël Glucksmann me 14.5 për qind.

Me 5 për qind që figuron partia tjetër radikale e Marion Maréchal dhe Éric Zemmour, e djathta ekstreme mund të afrohet 40 për qind. Sipas kolumnistit të Le Figaro, Nicolas Baverez, përballë rezultateve të ngjashme do të ketë vetëm një zgjidhje për të shmangur paralizën politike dhe institucionale:”T'i drejtohemi zgjedhjeve të reja”.

Asambleja Kombëtare duhet të shpërndahet, siç e kërkon edhe Marine Le Pen, pavarësisht rrezikut të zhytjes së Francës në një regjim bashkëjetese mes presidentit Macron dhe një qeverie të ekstremit të djathtë. Në Gjermani, AfD është goditur nga skandale të përsëritura. Në fillim të këtij viti, kur sondazhet e rendisnin me thuajse me 25 për qind të votave, ajo pësoi një hemorragji përballë partisë së re të ekstremit të majtë Sahra Wahenknecht Aleance, pro-ruse dhe kundër emigrantëve. Por akuzat për neo-nazizëm, spiunazh për llogari të Kinës apo të qenit në listën e pagave e Rusisë nuk e kanë fundosur AfD-në.

Sondazhet e fundit, e mbajnë partinë e ekstremit të djathtë në vendin e dytë me 16 për qind, pas CDU-CSU, por përpara 3 partive që formojnë koalicionin e Scholz, SPD, të Gjelbërit dhe liberalët e FDP. Scholz mund të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme federale, të caktuara për 26 tetor 2025, por shkalla e mosmarrëveshjes brenda koalicionit, tashmë e lartë, rrezikon që të rritet më tej.

Në dy vende të tjera themeluese, Holandë dhe Belgjikë, partitë nacionaliste janë në prag të shkaktimit të tërmeteve kombëtare. Në Hagë, pas fitores së tij në zgjedhjet e nëntorit 2023, lideri islamofob Geert Ëilders arriti më në fund një marrëveshje me 3 parti të tjera të krahut të djathtë për formimin e një qeverie jashtëparlamentare, e cila duhet të jetë gati deri në fund të këtij muaji.

Marrëveshja e koalicionit e nënshkruar në maj, tregon një gjurmë të qartë të së djathtës ekstreme mbi çështje të tilla si emigrantët, Marrëveshjen e Gjelbër dhe marrëdhëniet me BE-në. Në vend të rënies së mbështetjes, negociatat e gjata i dhanë mundësi Wilders të fitonte terren në sondazhet përpara zgjedhjeve evropiane.

Në Belgjikë, ku bashkë me evropianet zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare dhe rajonale, një tërmet nacionalist pritet më shumë në Antwerp sesa në Bruksel:e djathta ekstreme flamande, Vlaams Belang, mund të bëhet partia kryesore e vendit.

Në një sistem federal, hyrja e kësaj partie në qeveri edhe vetëm në Flandër, rrezikon që ta paralizojë Belgjikën. Të hënën e javës së vjen, Macron mund ta shohë veten të mundur dhe të delegjitimuar në një referendum që e kërkoi vetë.

Scholz do të dobësohet më tej. Wilders do konfirmohet si dominues i jetës politike dhe institucionale holandeze. Belgjika është në prag të një krize të rëndë politike. Pra fitorja e pritshme e nacionalistëve në zgjedhjet evropiane, mund të destabilizojë më shumë vendet themeluese sesa vetë BE-në./Përshtati 'Pamfleti', nga “Il Foglio”

fitorja e nacionalistëve zgjedhje të parakohshme gjermani dhe francë

Lini një Përgjigje