FBI po heton thellësisht ngjarjen e rëndë që ka tronditur SHBA-të, ndërsa është zbuluar emri dhe fotoja e atentatorit të ish-presidentit Donald Trump.
Mediat e huaja shkruajnë se bëhet fjalë për 20 vjeçarin Thomas Matthew Crooks. Në media është publikuar edhe kjo foto e të riut që plagosi Trump.
Ky i fundit qëlloi disa herë në drejtim të Trump duke e plagosur në njërin vesh. Ngjarja ndodhi në Pensilvani, atje ku Trump po mbante fjalimin e tij para zgjedhësve. Autori i plagosjes u vra menjëherë nga forcat e Shërbimit Sekret.
Footage of Donald Trump’s shooter Thomas Matthew Crooks opening fire and then getting killed seconds later surfaces pic.twitter.com/2ctMtIkwUs
— Kollege Kidd Media (@KKMediaTingz) July 14, 2024
Mësohet se të plagosur kanë mbetur dhe dy persona të tjerë, ndërsa Trump ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për atentatin ndaj Donald Trump, ka reaguar Presidenti aktual i SHBA Joe Biden.
2 orë pas ngjarjes, Biden u shpreh se “Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune. Është çmenduri! Nuk mund ta lejojmë të ndodhë…”
“Jill dhe unë jemi falënderues që Shërbimi Sekret u kujdes për sigurinë e tij. Lutem për Trump! Ne duhet ta dënojmë këtë dhunë si komb”, tha ai më tej.
Incidenti po hetohet si atentat, sipas njoftimeve të mediave, dhe mund të intensifikojë dhe komplikojë më tej garën presidenciale.
Trump konfirmoi në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të mediave sociale, se autori i sulmit u vra, ashtu si edhe një pjesëmarrës në tubim. Dy persona të tjerë janë plagosur, sipas një deklarate të Shërbimit Sekret.
Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e zbatimit të ligjit për punën e tyre.
“Çka është më e rëndësishme”, tha ai, “dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e personit që u vra, si dhe për familjen e një personi tjetër që u plagos rëndë. Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë”.
Në veshin e majtë dhe në fytyrën e ish-presidentit dukeshin shenja gjaku pas atyre që u dukën se ishin të shtëna e që vinin nga një drejtim i panjohur.
Kur po largohej, ai ngriti një grusht drejt turmës, e cila thërriste: “SHBA, SHBA”.
Sulmi erdhi pas një dite të ngjeshur fushatash për zotin Trump dhe ish-Presidentin Joe Biden në garën presidenciale të 2024-ës.
Zyrtarët e fushatës së ish-presidentit Donald Trump thanë në një deklaratë se ai ishte mirë me shëndet.
“Presidenti Trump falenderon forcat e rendit dhe reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë gjatë këtij akti të urryer”, tha zëdhënësi Steven Cheung në një deklaratë. “Ai është mirë dhe po kontrollohet në një institucion mjekësor lokal. Më shumë detaje do të jepen në vazhdim”.
Shërbimi Sekret tha në një deklaratë se “ish-presidenti ishte jashtë rrezikut për jetën” dhe se çështja tashmë ishte nën hetim aktiv. Po kështu shtoi se informacione të mëtejshme do të publikohen kur të jenë të disponueshme.
Sulmi ndaj Trump ishte përpjekja më serioze për të vrarë një president ose kandidat presidencial që nga atentati ndaj Ronald Reganit në vitin 1981.
Ky atentat vjen në një atmosferë thellësisht të polarizuar politike, vetëm katër muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe disa ditë përpara se Trump të marrë zyrtarisht emërimin si kandidati i partisë së tij në Kuvendin Republikan. Fushata e tij tha se Kuvendi do të mbahej siç ishte planifikuar.
Lini një Përgjigje