
Pentagoni ka konfirmuar se dokumentet ushtarake përmbajnë materiale të ndjeshme dhe shumë të klasifikuara, por departamenti i mbrojtjes ka anashkaluar pretendimet mbi vërtetësinë e dokumenteve...
Një seri dokumentesh që pretendojnë se përmbajnë informacione shumë të klasifikuar të Pentagonit në lidhje me luftën në Ukrainë dhe spiunimin e aleatëve të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, janë shfaqur në internet javët e fundit.
Pentagoni ka konfirmuar se dokumentet ushtarake përmbajnë materiale të ndjeshme dhe shumë të klasifikuara, por departamenti i mbrojtjes ka anashkaluar pretendimet mbi vërtetësinë e dokumenteve.
Por çfarë përmbanin dokumentet e klasifikuara sekrete të Inteligjencës amerikane?
-Forcat speciale perëndimore aktive në Ukrainë
Një dokument sekret ushtarak sugjeronte se 97 persona të forcave speciale nga vendet e NATO-s ishin aktivë në Ukrainë gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti.
Mediat, përfshirë “BBC” dhe “The Guardian”, raportuan se një dokument i datës 23 mars 2023, tregon se më shumë se gjysma e forcave speciale perëndimore të dislokuara në Ukrainë janë nga Mbretëria e Bashkuar.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë paralajmëroi të martën se do të marrë masa ndaj akuzave të pa baza të përfshira në dokumentet e informacionit të klasifikuar të SHBA-së.
Forcat speciale të Mbretërisë së Bashkuar kryen trajnime me forcat ushtarake ukrainase në vitin 2021. Megjithatë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka bërë të ditur publikisht nëse forcat speciale kanë qenë aktive në vend që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Sipas dokumenteve të zbuluara, Letonia – një vend me një popullsi prej më pak se dy milionë banorë – kishte 17 ushtarë, numri i dytë më i madh i forcave speciale të dislokuara në Ukrainë nga vendet e NATO-s. SHBA dhe Franca kishin përkatësisht 14 dhe 15 efektivë të forcave speciale në Ukrainë, ndërsa Holanda vetëm një.
Dokumenti thuhet se nuk tregon se ku ndodhen forcat e supozuara të dislokuara ose çfarë po bëjnë ata. Gjithashtu është e paqartë nëse numri i personelit është mbajtur në këtë nivel.
-Serbia ka pranuar të armatosë Ukrainën
Sipas një dokumenti tjetër të zbuluar të Pentagonit, i datës 2 mars, Serbia, e cila ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ka rënë dakord të furnizojë me armë Kiev dhe mund t'i ketë dërguar ato tashmë.
Dokumenti përmbledh përgjigjet e qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake ndihma ose armë. Ai dokument u emërtua NOFORN, që do të thotë se nuk lejohej të shpërndahej tek shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtarakët.
Në dokument thuhej gjithashtu se Serbia nuk pranoi të ofrojë trajnime për forcat ukrainase. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milos Vuçeviç hodhi poshtë të mërkurën raportet se Beogradi ka rënë dakord të furnizojë me armë Kievin ose se i ka dërguar ato tashmë. Duke e quajtur informacionin “të pavërtetë”. “Serbia nuk i shet armë, as nuk do t'i shesë armë palës ukrainase apo ruse, as vendeve që e rrethojnë atë konflikt”, tha ai.
Serbia, e cila mbështetet tek Rusia për energjinë e saj, ka kërkuar të ruajë ambicien e saj për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian, duke ruajtur marrëdhëniet e saj me Rusinë që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.
-Egjipti mohon furnizimin e Rusisë me armë
Një dokument i zbuluar, i datës 17 shkurt dhe i marrë nga “The Washington Post”, dukej se tregonte se Egjipti planifikonte të furnizonte Rusinë me raketa dhe municione.
Sipas dokumentit të klasifikuar, presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi thuhet se ka udhëzuar zyrtarët që të mbajnë sekret prodhimin dhe dërgesën "për të shmangur problemet me Perëndimin".
Egjipti është një nga përfituesit kryesorë në botë të ndihmës ushtarake të SHBA-së, duke marrë 1.3 miliardë dollarë financim ushtarak çdo vit. Një zyrtar shtetëror egjiptian i paidentifikuar e quajti dokumentin "absurditet informativ" dhe tha se Egjipti ndjek një "politikë të balancuar" me të gjitha palët ndërkombëtare, sipas medias shtetërore, “Al Qahera News”.
-Çfarë ka zbuluar tashmë rrjedhja e dokumenteve “top sekrete”?
Disa dokumente duket se zbulojnë taktikat e spiunazhit të SHBA-së në lidhje me luftën në Ukrainë.
Nëse vërtetohen si autentike, ato tregojnë se SHBA-ja kishte monitoruar thirrjet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me zyrtarë të mbrojtjes dhe ushtarakë. Ato zbulojnë gjithashtu dobësi të dukshme në sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe madhësinë e batalioneve ushtarake.
Ata gjithashtu sugjerojnë se SHBA kishte depërtuar në forcat ushtarake ruse dhe Grupin Wagner, një organizatë mercenare, shumë më tepër nga sa kuptohej më parë.
Një tjetër dokument i supozuar shumë i klasifikuar i Pentagonit zbulon se operativët rusë po ndërtonin një marrëdhënie më të ngushtë me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), të cilat kanë instalime të rëndësishme ushtarake amerikane. Emiratet e Bashkuara Arabe hodhën poshtë akuzat, duke i quajtur ato "kategorikisht të rreme".
Rrjedhjet e tjera kanë të bëjnë me pretendimet se liderët e Koresë së Jugut hezitonin të dërgonin predha artilerie në Ukrainë dhe se shërbimi spiun i Izraelit, Mossad kundërshtoi reformën e propozuar të kryeministrit Benjamin Netanyahu të gjyqësorit.
Analistët e inteligjencës amerikane besuan se një paradë ushtarake e fundit në Korenë e Veriut "ndoshta e tejkalon" kërcënimin që raketat e saj balistike ndërkontinentale (ICBM) paraqesin për Shtetet e Bashkuara, sipas një dokumenti tjetër të zbuluar.
-Por nga ku rrodhën informacionet sekrete të Pentagonit?
Rrjedhja mund të ketë nisur në një faqe të quajtur Discord, një platformë e mediave sociale e njohur me njerëzit që luajnë lojëra online.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim për ngjarjen. Zyrtarët e lartë amerikanë e pranojnë publikisht se ende po përpiqen të gjejnë përgjigje.
“Ata ishin diku në ueb, ku dhe kush kishte akses në atë pikë, ne nuk e dimë. Ne thjesht nuk e dimë”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
-Cila ka qenë përgjigja e SHBA-së?
Pentagoni ka filluar një rishikim të brendshëm për të vlerësuar ndikimin e rrjedhjeve në sigurinë kombëtare. Zyrtarët po monitorojnë gjithashtu nga afër se ku po postohen dokumentet.
Ndërkohë Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka hapur një hetim penal për mënyrën se si u morën dhe u zbuluan dokumentet e klasifikuara.
Drejtori i CIA-s, William Burns të martën e quajti rrjedhjen e dokumenteve "për të ardhur keq".
"Është diçka që qeveria amerikane e merr jashtëzakonisht seriozisht. Pentagoni dhe Departamenti i Drejtësisë kanë nisur tani një hetim mjaft intensiv për të arritur në fund të kësaj", tha ai në një fjalim në Universitetin Rice./Përshtati “Pamfleti”nga “Aljazeera”
Lini një Përgjigje