
Rendi i pohimeve dhe rendi i demanteve për eksportin e armëve serbe në Ukrainë - ndërrohen kur eksporti i armëve në Ukrainë përmendet publikisht në Serbi.
Informacione sporadike dhe të pjesshme rreth armëve të prodhuara në Serbi që përdoren nga forcat ukrainase u konfirmuan nga një raport i Pentagonit ku thuhej se Serbia është pajtuar të armatosë Ukrainën.
“Serbia nuk i ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse”, ishte reagimi i parë nga ana e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviç.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se ata nuk kanë njohuri që Serbia i shet armë Ukrainës.
Megjithatë, nuk përjashtoi mundësinë që armët nga Serbia janë gjetur në luftën në Ukrainë.
Çfarë dihet?
Agjencia Reuters njoftoi më 12 prill se Serbia ka pranuar të dërgojë armë në Kiev ose i ka dërguar tashmë ato.
Reuters e publikoi informacionin bazuar në atë që ka parë në një dokument konfidencial të Pentagonit. Ai është pjesë e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara, të publikuara në internet javët e fundit.
Mediat thonë se mund të jetë zbulimi më serioz i sekreteve amerikane në vitet e fundit. Reuters nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur autenticitetin e dokumentit.
Sipas BBC-së, zyrtarët e Pentagonit kanë theksuar se ekziston mundësia që disa dokumente të jenë “ndryshuar”.
I titulluar “Evropa - Përgjigjja ndaj konfliktit aktual Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “qëndrimet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane, si përgjigje ndaj kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.
Në grafikë thuhej se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por u zotua të dërgonte ndihmë vdekjeprurëse ose e kishte dërguar tashmë atë. Gjithashtu, aty theksohet se Serbia ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
Çfarë dihet - reagimet nga Serbia?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 13 prill, deklaroi se “Serbia nuk ka eksportuar dhe nuk do të eksportojë armë në Ukrainë”, si dhe se “nuk ka eksportuar dhe nuk do të eksportojë” municione as në atë vend dhe as në Rusi.
“Nuk ekziston asnjë letër që do të tregonte diçka të tillë”, tha Vuçiç.
Presidenti Vuçiç theksoi se është “krejtësisht e sigurt” se municionet serbe do të shfaqen “në njërën apo tjetrën anë të fushëbetejës” në Ukrainë, ndonëse ato janë eksportuar në Turqi, Spanjë apo në Republikën Çeke.
Presidenti serb tha se fabrikat e industrisë së armatimit të Serbisë kanë kontrata qindra milionë euro për eksportin e armëve dhe municionit dhe se nuk do të heqin dorë nga to.
“Ne do të vazhdojmë të investojmë në prodhim dhe në fabrika, si dhe do të vazhdojmë të eksportojmë aty ku lejohet. Ata shohin një granatë (në Ukrainë), një plumb. Dhe çfarë, ku të paraqiten? Ka disa zona lufte në botë. Municioni përdoret në luftëra për të vrarë njerëz”, tha Vuçiç.
Ai përsëriti se Serbia është ushtarakisht neutrale dhe nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim.
Më herët, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, gjithashtu deklaroi se “Serbia nuk i ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse, as vendeve që janë përreth atij konflikti”.
“Qëllimi i dukshëm i dikujt është që të destabilizojë vendin tonë dhe ta tërheq atë në një konflikt, në të cilin ne nuk duam të marrim pjesë”, tha Vuçeviç në një deklaratë me shkrim, më 12 prill.
Vuçeviç, megjithatë, nuk e përjashtoi mundësinë që disa armë, siç tha ai, “në një mënyrë magjike”, mund të gjenden në territorin e konfliktit.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, gjithashtu hodhi poshtë pohimet për dërgimin e armëve në Ukrainë. Zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq, në një deklaratë me shkrim, përsëriti se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, asnjë armë nuk është eksportuar nga Serbia për asnjërën nga palët në konflikt.
Nga Ambasada amerikane në Serbi thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund t’i komentojnë informacionet e supozuara konfidenciale, por shtuan se “sipas njohurive tona, Serbia nuk i shet armë Ukrainës".
Ambasada e Ukrainës në Serbi i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione për dërgimin e armëve nga Serbia në Ukrainë. Ata thanë se bazohen në deklaratat e deritashme publike të zyrtarëve serbë për këtë temë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e informoi publikun, pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, se Serbia nuk do të eksportojë armë për asnjërën nga palët në konflikt.
Gjithashtu, ai shpesh përkujtonte se Serbia e dënon pushtimin, por nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Në deklaratat e tij, Vuçiç ka lënë hapësirë që kjo, megjithatë, të ndodhë për shkak të presionit perëndimor ndaj Serbisë, e cila tradicionalisht mban marrëdhënie të mira me Rusinë.
Nga ana tjetër, Kremlini tashmë ka drejtuar vëmendjen kah Beogradi zyrtar, për shkak të akuzave të mëparshme për armët serbe.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, Vuçiç është përpjekur të balancojë lidhjet e ngushta me Moskën, me synimin për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Serbia është e vetmja, në mesin e 44 vendeve në Evropë, që refuzon vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. /REL
Lini një Përgjigje