Nafta po bie, por mosbesimi mbetet mes Uashingtonit dhe Teheranit. Trump kërkon marrëveshje pa krijuar përshtypjen e një tërheqjeje amerikane…
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur një marrëveshje paraprake lidhur me përfundimin e konfliktit të tyre në Lindjen e Mesme. Megjithatë, rruga përpara mbetet ende e gjatë, theksojnë diplomatët, pasi për të kaluar në fazën e finalizimit nga të dyja palët do të nevojiten edhe disa ditë të tjera. Pasi të kalojnë këto ditë, do të nisë një periudhë 60-ditore gjatë së cilës marrëveshja e paqes do të zbatohet në terren.
Tregjet, ndonëse me kujdes, reagojnë pozitivisht: çmimi i naftës Brent ka rënë nën “pragun psikologjik” të 100 dollarëve për fuçi, ndërsa aksionet e indeksit S&P500 kanë shënuar një rritje të lehtë.
Marrëveshja mes dy palëve përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, si dhe një angazhim publik të Iranit se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe se do të dorëzojë uraniumin e pasuruar që zotëron, duke mbyllur objektet e pasurimit. Megjithatë, në asnjërin prej këtyre tre rasteve nuk është vendosur ende mënyra konkrete e zbatimit. Pikërisht këtu duket se kanë ngecur negociatat.
Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump deklaronte se “marrëveshja do të shpallet së shpejti”, ndërsa dje tha se “nuk po nxitojmë”.
Ndërkohë, në SHBA ka shpërthyer debat politik lidhur me faktin nëse marrëveshja përbën tërheqje amerikane. Disa demokratë flasin madje për “dorëzim”. Për këtë arsye, Trump po tregohet shumë i kujdesshëm në mënyrën se si do të komunikohet dhe do të perceptohet marrëveshja.
“Mos dëgjoni humbësit. Marrëveshja që do të bëj unë është më e mirë se ajo e Obamës”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Tri “pengesat”
Rruga drejt finalizimit të marrëveshjes duket më e gjatë, pasi palët bien dakord në parim për çështjet kryesore, por përplasen në detajet më sensitive.
Kontrolli i Ngushticës së Hormuzit
Sa i përket rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, ekziston një mosmarrëveshje e qartë. Edhe pse të dyja palët pranojnë se marrëveshja e paqes duhet të çojë në rihapjen e korridorit strategjik për transportin global të naftës, nuk kanë rënë dakord se kush dhe si do ta kontrollojë atë. Irani e konsideron të vetëkuptueshme dhe “të drejtë legjitime” ruajtjen e kontrollit të plotë mbi ngushticën. Kjo është bërë e ditur nga burime pranë ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Për SHBA-në kjo nuk do të ishte problem, nëse rrjedhjet mbi marrëveshjen nuk interpretoheshin në Uashington si “dorëzim” ndaj Iranit. Trump këmbëngul se marrëveshja “nuk do të jetë si ajo e Obamës” dhe se nuk do t’i japë para apo burime të tjera Iranit. Nga ana tjetër, media lokale iraniane citon një zyrtar ushtarak, këshilltar të liderit suprem Mojtaba Khamenei, i cili deklaron se Irani “ka të drejtë legjitime të menaxhojë ngushticën”. Për Teheranin kjo nuk është çështje prestigji, por mbijetese ekonomike. Irani ka nevojë për kontrollin e Hormuzit për të siguruar të ardhura jetike. Pyetja mbetet: kush do të tërhiqet?
Uraniumi i pasuruar dhe objektet bërthamore
Një tjetër pengesë lidhet me uraniumin e pasuruar dhe objektet e pasurimit të uraniumit. Të gjitha palët e kuptojnë se moszhvillimi i armëve bërthamore nga Irani është “vijë e kuqe” dhe kusht i panegociueshëm për Izraelin. Këtë e ritheksoi edhe kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë telefonatës së fundit me Trump, duke marrë garancitë që kërkonte. Sipas informacionit të publikuar, Irani ka pranuar në parim të dorëzojë të gjithë uraniumin e pasuruar dhe të shkatërrojë objektet që lidhen me zhvillimin e armëve bërthamore. Problemi qëndron te mënyra e realizimit të këtij procesi.
Teherani ka përvojë nga marrëveshja e mëparshme bërthamore, e njohur si “marrëveshja e Obamës”, ku inspektorë ndërkombëtarë monitoronin programin bërthamor iranian për qëllime paqësore dhe mbikëqyrnin menaxhimin e materialeve të ndjeshme.
Administrata Trump kërkon që uraniumi i pasuruar t’u dorëzohet drejtpërdrejt autoriteteve amerikane, të cilat do ta transportojnë atë në territorin amerikan. Trump kërkon gjithashtu që inspektorët që do të monitorojnë çmontimin e programit bërthamor të jenë amerikanë, pasi beson se komisionet ndërkombëtare janë mashtruar në të kaluarën. Për Teheranin, një procedurë e tillë duket si dorëzim i një pale të mundur në luftë dhe është shumë e vështirë të pranohet.
Deklarata për moszhvillimin e armëve bërthamore
Kështu arrihet te çështja e tretë: deklarata publike për moszhvillimin e armëve bërthamore. Kjo duket të jetë një kundërpropozim i delegacionit iranian për të dalë nga ngërçi i krijuar rreth uraniumit të pasuruar.
Irani është i gatshëm të deklarojë publikisht se nuk ka interes, nuk synon dhe nuk do të zhvillojë apo sigurojë arsenal bërthamor. Një deklaratë e tillë kënaq në masë të madhe Izraelin, i cili e konsideron veten palën më të kërcënuar. Propozimi po shqyrtohet nga Uashingtoni.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo deklaratë do të jetë e mjaftueshme për t’i kursyer Iranit një proces që Teherani e konsideron poshtërues. Për më tepër, Trump kërkon që kufizimet mbi pasurimin e uraniumit të kenë vlefshmëri të paktën 20-vjeçare. Për këtë arsye, sipas burimeve iraniane, nuk përjashtohet mundësia që çështja e uraniumit të mos përfshihet fare në marrëveshjen përfundimtare të paqes.
Mosbesim nga të gjitha palët
Të dyja palët vazhdojnë të kenë mosbesim të madh ndaj njëra-tjetrës. Analistët vlerësojnë se për këtë arsye do të nevojiten disa ditë shtesë edhe pas arritjes së marrëveshjes paraprake, përpara se ajo të finalizohet. Nëse marrëveshja përfundimtare arrihet, do të nisë një periudhë 60-ditore armëpushimi.
Gjatë 24 orëve të fundit, zyrtarë amerikanë dhe iranianë kanë theksuar publikisht koncesionet që secila palë shpreson të sigurojë.
Zyrtarë iranianë deklaruan të shtunën se një marrëveshje e mundshme do të parashikonte vetëm nisjen e negociatave për çështjet bërthamore brenda 30 deri në 60 ditëve.
“Nëse arrihet marrëveshja”, shkroi Trump në rrjetet sociale të dielën, “Shtetet e Bashkuara mund të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane, të përdorur për të ushtruar presion mbi Teheranin që të rihapë Ngushticën e Hormuzit”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA është gati të nisë “negociata shumë serioze” për programin bërthamor iranian, me kusht që Irani të rihapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit.
“Nuk mund të zgjidhësh çështjet bërthamore brenda 72 orësh duke shkruar në një pecetë”, tha Rubio gjatë një interviste në Nju Delhi.
“Ngushtica duhet të hapet menjëherë dhe më pas do të nisim, mbi bazën e parametrave të dakordësuar, negociata shumë serioze për pasurimin e uraniumit, uraniumin e pasuruar dhe angazhimin e Iranit që të mos zotërojë kurrë armë bërthamore”, shtoi ai.
Pse po bie vetëm pak çmimi i naftës
Megjithëse gjithçka tregon se palët janë afër një marrëveshjeje paqeje, diçka që la të kuptohej edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pas telefonatës me Trump, tregjet reagojnë ende me kujdes.
Çmimi i naftës Brent ra rreth 1,5%, duke zbritur në 99 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate ra me afro 5%, në 92 dollarë për fuçi.
Kjo rënie relativisht e kufizuar tregon se investitorët mbeten skeptikë dhe presin të shohin nëse marrëveshja do të finalizohet realisht.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se do të nevojiten muaj për rikthimin e plotë të lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon mbi një e pesta e naftës që tregtohet globalisht.
Aktualisht, në Gjirin Persik mbeten të bllokuara rreth 1.500 deri në 2.000 anije.
Edhe nëse ngushtica do të rihapej menjëherë, kompanitë e transportit dhe siguruesit detarë do të kërkonin garanci se marrëveshja është e qëndrueshme dhe se kalimi i tankerëve është i sigurt.
Për më tepër, me flotën detare iraniane të dobësuar rëndë, SHBA dhe aleatët e saj detarë, ku mund të kërkohet edhe ndihma e Greqisë, do të duhet të pastrojnë zonën nga minat detare që besohet se janë vendosur nga Irani.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, do të nevojiten “të paktën dy deri në tre muaj” për rikthimin e plotë të operacioneve eksportuese. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje