
Partia ultra-ortodokse Degel ha-Torah, një aleate kyçe e koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka njoftuar zyrtarisht se nuk do ta mbështesë projektligjin për rekrutimin ushtarak në formën e propozuar nga koalicioni. Ky vendim i raportuar nga mediat izraelite, rrezikon të çojë në shpërbërjen e Knessetit, (parlamentit izraelit) dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në gjysmën e parë të shtatorit 2026, disa javë para afatit të planifikuar të 27 tetorit.
Sipas burimeve të cituara nga transmetuesi publik izraelit KAN dhe media të tjera si Times of Israel dhe Haaretz, Degel ha-Torah ka shprehur humbjen e besimit ndaj Netanyahu-s pas dështimit për të siguruar miratimin e një ligji që do të garantonte përjashtime nga shërbimi ushtarak për studentët ultra-ortodoksë (Haredim) të yeshivave. Lideri shpirtëror i fraksionit, Rabbi Dov Lando, ka deklaruar se “nuk kemi më besim te Netanyahu” dhe ka urdhëruar anëtarët e partisë të punojnë për shpërbërjen sa më të shpejtë të Knessetit.
Çështja e rekrutimit të Haredim-ve është një nga temat më të ndjeshme dhe të polarizuara në politikën izraelite. Komuniteti ultra-ortodoks, që përbën rreth 13 për qind të popullsisë, ka gëzuar për dekada përjashtime nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak për të përqendruar në studimet fetare. Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës Supreme në vitin 2024-2025 që urdhëronte rekrutimin, presioni është rritur ndjeshëm.
Qeveria Netanyahu ka premtuar prej kohësh një ligj që do të mbronte statusin quo për Haredim-et, por projektligji ka hasur në rezistencë të brendshme brenda koalicionit sidomos nga Likud) dhe nga opozita. Netanyahu thuhet se ka sugjeruar shtyrjen e miratimit pas zgjedhjeve, gjë që ka irrituar aleatët ultra-ortodoksë. Degel ha-Torah, pjesë e United Torah Judaism (UTJ), ka paralajmëruar se do të bllokojë legjislacionin në Knesset për të përshpejtuar procesin e shpërbërjes.
Koalicioni ka paraqitur tashmë një projektligj për shpërbërjen e Knessetit, i cili ka kaluar një votim paraprak me mbështetje të gjerë. Nëse miratohet plotësisht, zgjedhjet mund të zhvillohen rreth 90 ditë më vonë, pra në fund të gushtit ose fillim të shtatorit.
Lini një Përgjigje