
Sulmet intensive ruse gjatë natës në Kiev kanë prekur edhe zyrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke shtuar shqetësimet ndërkombëtare për sigurinë e institucioneve civile dhe humanitare në Ukrainë.
Lajmi u konfirmua nga drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili deklaroi se godina është dëmtuar nga mbetjet e një prej sulmeve ajrore.
“Godina u prek nga mbetjet e një sulmi, duke shkaktuar thyerjen e dritareve në katin e dytë. Fatmirësisht nuk pati të lënduar”, tha ai.
Sipas Tedros, në të njëjtin objekt ndodhen edhe disa agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara, përfshirë zyrat e OBSH-së. Pas incidentit, organizata bëri thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj civilëve dhe institucioneve shëndetësore.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan se nga sulmet masive ruse në Kiev dhe zona të tjera të vendit kanë humbur jetën të paktën katër persona, ndërsa mbi 100 të tjerë janë plagosur.
Sipas ushtrisë ukrainase, Rusia përdori dhjetëra raketa dhe qindra dronë gjatë valës së sulmeve, ndërsa një pjesë e tyre u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
OBSH dhe drejtuesit e saj kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
“Sulmet ndaj civilëve dhe institucioneve shëndetësore duhet të ndalen menjëherë”, apeloi OBSH.
Lini një Përgjigje