TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Maj 2025, 11:38

Evropa s’duhet të trembet nga krizat, është po aq superfuqi si SHBA-ja

Shkruar nga Jonathan Power
Evropa s’duhet të trembet nga krizat, është po aq superfuqi
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bisedon me një grup liderësh evropianë në margjinat e një samiti në Kiev më 24 shkurt, në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Materiale Gitanas Nausėda nëpërmjet Eyepress

Evropa ka dhënë 70 për qind të ndihmës ndërkombëtare, ndërsa SHBA-ja vetëm 20 për qind, madje dhe më pak nën presidencën e Trump. Kush po paguan 90 për qind të pasojave nga sanksionet ekonomike të vendosura kundër Rusisë për aneksimin e Krimesë?

Bashkimi Evropian nuk do të përballet me një shpërbërje të mundshme, sikurse paralajmërohet shpesh. Sepse konflikti Ukrainë-Rusi do të mbarojë një ditë. Krizat e mëdha shfaqen herë pas here, por si vijnë ashtu edhe ikin.

Kriza e euros nuk u trajtua aq mirë sa duhej. Masat e ashpra shtrënguese, ishin politika të rrugës së gjatë, të cilat shkaktuan shumë vuajtje. Megjithatë edhe ajo kaloi. Mendoj se përballja me presidentin amerikan Donald Trump mbi politikën ndaj Ukrainës, do të përfundojë me një fitore të evropianëve.

Me apo pa Britaninë, BE-ja do të mbetet shembulli më i mirë në botë i unitetit politik. Popujt që kanë luftuar me njëri-tjetrin për mijëra vjet, sot nuk e bëjnë më. Asnjë pjesë tjetër e botës, nuk është kaq demokratike apo që t’i bindet aq shumë ligjit sa Evropa.

Asnjë njësi tjetër e madhe politike, nuk është kaq e përkushtuar në përpjekjen për t’i zgjidhur problemet me konsensus. Evropa është një superfuqi. “Kina është partnerja kryesore tregtare e Rusisë”, ishte një titull në media kohët e fundit.

Në fakt, Rusia është e shtata në listë. Në tërësi, BE-ja blen 3/4 e eksporteve kineze. (Këto shifra janë marrë nga Libri i Fakteve Botërore i CIA-s). Pavarësisht qëndrimit politik, në cilën anë do të jetë e detyruar të rreshtohet Moska në planin afatgjatë?

Evropa është tregtarja më e madh e mallrave dhe shërbimeve në botë. Ajo e përdor forcën e saj ekonomike në të njëjtën mënyrë siç e përdor SHBA-ja fuqinë e saj ushtarake. Të ardhurat kombëtare të vendeve të Evropës, janë vetëm pak më të vogla se ato të SHBA-së.

BE-ja e manipulon qasjen në tregjet e saj dhe ndihmën e saj ekonomike. Ajo e shfrytëzon dominimin e saj rregullator. Ajo eksporton ligjet dhe procedurat e saj. Edhe kompanitë më të mëdha amerikane, janë detyruara të ndjekin rregulloret evropiane në vend të atyre amerikane në bashkimet e bizneseve, blerjet, ushqimet e modifikuara gjenetikisht, privatësinë e të dhënave dhe rregullimin e veprimtarisë së Inteligjencës Artificiale.

SHBA-të mbeten një nga superfuqitë kryesore të botës, vetëm për një arsye: ajo përbën rreth 37 për qind të shpenzimeve ushtarake globale, krahasuar me 30 për qind të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian (nëse shtohet Britania, Norvegjia dhe Zvicra, atëherë Evropa është afër totalit të SHBA-së).

Ukraina zë 13 për qind, Kina 1.7 dhe Rusia me 7 për qind. Fatmirësisht, pavarësisht Ukrainës, Sirisë, Sudanit, Somalisë, Kongos, Afganistanit, Jemenit dhe Irakut, që të gjitha vende të vogla, bota në tërësi nuk është e përfshirë në luftë.

E pse duhet që Evropa të ndihet e dyta pas Amerikës, kur ditë pas dite, pjesët e tjera të jetës po luajnë një rol shumë më të madh? Ku e tejkalon SHBA-ja Evropën, përveç filmave të Hollivudit, universiteteve më të mira, industrisë së automobilave dhe sistemit të funksionimit të Silicon Valley?

Evropa ka dhënë 70 për qind të ndihmës ndërkombëtare, ndërsa SHBA-ja vetëm 20 për qind, madje dhe më pak nën presidencën e Trump. Kush po paguan 90 për qind të pasojave nga sanksionet ekonomike të vendosura kundër Rusisë për aneksimin e Krimesë?

Kush po ndihmon më shumë në Kombet e Bashkuara dhe institucione të tjera të rëndësishme si Gjykata Ndërkombëtare Penale, Gjykata Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë? Kush po arsimon më shumë studentë të huaj?

Në të gjitha rastet, përgjigja është me shumë gjasë Evropa. Në sport, 5 nga 7 disiplinat profesioniste më të shikuara dominohen nga Evropa. Futbolli evropian fiton dy herë më shumë se ai amerikan. Evropa fitoi më shumë medalje në Lojërat Olimpike Verore sesa SHBA-ja, Rusia dhe Kina.

Në Lojërat Olimpike Dimërore, Evropa gjithmonë fiton më shumë medalje se të gjithë të tjerët. Evropa ka shumë më tepër teatro operash dhe orkestra simfonike sesa Amerika. Revista Forbes pyeti 40.000 njerëz në mbarë botën, se cilat vende ishin më me “imazhin më të mirë”, një indeks i përbërë nga niveli i lumturisë, mungesës së korrupsionit, tolerancës dhe pastërtisë.

Nga 20 vendet e para, 15 janë evropiane. SHBA-ja renditet në vendin e 28-të dhe Kina në vendin e 57-të. Francezi Zhan Mone, babai themelues i BE-së, krijoi siç  e thekson sot Mark Leonard “një makineri të alkimisë politike”.

Kombet që ashtu si individët, luftonin dikur me njëri-tjetrin, janë shndërruar në një forcë krijuese dhe të bashkuar, të cilat kanë si synimin moral, ashtu edhe një mënyrë efektive për të zbatuar vullnetin e saj. Pa dyshim, nuk është Perandoria e Shenjtë Evropiane.

Kapitalizmi i saj mund të jetë brutal. Qëndrimi i saj ndaj Rusisë, si në rastin e Ukrainës, mund të jetë kundër-produktiv. Politika e saj ekonomike e shtrëngimit e 15 viteve më parë, solli dëmtimin e vetes, kryesisht në kurrizin e të varfërve. Por në tërësi, Evropa është një superfuqi pozitive./ Përshtati "Pamfleti" Nga “InDepthNews”

bashkimi europian shba

Lini një Përgjigje