
Evropa e ka zhvendosur fokusin e saj nga rritja ekonomike tek mbrojtja, duke prezantuar një mori rregullash të privatësisë, të të dhënave dhe klimës.
Situata ekonomike dhe politike në Evropë, është aq shqetësuese sa na nxit të mendojmë se kontinenti i vjetër ka rënë viktimë e një krize të rëndë ekzistenciale. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë kur krahasohet me Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa ekonomia evropiane nuk po rritet dhe është e asfiksuar nga rregullat i tepruara dhe fragmentimi i tregut, Shtetet e Bashkuara po shfaqen si një pol tërheqës për kompanitë dhe investimet, falë një mjedisi më miqësor ndaj biznesit, likuiditetit më të madh të tregut, dhe një kulture më të qëndrueshme të sipërmarrjes.
Që nga viti 2019, Bashkimi Evropian është rritur me vetëm 5 për qind, krahasuar me 12 për qind të Shteteve të Bashkuara. Ky hendek, është simptomë e një sërë problemesh strukturore në Evropë, përveç rregullimit të tepruar, një tregu të përbashkët jo të plotë, si dhe i mungesës së inovacionit teknologjik.
Evropa nuk ka asnjë kompani teknologjike të krahasueshme me gjigantët amerikanë si Apple, Amazon apo Microsoft. Në fakt, shumë kompani evropiane po mendojnë ta zhvendosin selinë e tyre në Shtetet e Bashkuara, të tërhequr nga vlerësimet më të larta të tregut dhe një mjedis rregullator më pak kufizues.
Rasti i Zilch Technology Ltd. është emblematik: pavarësisht se është një kompani britanike, ajo po shqyrton seriozisht zhvendosjen nga Londra në Nju Jork. Dhe ky fenomen nuk është i izoluar. Kompani të tjera si Arm Holdings dhe Klarna, kanë zgjedhur tashmë Shtetet e Bashkuara për aktivitetet e tyre kryesore.
Largimi i kompanive evropiane drejt Shteteve të Bashkuara, nuk është vetëm çështje vlerësimesh më të larta, por reflekton edhe mungesën e besimit tek tregjet evropiane, të cilat perceptohen si jo likuide, të fragmentuara dhe më pak tërheqëse për investitorët.
Evropa e ka zhvendosur fokusin e saj nga rritja ekonomike tek mbrojtja, duke prezantuar një mori rregullash të privatësisë, të të dhënave dhe klimës. Ndërsa këto rregulla justifikohen shpesh me qëllime fisnike, si mbrojtja e mjedisit apo të drejtat e konsumatorit, ato kanë krijuar një mjedis armiqësor për bizneset, veçanërisht në sektorin e teknologjisë.
Për shembull, rregulloret evropiane për Inteligjencën Artificiale, janë ndonjëherë aq kontradiktore sa që e bëjnë të vështirë përputhshmërinë. Për pasojë, kompani tilla si Apple, Meta dhe Google kanë vonuar apo edhe kanë braktisur futjen e disa produkteve në Evropë, nga frika e sanksioneve.
Një pengesë tjetër e madhe është inovacioni teknologjik. Ndërsa SHBA-ja po e dominon sektorin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së përparuar, kontinenti i vjetër ka mbetur pas, duke u bërë një treg dytësor. Mungesa e një ekosistemi të ngjashëm me Silicon Valley dhe fragmentimi i tregjeve evropiane, e bëjnë të vështirë për kompanitë e reja teknologjike që rriten dhe të konkurrojnë globalisht.
Për më tepër, Evropa, nuk ka një treg financiar të unifikuar, por 27 tregje të veçanta. Edhe pse synimi ka qenë gjithmonë krijimi i një tregu të përbashkët, Evropa është ende larg të pasurit të një sistemi të integruar dhe efikas si ai i Shteteve të Bashkuara.
Ky fragmentim, e bën më të vështirë për kompanitë që të mbledhin kapital dhe të operojnë në një shkallë kontinentale, duke e kufizuar aftësinë e tyre për të konkurruar globalisht. Prandaj, mungesa e integrimit të tregjeve evropiane po ndikon negativisht tek investimet.
Investitorët ndërkombëtarë po e humbasin interesin për Evropën, siç tregohet nga largimi i 300 miliardë dollarë fondeve rajonale që nga viti 2020. Pjesa e Evropës në aktivitetin e tregut global të kapitalit, ka rënë në pak më shumë se 10 për qind, një shifër shumë shqetësuese, e cila pasqyron humbjen e konkurrueshmërisë së kontinentit në tregjet globale.
Teksa kriza ekonomike dhe largimi i kompanive, sjellin pasoja politike dhe sociale, Evropa e gjen veten në presionin e superfuqive globale, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dhe rrezikon që të bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme në skenën ndërkombëtare.
Stanjacioni ekonomik dhe mungesa e mundësive, mund të nxisin pakënaqësinë sociale dhe të forcojnë partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë, të cilat tashmë po fitojnë mbështetje në shumë vende evropiane. Për më tepër, zhvendosja e korporatave të mëdha në Shtetet e Bashkuara, mund të ketë një ndikim negativ në krijimin e pasurisë në Evropë.
Nëse aksionet e kompanive evropiane vazhdojnë të kenë një vlerë të ulët ndaj atyre në SHBA, kjo mund të ndikojë negativisht në kursimet dhe pensionet e qytetarëve evropianë, duke krijuar një rreth vicioz varfërimi dhe rënie ekonomike. Për të shmangur rënien e mëtejshme, Evropa duhet të adresojë urgjentisht problemet e saj strukturore.
Së pari, është e nevojshme të rishikohet kuadri rregullator, duke reduktuar burokracinë dhe duke krijuar një mjedis më miqësor ndaj biznesit, sidomos në sektorin e teknologjisë. Së dyti, Evropa duhet të përshpejtojë integrimin e tregjeve të kapitalit, duke krijuar një sistem më efikas dhe më pak të fragmentuar.
Së treti dhe e fundit, është thelbësore të promovohet një kulturë e sipërmarrjes dhe inovacionit, duke inkurajuar investimet në sektorë me rritje të lartë dhe duke mbështetur kompanitë e reja (startup-et) evropiane. Një nga etërit themelues të BE-së, Jean Monnet, tha dikur “Evropa do të ndërtohet përmes zhytjes dhe kapërcimit të krizave”. Kriza aktuale, mund të jetë një trampolinë e shkëlqyer për të nisur ndryshimin./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Il Fatto Quotidiano”
Lini një Përgjigje