
Duket sikur presidenti amerikan, beson se vendi i tij duhet të jetë një perandori.
Gjatë javëve të fundit, presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar vazhdimisht se në një mënyrë a tjetrën, Shtetet e Bashkuara duhet të “marrin sërish nën kontroll” Kanalin e Panamasë por edhe ishullin e madh të Grenlandës.
Ai e ka ftuar Kanadanë të bëhet shteti i 51-të i Amerikës, dhe madje ka thënë së fundmi se dëshiron të “marrë” edhe Rripin e Gazës, për ta kthyer atë në një “Rivierë” në Mesdheun Lindor.
Duket sikur presidenti amerikan, beson se vendi i tij duhet të jetë një perandori.
Dhe në këtë aspekt, ai po imiton udhëheqësin kinez Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin, të cilët ai ka thënë se i admiron, dhe që vitet e fundit kanë treguar vetë disa tendenca të qarta perandorake. Nën sundimin e Putin, Rusia ka mbështetur rajonet separatiste, si Transnistria dhe Abkhazia.
Po ashtu ka luftuar ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës, dhe ka ndërhyrë në mënyrë aktive në punët e Sirisë dhe vendeve të ndryshme afrikane. Madje në vitin 2022 Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës, duke pretenduar se Ukraina ishte historikisht e pandashme nga Rusia, por se ndikimet armiqësore perëndimore po përpiqeshin që ta shkatërronin atë unitet.
Ndërkohë Kina, ka militarizuar një numër ishujsh të vegjël të pabanuar në Detin e Kinës Jugore. Ajo ka ndërtuar 27 baza në ishujt e diskutueshëm Spratly dhe Paracel, që pretendohen gjithashtu nga vende të tjera duke përfshirë Vietnamin, Tajvanin, Filipinet dhe Malajzinë.
Kjo ka nxitur një mori zhvillimesh të vrullshme, pasi vendet e tjera në rajon janë përpjekur të krijojnë bazat e tyre në rajonin e diskutueshëm por shumë të pasur me burime. Ndërkaq Pekini ruan pretendimin e tij mbi Tajvanin, për të cilin thotë se është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës, ndaj dëshiron që të “rikthehet në shtëpi”.
Shumica e njerëzve supozonin, se epoka e perandorive ishte flakur në koshin e plehrave të historisë. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Deri vonë, ngritja dhe rënia e perandorive, e kishte dominuar pjesën më të madhe të historisë së regjistruar. Shtetet kombëtare u shfaqën vetëm në fundin e shekullit XVIII-të.
Dhe ndërsa nisën të jenë gjithnjë e më të rëndësishme, shumica nisën të shfaqin prirje perandorake. Kështu, e sapodalë nga zgjedha e perandorisë britanike, SHBA-ja nuk humbi kohë në zgjerimin e kufijve të saj drejt Perëndimit, duke përvetësuar me pushtim apo blerje sipërfaqe të mëdha territoresh të reja.
Dhe kështu nga një grup të vogël shtetesh në bregun lindor, u shndërrua në një perandori kontinentale. Ndërkaq shtetet e tjera kombëtare të sapoformuara si Italia dhe Gjermania, aspiruan gjithashtu që të ndërtonin perandori jashtë shtetit dhe u përfshinë, me suksese të ndryshme, në ndërtimin e atyre, që rezultuan të jenë perandori koloniale relativisht jetëshkurtra në Afrikë dhe gjetkë.
Shumica e perandorive tradicionale dinastike, nisën të kopjojnë aspekte të ndryshme të modelit të shtetit-komb si rekrutimi, barazia ligjore dhe pjesëmarrja politike. Dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, shihen shpesh nga historianët si një periudhë dekolonizimi nga fuqitë tradicionale perandorake si Britania dhe Franca.
Por tranzicioni nga perandoria në shtetet-kombe nuk ishte aspak i qetë. Shumica e qeverive perandorake, shpresonin që t’i transformonin perandoritë e tyre në bashkësi me më shumë barazi midis anëtarëve, duke ruajtur një farë ndikimi.
Këtë e bënë me shkallë të ndryshme suksesi dhe shpesh nën një presion ekstrem, si në rastin e Francës në Algjeri dhe Vietnam, apo nën një presion të madh ekonomik, si për shembull me Britaninë e Madhe dhe Indinë. Epoka e vërtetë e shtetit-komb, nuk filloi para viteve 1960.
Sot, bota përbëhet nga rreth 200 vende të pavarura, ku shumica dërrmuese janë shtete kombëtare. Megjithatë, mund të argumentohet se perandoritë - ose të paktën tendencat perandorake - nuk janë zhdukur kurrë plotësisht. Për shembull Franca, ndërhyri shpesh në shumë nga ish-kolonitë e saj në Afrikë.
Megjithatë, këto ndërhyrje ushtarake nuk synonin pushtimin e përhershëm të territoreve të reja.
Sot, tendencat perandorake duket se po rishfaqen në mbarë botën. Megjithatë, e kaluara tenton të mos përsëritet. Luftërat e mëdha pushtuese ose përpjekjet për të krijuar perandori të reja jashtë shtetit, nuk kanë gjasa që të shfaqen në të ardhmen e afërt.
Shumica e zgjerimeve perandorake kërkohen aktualisht afër shtëpisë. Ajo që bie në sy, është se Putin, Xi dhe Trump përdorin një retorikë të ashpër nacionaliste për të justifikuar planet e tyre imperialiste. Putin pretendon pandashmërinë e Ukrainës dhe Rusisë, dhe fajëson “nazistët” për përpjekjet e kthimit drejt Perëndimit të shtetit motër të Rusisë.
Ai e përdori atë si një justifikim për pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022. Nga ana tjetër, Xi Jingping deklaron shpesh se Kina komuniste ka kapërcyer më në fund shekullin e poshtërimit, në të cilin vendi ishte një shesh lojërash për fuqitë e huaja. Ata të dy duket se dëshirojnë madhështinë e dikurshme perandorake.
Federata Ruse synon ta zhbëjë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Kina komuniste po kthen kokën pas tek perandoria Qing. Është interesant fakti se nën udhëheqësin e saj gjithnjë e më autoritar Recep Tayyip Erdoğan, Turqia - një tjetër fuqi rajonale me prirje perandorake - po gjen një frymëzim të ngjashme tek ish Perandoria Osmane.
Rasti i SHBA-së duket të jetë më kompleks, por në fakt është shumë i ngjashëm. Kështu, Trump argumenton se Kanali i Panamasë, i cili ka qenë i administruar prej kohësh nga SHBA, iu rikthye Panamasë përmes një veprimi të nxitur të presidentit të atëhershëm Jimmy Carter, dhe pretendon se tani ai kontrollohet nga Kina.
Ndaj Trump thotë se do ta rikthejë atë nën kontrollin e SHBA-së. Trump i referohet gjithashtu “Manifestit të Fatit” të Amerikës, pra besimit që dominonte shekullin XIX- të se kolonët amerikanë ishin të destinuar që të zgjeroheshin në brigjet e Paqësorit.
Sot aspiratat e tij janë më shumë drejt veriut se sa drejt perëndimit. Po ashtu Trump, dëshiron që të vendosë flamurin amerikan në planetin Mars, duke çuar deri në hapësirën e jashtme ëndrrat e tij perandorake.
Nëse SHBA-ja bashkohet me Kinën dhe Rusinë në shkeljen e kufijve të njohur, mund të jetë në rrezik rendi ndërkombëtar i bazuar tek të drejtat. Shenjat që po shohim nuk janë shumë pozitive. Hapat drejt aneksimit të paligjshëm të territoreve, mund të hedhin në erë të gjithë strukturën e rendit ndërkombëtar aktual./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Conversation”
Shënim: Eric Storm, lektor i historisë në Universitetin e Leidenit, Holandë.
Lini një Përgjigje