Pushtimi rus dhe zgjedhjet që ka bërë Amerika vitet e fundit kanë nxjerrë në pah brishtësinë e Bashkimit Evropian si aktor politik. Pa një forcë të përbashkët ushtarake dhe pa vendimmarrje të pavarura, Evropa rrezikon të mbetet thjesht një objekt i strategjive të të tjerëve...
Lufta në Evropë dhe hendeku brenda aleancës transatlantike, e bëjnë urgjente nevojën për një politikë strategjike evropiane. Pushtimi i Ukrainës nga shteti më i madh për nga territori është një “provë zjarri” për këtë politikë, ndërsa dominimi amerikan e bën edhe më të rëndë.
Ky “zjarr” digjet në Lindje dhe reflekton në Perëndim, sepse sot ka një mospërputhje të dukshme interesash mes shteteve evropiane dhe mbrojtësit të tyre amerikan. Qeveria e SHBA duket e gatshme ta sakrifikojë Ukrainën në lojën e fuqive të mëdha, dhe kjo është një dramë ekzistenciale për Evropën e bashkuar - sidomos për ata që besojnë se mund të qëndrojnë jashtë politikës së fuqisë.
Problemi i Evropës nuk është mungesa e fuqisë, por menaxhimi i saj. Sfida qëndron tek krijimi i kushteve që ajo të shpaloset dhe të vihet në shërbim të qëllimeve të përbashkëta, si mbrojtja kolektive.
Politika evropiane për Ukrainën, është një zbatim origjinal dhe ende i thjeshtë i nenit 42 të Traktatit mbi Bashkimin Evropian: “Kur një shtet anëtar sulmohet në territorin e tij, shtetet e tjera janë të detyruara t’i japin ndihmë dhe mbështetje me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion”.
Mjetet kryesore për mbrojtje janë armët, ato që sot nevojiten për të mbrojtur Evropën në Ukrainë. Pikërisht këtu nis edhe hendeku transatlantik: për Shtetet e Bashkuara, sakrifikimi i shtetit më të madh evropian shihet si i dobishëm për marrëdhëniet me Rusinë.
Nga ana e saj, Rusia synon të imponojë dominimin në Evropën Lindore, sikur të ishte natyrshëm fuqia mbizotëruese e kontinentit - kundër së cilës Evropa nuk mund të krijojë kundërpeshë pa ndihmë të jashtme. Ky mendim është i ri, i paqartë dhe aspak i bazuar në histori.
Evropianët e dinë se shoqëritë nuk mbijetojnë pa i kushtuar një pjesë të madhe të pasurisë së tyre sigurisë. Prandaj, më 19 dhjetor 2025, pas një viti diskutimesh dhe 17 orësh mbledhje, Këshilli Evropian vendosi të përdorë borxhin e përbashkët evropian, të garantuar nga kontributet e 24 shteteve, për të mbështetur rezistencën ukrainase dhe mbrojtjen evropiane në dy vitet e ardhshme.
Italia do të kontribuojë me 12 miliardë nga 90 gjithsej, por kjo bashkëpunim duhet të vazhdojë derisa Rusia të ndalë zjarrin. Nëse lufta vazhdon, as 90 miliardë nuk do të mjaftojnë. Ndërkohë, pushtimi ka hyrë në vitin e katërt dhe hendeku transatlantik është bërë i dukshëm edhe zyrtarisht.
Fillimisht në planin politik, me fjalimin e James D.Vance më 14 shkurt 2025 në Bayerischer Hof; më pas në planin diplomatik, me rezolutën e parë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 24 shkurt 2025, të ndarë nga SHBA me Rusinë e Kinën, por jo me aleatët evropianë; dhe së fundi në planin doktrinar, më 4 dhjetor 2025, me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA.
Tre momente që bashkohen në atë që presidenti italian Sergio Mattarella e quajti më 15 dhjetor, përpara ambasadorëve të Italisë një “agresion i çrregullt dhe i pajustifikuar kundër Bashkimit Evropian”.
Dihet se fuqitë e mëdha janë arbitrat supremë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Por kjo bëhet edhe më e rëndë sot, kur hegjemonia amerikane shfaqet si një parodi e zymtë e një fuqie demokratike të përgjegjshme. Dhe meqë nuk do të jetë hera e fundit, Evropa duhet të marrë vendime të vështira për një politikë strategjike evropiane. Vendimi i parë ka të bëjë me cenueshmërinë e pashmangshme të Evropës si subjekt politik, për sa kohë që mbetet pa pavarësi strategjike, pra pa një forcë të përbashkët të armatosur konvencionale dhe bërthamore të koordinuar.
Për këtë arsye, Traktati i Kensingtonit i 17 korrikut 2025, mes Gjermanisë dhe Britanisë, parashikon “shkëmbime të thelluara mbi aspektet strategjike të politikës së sigurisë, përfshirë parandalimin, mbrojtjen dhe çështjet bërthamore”.
Vendimi i dytë lidhet me mënyrën e kapërcimit të hendekut transatlantik, duke pranuar se nuk ka aleanca të pashmangshme dhe se aleatët mund të bëhen rivalë. Aleanca atlantike është një interes jetik; por edhe interesat jetike gërryhen nga koha.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e tha shumë qartë: “Nëse SHBA do të vendoste të sulmonte ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, do të binte gjithçka, përfshirë vetë NATO dhe arkitektura e sigurisë e ndërtuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.
Evropa e bashkuar ka lindur nga lufta: fillimisht ajo botërore, pastaj Lufta e ftohtë. Nëse do të ekzistojë, edhe Evropa e ardhshme nuk do të bëjë përjashtim: do të lindë nga lufta e saj. Prandaj emergjencë është forcimi i një politike strategjike evropiane, brenda hapësirave të lirisë që sot lejojnë hendeku transatlantik dhe zgjerimi rus.
Kjo do të thotë të përballesh së bashku me kufizimet e veprimit politik të pavarur evropian, duke vendosur perimetra të rinj përgjegjësie mes aktorëve politikë. Fuqitë e mëdha, thoshte Martin Wight, mund të jenë edhe të “mëdhatë e papërgjegjshme”. Sot duket se ky është rasti dhe duhet përballuar me një politikë evropiane strategjike./ Përshtati "Pamfleti" nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje