
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiç ka njoftuar se është arrestuar babai i 14-vjeçarit K.K, i cili bëri një masakër të vërtetë mëngjesin e sotëm në një shkollë fillore në Beograd, duke vrarë nëntë persona dhe plagosur disa të tjerë.
Siç informoi Gashiç, fëmijës iu gjetën dy pistoleta, për të cilat babai i tij kishte leje dhe i ruante në një kasafortë. Por sipas ministrit serb djali 14 vjeçar e dinte kodin e kasafortës dhe shpesh herë ai kishte praktikuar qitjen nëpër poligone me të atin. Gjithashtu mësohet se pak minuta më parë është shoqëruar në polici edhe e ëma e 14-vjeçarit.
“Ai ka disa armë dhe pretendon se ishin mbyllur në një kasafortë, por me sa duket fëmija kishte kodin. Pranë predhave të shkrepura janë gjetur tre korniza të plota. Sipas informacioneve të pazakonta, ai ka shkuar në poligone me të atin dhe ka ushtruar qitjen”, tha Gashiç, duke shtuar se ndaj babait të tij do të merren masa ligjore.
Ndërkohë sipas mediave serbe, masakra ka ardhur si pasojë e një konflikti të 14-vjeçarit me mësuesen e lëndës së Historisë.
“Ai mori një notë jo të mirë në histori dhe më pas u mërzit. Ai qëlloi mbi mësuesen e historisë në klasë, pastaj mbi shokët e tij. Ai është një nxënës i shkëlqyer", kanë thonë shokët e klasës.
14-vjeçari ka hyrë në shkollë mes orës 8 dhe 08:30 dhe menjëherë ka debatuar me rojën e sigurisë në portën e shkollës, i cili ka tentuar ta qetësojë, por pa rezultat. Djali ka nisur të godasë me shqelma dhe grushta dhe më pas e ka qëlluar atë duke e lënë të vdekur në vend.
Studentët e evakuuar, mes të cilëve edhe shokë e tij të klasës e e përshkruajnë atë si një djalë të qetë dhe të tërhequr. Ata thonë se ai nuk ishte një person problematik. Ndërkohë pas masakrës mësohet se ai ka telefonuar vetë policinë duke u bërë të ditur krimin e rëndë që kishte kryer.
Lini një Përgjigje