TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Mars 2026, 20:35

Dritan Demiraj bën parashikimin: Çfarë do ndodhë nëse vazhdon edhe për 1 javë lufta në Lindjen e Mesme!

Shkruar nga Pamfleti
Dritan Demiraj bën parashikimin: Çfarë do ndodhë nëse
Dritan Demiraj

"Po vazhdoi edhe një javë më shumë konflikti, Izraeli do ngeli pa mjete, pa raketa të mbrojtjes kundërajrore, për rrjedhojë sasia e dëmtimeve do të jetë më e madhe dhe pastaj në përfundim, se një ditë do të përfundojë ky konflikt, ai do të përballet me zemërimin popullor"

Përplasja mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit zhvillohet në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, sipas ekspertit të sigurisë Dritan Demiraj.

Ai e lidh tensionin me përballjen mes dy blloqeve të mëdha në sistemin ndërkombëtar. Në një anë qëndrojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleanca euroatlantike. Në anën tjetër ai vendos një bosht shtetesh që përfshin Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Sipas tij, objektivat e konfliktit shkojnë përtej përplasjes së drejtpërdrejtë me Iranin. Ai argumenton se strategjia synon dobësimin e Iranit dhe ndryshimin e strukturës së pushtetit në vend, me qëllim krijimin e një drejtimi politik më të afërt me interesat amerikane. Në të njëjtën kohë, Izraeli kërkon të reduktojë kapacitetet e Iranit dhe të rrisë sigurinë e tij në rajon.

Demiraj thekson edhe dimensionin ekonomik dhe strategjik që lidhet me rivalitetin me Kinën. Ai vlerëson se destabilizimi i Iranit do të ndikonte drejtpërdrejt në projektet infrastrukturore dhe energjetike të nismës kineze Belt and Road.

Kontrolli ose dobësimi i Iranit do të prekte gjithashtu rrjetin e transportit dhe bashkëpunimit ekonomik në Euroazi. Sipas tij, kjo do të ndikonte në dy korridore të rëndësishme ekonomike: korridorin veri-jug që lidh Rusinë me Iranin dhe korridorin lindje-perëndim që lidh Kinën me Lindjen e Mesme.

"Pa diskutim që kemi një luftë midis dy kampeve. Nga njëra anë kemi Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin, dhe nga ana tjetër kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës plus aleancën Euroatlantike. Pra, nuk është vetëm thjesht një luftë midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Është një luftë e cila po tenton që ta ballkanizojë Iranin nga njëra anë, dhe nga ana tjetër pastaj të dëmtojë, kjo për interes të Izraelit, kurse përsa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më shumë sesa halli i Iranit, është rënia e regjimit, marrja e kontrollit, pra vendosja e një lidershipi pro-amerikan.  

Është një luftë kundër Kinës. Sepse shkatërrimi i asaj, marrja e kontrollit të Iranit ndërpret rrugët e komunikimit, rrugët energjetike, projektet infrastrukturore, portuale, industriale, transportin e kështu me radhë. Pra projektimin e fuqisë të asaj që njihet Belt and Road Initiative. Rënia e Iranit dëmton lidhjen e kontinentit, Kinës me kontinentin, me Lindjen e Mesme, me Afrikën dhe me pjesën tjetër të Euroazisë dhe me pjesën e Azisë Qendrore.

Në të njëjtën kohë ndërpret edhe dy linja strategjike ekonomike, që është veri-jug, korridori veri-jug, Federata Ruse, Iran dhe lindje-perëndim që lidh Kinën me Iranin dhe ndërpret zhvillimin ekonomik të Kinës, sepse marrja e kontrollit si në rastin e Venezuelës, nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe tek Irani, i pamundëson Kinës, i jep një dhimbje koke të paimagjinueshme për shkak se rritja e ekonomisë, e industrisë kineze varet krejtësisht ose në mënyrë të madhe nga Irani.

Unë vetë, unë modestisht mendoj që ky konflikt është përshkallëzuar. Është përshkallëzuar për shkak se llogaritë e Izraelit nuk dolën siç ishin. Izraeli mendonte se duke vrarë Ayatollah Khamenei-n dhe liderët kryesorë, Irani do të dorëzohej.

Tashmë kemi një shkatërrim, kemi një valë e cila menjëherë pas përfundimit të këtij konflikti, që nuk i intereson absolutisht Netanyahut, sepse ai për shkak që të qëndrojë në fuqi i hap luftërat, i provokon luftërat herë pas here.

Po vazhdoi edhe një javë më shumë konflikti, Izraeli do ngeli pa mjete, pa raketa të mbrojtjes kundërajrore, për rrjedhojë sasia e dëmtimeve do të jetë më e madhe dhe pastaj në përfundim, se një ditë do të përfundojë ky konflikt, ai do të përballet me zemërimin popullor. Nga njëra anë.

Nga ana tjetër, përfshirja e kurdëve ka provokuar në masën maksimale Turqinë, për shkak se një nga planet e Izraelit është edhe krijimi i një rajoni kurd, të Kurdistanit, pra dizintegrimin e Iranit. Për shkak se ju e dini që Irani përbëhet nga 9 deri në 10%, 9 deri në 10 milionë shtetas kurdë, të cilët, prandaj po goditen, prandaj po tentohen për t'u përdorur si pjesë e fazës së tretë ushtarake", tha ndër të tjera Dritan Demiraj në Syri tv.  

dritan demiraj iran shba izrael

Lini një Përgjigje