
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se fushata ushtarake amerikane kundër Iranit, e quajtur Operation Epic Fury, mund të zgjasë nga katër deri në gjashtë javë.
Këtë vlerësim e ka bërë sot sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një paraqitjeje para mediave para një takimi të Presidentit Donald Trump me kontraktorët kryesorë të mbrojtjes.
Leavitt theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë rezerva të mjaftueshme armësh dhe municionesh për të përmbushur të gjitha nevojat operacionale gjatë kësaj periudhe. Ajo shtoi se forcat amerikane janë duke bërë përparim të shpejtë, duke përfshirë kontrollin e afërt të hapësirës ajrore iraniane.
Presidenti Trump më herët kishte sugjeruar se operacioni mund të zgjaste rreth katër deri në pesë javë, por kishte lënë të hapur mundësinë që të zgjatej “shumë më gjatë” në varësi të zhvillimeve.
Nga ana tjetër, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth ka deklaruar se SHBA-të do të marrin “gjithë kohën e nevojshme” për të siguruar suksesin e plotë të misionit, duke nënvizuar se ritmi dhe kohëzgjatja kontrollohen nga ana amerikane.
Leavitt po ashtu konfirmoi se administrata Trump po shqyrton një numër figurash potenciale për të udhëhequr Iranin pas konfliktit.
Lini një Përgjigje