Ndërsa kryeministri hungarez bie në sondazhe, figura kryesore të lëvizjes MAGA mobilizohen për të mbështetur aleatin e tyre më besnik evropian...
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, po përballet me zgjedhjet më të vështira të 16 viteve të tij në pushtet, ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe lëvizja e tij MAGA po mobilizohen për ta ndihmuar.
Sondazhet tregojnë se lideri hungarez aktualisht po mbetet pas ish-aleatit të tij të kthyer në rival, Peter Magyar, i cili ka përfituar nga pakënaqësia e votuesve për inflacionin rekord, dobësinë ekonomike dhe një sërë skandalesh politike. Me dominimin e Orban që po vihet papritur në dyshim, administrata e Trump dhe figura kryesore të MAGA-s janë përpjekur të forcojnë pozicionin e njeriut që ata e konsiderojnë aleatin e tyre më të besueshëm ideologjik në Evropë.
Për figurat kryesore të MAGA-s, Orban nuk është thjesht një partner, ai është një burim frymëzimi. Qëndrimi i tij i ashpër ndaj migracionit, përplasjet me universitetet dhe institucionet kulturore “woke”, armiqësia ndaj Brukselit dhe skepticizmi ndaj Ukrainës janë paraqitur prej kohësh nga konservatorët amerikanë si model qeverisjeje.
“Ne ishim Trump para Trump”, thuhet në faqen e internetit të Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Budapest. Në qershor 2024, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance i bëri gjithashtu një vlerësim Orbanit, duke thënë se kryeministri hungarez kishte “marrë vendime të zgjuara nga të cilat mund të mësojmë në SHBA”.
Dhe, sipas vetë Orbanit, kjo tashmë po ndodh. “Ne kemi hyrë në sistemin e hartimit të politikave të ekipit të Trump. Ne jemi thellësisht të përfshirë aty,” deklaroi ai në një tubim në Hungari gjatë garës për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. Qeveria hungareze dhe institute kërkimore pranë saj, si Fondacioni Századvég dhe Instituti Danube, kanë pasur gjithashtu marrëdhënie të vazhdueshme me organizata amerikane të lidhura me Trump, si Heritage Foundation, duke shkëmbyer kërkime, ide dhe studiues.
Mbi të gjitha, aleatët e presidentit amerikan e vlerësojnë Orbánin jo vetëm për politikat e tij, por edhe për qëndrueshmërinë e tij, në kontrast me politikanë të tjerë të afërt me MAGA-n, si kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të cilën ata e kritikojnë për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me ish-presidentin Joe Biden mes dy mandateve të Trump.
“Orban bëri gjithçka për të mbetur besnik ndaj Donald Trump edhe kur ai ishte jashtë pushtetit dhe konsiderohej politikisht i përfunduar,” tha Benjamin Harnwell, bashkëpunëtor i afërt i ish-strategut të Trump, Steve Bannon.
Tani MAGA po i kthen nderin, duke mobilizuar të gjitha mjetet për njeriun që Trump e përshkroi dikur në një postim të gjatë në rrjetet sociale si “një lider vërtet i fortë dhe i fuqishëm, që po jep rezultate fenomenale” për Hungarinë.
Gjatë një vizite të fundit në Budapest, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio e theksoi edhe më tej mbështetjen e Trump, duke deklaruar se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Hungarisë po hynin në një “epokë të artë” dhe duke premtuar mbështetje financiare për vendin nëse do të ishte e nevojshme — por vetëm nëse Orban mbetet në pushtet. “Presidenti Trump është thellësisht i përkushtuar ndaj suksesit tuaj, sepse suksesi juaj është suksesi ynë,” tha Rubio.
Vizita e diplomatëve më të lartë amerikanë tregon se sa seriozisht po e merr administrata amerikane zgjedhjen e prillit në Hungari. “Për MAGA-n, dy zgjedhjet më të rëndësishme këtë vit janë ato në Hungari dhe zgjedhjet e ndërmjetme në Shtetet e Bashkuara”, tha Timothy Ash nga instituti britanik Chatham House. Ndërkohë, strategu republikan John McLaughlin, i cili ka punuar në të tre fushatat presidenciale të Trump, po kryen sondazhe për Orbánin.
Kjo ndodh sepse një humbje e kryeministrit hungarez do të ishte një goditje për lëvizjen populiste globale, në një kohë kur Uashingtoni po rrit mbështetjen për aktorë të tjerë politikë me të njëjtën prirje në Evropë.
“Do të shihej si një humbje ideologjike ose intelektuale nëse ai do të humbiste”, tha Frank Furedi, një aleat i Orbanit që drejton degën në Bruksel të Mathias Corvinus Collegium (MCC), një institucion i mbështetur nga qeveria hungareze.
“Duhet të mbani mend se Orban luan një rol shumë më të madh nga sa duket në formësimin e pikëpamjeve të shumë prej këtyre partive dhe liderëve të tyre, të cilët kanë simpati të fortë për të. Një humbje do të kishte ndikim, të paktën në afat të shkurtër, në dinamikën politike në të gjithë kontinentin”, shtoi ai.
“Karta Trump”
Tre javë para zgjedhjeve, figura të njohura të MAGA-s dhe liderë nacional-konservatorë e populistë nga e gjithë Evropa pritet të mblidhen në Budapest për një konferencë CPAC të organizuar nga American Conservative Union, e pesta që nga viti 2022. Orban shpreson që presidenti amerikan të marrë pjesë personalisht.
Trump ka një ftesë të përhershme për këtë event dhe lideri hungarez nuk e ka fshehur se do të dëshironte shumë praninë e tij. Megjithatë, ndonëse Trump la të kuptohej në janar se mund të vizitonte Budapestin, ai deri tani nuk ka marrë një vendim të qartë.
Pak para se të udhëtonte drejt Uashingtonit për takimin inaugurues të Bordit të Paqes të Trump muajin e kaluar, Orban i kujtoi radios hungareze se presidenti amerikan “i detyrohet” një vizitë. Megjithatë, ai pranoi se “gjërat po ndryshojnë kaq shpejt sa nuk mund të planifikojmë as dy javë përpara”. Lufta SHBA-Izrael me Iranin ka shtuar edhe më shumë pasigurinë.
Orban deri tani është përpjekur me kujdes të distancohet nga konflikti në Lindjen e Mesme. Në një tubim të fundit elektoral, ai tha se presidenti amerikan kishte kërkuar mendimin e tij para bombardimit të Iranit, “duke qenë se ne kemi marrëdhënie me Iranin dhe marrëdhënie miqësore me Izraelin”.
Ai shtoi se zhvillimet nuk janë pikërisht ato që kishte rekomanduar, por se Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping pritet të diskutojnë masa serioze për të “stabilizuar gjendjen e botës” kur Trump të vizitojë Pekinin më vonë gjatë këtij muaji.
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa shumë e ka ndihmuar në të vërtetë mbështetja e MAGA-s kryeministrin hungarez. Sipas Timothy Ash nga Chatham House, nuk ka prova që vizita e Rubios ka ndryshuar sondazhet. Përkundrazi, një sondazh i publikuar pas vizitës tregoi se opozita e qendrës së djathtë kishte zgjeruar epërsinë e saj në shkurt.
Ndërsa Orban është përpjekur ta paraqesë zgjedhjen si një referendum për luftën në Ukrainë dhe ta portretizojë rivalin e tij si një figurë të kontrolluar nga Brukseli, Peter Magyar ka arritur ta zhvendosë debatin tek çështjet ekonomike të përditshme.
Partia e tij Tisza aktualisht ka një epërsi prej 9 pikësh ndaj partisë Fidesz të Orbanit, sipas përllogaritjeve të Politico Poll of Polls, duke kanalizuar pakënaqësinë e publikut për inflacionin dhe menaxhimin ekonomik.
Forinti hungarez, tradicionalisht i ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme, është vënë sërish nën presion pas tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Kjo ka rritur frikën për çmime më të larta të energjisë dhe një rritje të re të inflacionit, pikërisht në momentin kur ritmi i rritjes së çmimeve kishte filluar të ngadalësohej.
Analistët gjithashtu nuk janë të një mendimi për ndikimin që mund të ketë mbështetja e mëtejshme e MAGA-s, apo edhe një vizitë e Trump, në rezultatin zgjedhor.
“Mendoj se kjo do të mobilizojë mbështetësit e tij dhe do të forcojë bazën ekzistuese të votuesve. Nëse do të ndryshojë mendimin e të tjerëve apo do të bindë njerëzit të votojnë ndryshe, kjo mbetet një pyetje e hapur,” tha Furedi.
Trump zakonisht nuk investon kapital politik në kauza që i konsideron të humbura. Prandaj, nëse sondazhet në Hungari vazhdojnë të tregojnë një humbje për Orbanin dhe ai nuk arrin të rikthejë vrullin në fazën përfundimtare të fushatës, kryeministri hungarez mund të zbulojë se ka kufij se deri ku dhe për sa kohë, Presidenti amerikan është i gatshëm të shkojë, edhe për një nga aleatët ndërkombëtarë më të vlerësuar të MAGA-s. /Përshtatur nga Politico/
Lini një Përgjigje