
Ukraina zhvilloi muajin e kaluar një samit në Zvicër, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga 92 vende, por nga Moska nuk pati asnjë përfaqësi.
Por gjërat mesa duket po ndryshojnë, kjo pasi Kievi mund të ftojë një delegacion rus për një samit të dytë për paqe. Lajmi u pohua nga vetë presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky i cili njoftoi planet për përgatitjen deri në nëntor të një samiti të dytë ndërkombëtar, qëllimi i të cilit të jetë fundi i konfliktit.
“Unë mendoj se përfaqësuesit e Rusisë duhet të jenë të pranishëm në samitin e dytë. Mund ta ftojmë një delegacion të Moskës”, u shpreh Zelensky.
Komentet e kreut të shtetit ukrainas vijnë në kohën kur një sondazh i mediave vendase tregoi se mbi 40% e ukrainasve mbështesin fillimin e bisedimeve të paqes, nuk përfshin banorët e Gadishullit të Krimesë, i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, dhe zona të tjera në lindje dhe jug të vendit që janë të kontrolluara nga rusët.
Moska e pati kritikuar samitin e mbajtur në Zvicër, duke thënë se çdo diskutim që nuk e përfshin atë vetë, është “absurd”. Sipas sondazhit 43.9% e ukrainasve në zonat e kontrolluara nga Kievi mendojnë se “ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve zyrtare për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë”, 35% ishin kundër fillimit të negociatave dhe 21% që ishin të pavendosur.
Mbështetja më e madhe për fillimin e bisedimeve të paqes u regjistrua në rajonet jugore të Ukrainës, me rreth 60%, ndërsa në zonat qendrore pro negociatave ishin gati gjysma e banorëve. Pavarësisht qëndrimeve pro bisedimeve për paqe, megjithatë, 83% e të anketuarve janë kundër kërkesave të presidentit rus Vladimir Putin në mënyrë që t’i jepet fund luftës.
Putini kërkon që Ukraina të tërheqë trupat e saj nga katër rajone në jug dhe lindje që Moska pretendon se i ka aneksuar e insisitoi gjithashtu që Kievi të heqë dorë nga çdo ambicie për t’u anëtarësuar në NATO.
Lini një Përgjigje