TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Korrik 2024, 09:13

A është ende e aftë Amerika që ta udhëheqë botën?

Shkruar nga Pamfleti
A është ende e aftë Amerika që ta udhëheqë
Trump dhe Biden

Pyetja kryesore që shtrohet sot, është nëse demokracia më e madhe në botë, mund ta gjejë veten duke zgjedhur midis një personi të paskrupullt por shumë popullor dhe një personi të moshuar e mendjemadh, për t’ia besuar fituesit të kësaj gare “çelësat” e botës.

Edhe një herë, njëri përballë tjetrit, si vite më parë, në një planet që është bërë më kompleks dhe konfliktual. Por edhe të lodhur nga një fushatë elektorale që e detyroi një vend të tërë të diskutonte fillimisht proceset gjyqësore të Donald Trump, dhe më pas proceset e ngathëta mendore të Joe Biden.

Ndërsa i gjithë Perëndimi, dhe para së gjithash Evropa, vazhdon që t’i bëjë thirrje udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pavarësisht gjithçkaje që po shihet kohët e fundit. Joe Biden u gjend në një situatë të vështirë në konferencën për shtyp në fund të samitit të NATO-s në Uashington.

Në përgjithësi doli mirë, por ngatërrimi i Volodymyr Zelensky me Vladimir Putin dhe i Kamala Harris me Donald Trumpin, sigurisht që nuk e ndihmoi. New Yorker raporton se aspekti më i rëndësishëm “ishte paaftësia e tij për të mbështetur kauzën e vet, dhe për të kundërshtuar atë të Trump”.

Sigurisht, u paraqit më mirë se në debatin televiziv - tek e fundit ishte e vështirë të bënte më keq - por tregoi edhe një herë se është “një 81-vjeçar që e ka të vështirë të qëndrojë në skenë, dhe që ende mendon se ka mençurinë për të dhënë dhe një punë për të përfunduar”.

Një sfidë politike, e cila tashmë është edhe një çështje krenarie personale. Partia Demokratike është në prag të largimit të tij nga gara. Së fundmi presidenti pati një takim me kreun e Kongresit, demokratin Hakeem Jeffries që në fund foli për një përballje “të sinqertë, të kristaltë dhe të plotë”, formula klasike diplomatike për të thënë se i kishte thënë atë që Biden nuk donte ta dëgjonte.

Ndërkohë New York Times zbulon se disa super donatorë, kanë njoftuar ngrirjen e thuajse 90 milionë dollarëve donacione, derisa Biden të tërhiqet nga gara. Donald Trump është shumë i qetë, duke e shijuar kalvarin e rivalit të tij, dhe duke shpresuar që demokratët të mos kenë forcën për ta zëvendësuar atë.

Prej disa kohësh New York Times, që po lobon hapur që një tjetër kandidat demokrat të mund të sfidojë manjatin, botoi të shtunën një editorial shumë të gjatë mbi Donald Trump, të ndarë në 5 seksione, duke e etiketuar atë si një njeri që “ka treguar një karakter të padenjë përballë përgjegjësive të presidencës, mungesë totale respekti për Kushtetutën, shtetin ligjor dhe popullit amerikan, i nxitur jo nga dëshira për t'i bërë mirë vendit të tij, por nga etja për pushtet”.

Në fund NYT e cilëson si “të papërshtatshëm për të qeverisur” Amerikën. Disa muaj pas fitores së Biden, politologu i njohur amerikan Robert Kagan tha se ishte i bindur se Shtetet e Bashkuara po përballeshin me një “krizë më serioze kushtetuese dhe politike që nga Lufta Civile, me mundësinë reale që brenda 3-4 vitesh të shihen episode të dhunës masive, se qeveria federale është e paralizuar, dhe se vendi është i ndarë midis shteteve republikane dhe demokratike”.

“Sot kjo përplasje është me një intensitet mesatar, por Amerika po përjeton një kontekst krize institucionale dhe civile. E kapërceu vërtet sulmin në Capitol Hill më 6 janar 2021, por mbeti e plagosur. Kongresi është i bllokuar nga rrymat e ndryshme brenda partive. Gjykatat e shkallëve të poshtme dhe Gjykata e Lartë, janë të kapluara nga një krizë e thellë besueshmërie dhe të bllokuar nga ideologjitë politike që kushtëzojnë funksionimin e tyre.
Rezultati është një atmosferë konflikti e vazhdueshme, përçarjesh midis fraksioneve, dhe të gatshme për të akuzuar njëri-tjetrin për të gjitha llojet e gabimeve, akuzave dhe qëllimeve subversive. “Kini kujdes, mos e ngatërroni termometrin me temperaturën”- paralajmëron Lucio Caracciolo, drejtor i revistës gjeopolitike italiane Limes.

“Shtetet e Bashkuara mbeten deri sot më sot fuqia nr.1 e botës, por ato nuk janë më në gjendje
t’i tregojnë rrugën vendeve aleate, të cilat të vetme s’janë në gjendje ta gjejnë atë”- shpjegon ai për Huffpost, duke shtuar se Biden dhe Trump nuk janë asgjë më shumë se sa produkt i një vendi shumë të përçarë.
Dhe shprehja më e dukshme e një përçarjeje, do t’i nxisë mbështetësit e kandidatit humbës që të mos e njohin si legjitim fituesin. Caracciolo mendon se këtë herë shtabi i dy kandidatëve, nuk do të luajë një rol qendror në administratë: “Trump do të jetë më i gatshëm se në mandatin e parë, duke vënë në postet kyçe njerëzit. Unë nuk e shoh se si Biden mund të kandidojë dhe të qeverisë për 4 vjet të tjera. Por edhe nëse do ta bënte, do t’i nënshtrohej një mbikëqyrjeje shumë të rreptë nga të tjerët, pra do ishte një qeverisje në kufijtë e patetikës”- nënvizon ai.

Pastaj mbetet misteri i gjendjes shëndetësore të Biden, vizitave te neurologu dhe i gafave të vazhdueshme. NYT ngre dyshime se mjekët po mundohen të fshehin gjendjen serioze të Biden, siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën. Ashtu siç bëri stafi i tij, duke e mbajtur atë në distancë nga media, deri në përballjen e dështuar televizive me Trump.

Sigurisht, nuk do të ishte i vetmi president amerikan që do të qeveriste në një shëndetësore të brishtë. Në vitin 1919 Woodroë Wilson pësoi 2 goditje në tru brenda pak ditësh, por gjendja e tij shëndetësore u mbajt e fshehur me kujdes nga opinioni publik, duke i dhënë mandatin e plotë zëvendësit të tij, Thomas Marshall.

Edhe Franklin Delano Roosevelt nuk ishte mirë me shëndet në samitin e Jaltës, edhe pse shumë pak njerëz e dinin për këtë. Ai vdiq vetëm dy muaj më vonë. John F.Kennedy vuante nga sëmundja e Addison - e cila nuk u zbulua kurrë për amerikanët - dhe sëmundje të tjera, të cilat nuk ndikuan në rendimentin e punës së tij.
Për Ronald Reganin kishte zëra se ai ishte prekur nga Alzheimeri. Të gjitha raste të presidentëve në detyrë, dhe jo të kandidatëve: vetëm presidenti Dwight Eisenhower ishte viktimë e një ataku kardiak në shtator 1955, që u raportua në publik si një problem me stomakun. Por u rizgjodh vitin e ardhshëm dhe e çoi deri në fund mandatin e tij të dytë.

“Presidenti Biden nuk e kishte problemin e lidershipit, por kandidati Biden e ka”- thotë për Huffpost, Nathalie Toçi, drejtore e Institutit për Çështjet Ndërkombëtare (IAI). “Gjendja e tij shëndetësore është tema e këtyre zgjedhjeve, dhe jo axhenda e tij legjislative. Të mundësh Trump nuk është e vështirë, dhe ka vetëm një kandidat më të dobët se ai:Biden dhe kjo për shkak të moshës së tij.

Mund të ketë intervista që shkojnë mirë ose keq, debate që janë katastrofikë ose jo, por asgjë nuk do t’ua ndryshojë mendjen njerëzve që tani e konsiderojnë atë shumë të vjetër. Biden është një kandidat humbës në zgjedhjet e nëntorit, ndaj në nëntor do t‘ia dorëzojë vendin problemit të tij real, Donald Trump”- thekson ajo.
Paradoksi është se pavarësisht 4 vite suksese (“Katastrofa e tij ishte Lindja e Mesme, por përgjegjësi në këtë dështim, kanë edhe presidencat e tjera”) tani presidenti në detyrë shihet si armiku më i keq i Amerikës për shkak të paaftësinë e tij për t’u tërhequr. Megjithatë, unë besoj – përfundon Toçi - se ka ende disa mundësi që ai të mos jetë kandidati demokrat.

Ettore Greco, nënkryetar dhe kreu i programit Multilateralizimit dhe Qeverisjes Globale në IAI, thotë se nëse analizohen dy kandidatët, del se imazhi i Shteteve të Bashkuara është larg nga përfaqësimi i vendit udhëheqës të demokracisë në botë. “Por ndërsa Biden nuk i ka sulmuar kurrë vlerat demokratike, s’mund të thuhet e njëjta gjë për Trump.

“Në përgjithësi kjo është një situatë shumë problematike, sa i përket ndikimit që mund të ushtrojë SHBA në skenën ndërkombëtare”- shpjegon ai për Huffpost. Dëshmi e kësaj është mbrojtja që i ka ofruar Joe Biden Ukrainës. “Mbajtja të bashkuar e evropianëve ishte thelbësore. Ajo krijoi kushtet për koherencë, një unitet evropian që askush nuk e merrte si të mirëqenë. Në këtë rast, Biden ishte si një fener për botën demokratike perëndimore”- vazhdon ai.

Po ashtu, me synim kundërshtimin e Kinës, ai arriti të forcojë lidhjet dhe aleancat me vendet kryesore demokratike, lehtësoi marrëdhëniet me Korenë e Jugut, Japoninë, forcoi marrëdhëniet me Australinë, ndërtoi një rrjet aleancash që synojnë të frenojë sfidën kineze. Por duhet vlerësuar edhe ana tjetër e medaljes.

Nëse në vitin 2020 ai fliste për “një front të ri demokratik kundër autoritarizmit, në një moment filloi të ndiqte real-politikën, duke e zbutur këtë retorikë”. Një ndryshim sipas tij i domosdoshëm për të vazhduar rolin e ndërmjetësuesit në një botë që ka ndryshuar, dhe që është më shumë-polare.

Shembulli për këtë është qëndrimi ndaj Arabisë Saudite. “Në fillim Biden ishte shumë kritik ndaj Riadit. Më pas, u detyrua ta ndryshonte këtë qasje përballë sfidave që nënkuptojnë një fleksibilitet më të madh, duke hequr dorë nga retorika e promovimit të demokracisë”- thekson Greco.

Në sytë e rivalëve, udhëheqja e dobët i ndihmon që ta tallin Amerikën. “E gjithë bota i sheh gafat e Bidenit, por kjo është punë e tyre”, ishte komenti që erdhi nga Moska përmes zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, i cili megjithatë refuzoi të komentojë se sa shanse ka të fitojë presidenti aktual Biden.

Rezultati i zgjedhjeve nuk i intereson as vetë Putinit, që në qershor e mohoi publikisht të ketë ndonjë marrëdhënie të veçantë me Trump, ndërsa e pranoi “persekutimin gjyqësor” që po përjeton mandati amerikan, duke e elektrizuar më tej debatin publik. Gjithsesi, është interesant fakti që Kremlini u detyrua të ndërhynte në takimin e ish-presidentit amerikan me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, për të sqaruar se nuk i kishte dërguar asnjë “mesazh” kandidatit republikan.

“Pozicionimi gjeopolitik” i Trump është një nga elementët që e tremb admiralin Giampaolo Di Paola, ish-Shef i Shtabit të Mbrojtjes, president i komitetit ushtarak të NATO-s dhe Ministër i Mbrojtjes i qeverisë Monti, mbi stabilitetin e udhëheqjes demokratike amerikane në botë, dhe veçanërisht në pasojat që mund të ketë mbi Evropën.

Elementi tjetër, shpjegon ai për Huffingpost, përfaqësohet nga “dobësitë e zbuluara nga Biden”. Të mara së bashku, ato do të shkaktojnë një krizë të re për Shtetet e Bashkuara, pasi për herë të parë “amerikanët nuk mund të eksportojnë më të vetëm vlerat demokratike”, por “duhet të bëjnë ketë në një bashkë-udhëheqje me vendet evropiane”.

“Ata duhet të kuptojnë se nuk mund të mbështeten më plotësisht tek trupi dhe shpirti i amerikanëve, siç kanë bërë deri tani. Dhet të ndihmojnë në menaxhimin e botës demokratike, vlerave dhe lirive të saj. Përndryshe, do jetë në rrezik ajo që SHBA-ja ka përfaqësuar gjithmonë”- thotë gjenerali.

Gjithsesi ky problem është i zakonshëm thotë Gianni Riotta, gazetar ekspert mbi zhvillimet në Shtetet e Bashkuara. “Rënia e lidershipit demokratik pas Luftës së Ftohtë dhe valës populiste, ka qenë e dukshme në Britaninë e Madhe, Itali, Francë, madje edhe Gjermani. Shtetet e Bashkuara nuk janë të përjashtuara nga kjo, madje as Barack Obama nuk arriti ta bashkonte vendin,” shpjegon ai për Huffpost.

Dobësia e Biden dhe izolacionizmi i Trumpit u japin forcë rivalëve, presidentit Xi në Kinë dhe Putinit në Rusi, duke i alarmuar aleatët demokratë. Dhe populli e gjen veten para një zgjedhje të vështirë, edhe pse ajo mbetet në dorën e tyre. ”U takon amerikanëve të gjejnë ide të reja dhe protagonistë, që tani për tani nuk po shihen gjëkundi”- thekson Riotta.

Pra ose me Bidenin dhe lajthitjet e tij mendore ose me Trumpin dhe veprat e tij penale. Për ta hegjemonia e Shteteve të Bashkuara në botë, është në këtë moment problemi i tyre më i vogël./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

amerika udheheqje bote

Lini një Përgjigje