
Kreu i Republikës Srpska, Millorad Dodik ka injoruar thirrjet e Perëndimit sa i takon lidhjeve me Moskën. Gjatë një takimi që zhvilloi sot në Moskë me presidentin Vladimir Putin, tha se Republika Sërpska vazhdon të mbetet pro-ruse.
Gjatë takimit me Putinin, Dodik theksoi se Republika Sërpska i është ekspozuar presioneve të shumta të Perëndimit për shkak të mbështetjes së saj për Rusinëm, ndërkohë që agresioni rus kundër Ukrainës po vazhdon.
“Ne nuk kemi lejuar që të merret një vendim zyrtar sa i përket sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe për shkak të kësaj ne u jemi ekspozuar formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë, në formë të sanksioneve dhe suspendimeve nga projekte dhe programe të caktuara. Por, ne kemi zgjedhur që të mos jemi pjesë e histerisë që po krijohet”, tha Dodik.
Pamjet nga nisja e takimit u publikuan nga Televizioni Alternativa nga Banja Lluka, që është e afërt me Dodikun, dhe që është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, por edhe nga Radio Televizioni publik i Republikës Sërpska (RTRS).
Sipas RTRS, Putin i tha Dodikut se është mirënjohës për këtë sjellje miqësore ndaj Rusisë, dhe për qëndrimin neutral të Republikës Sërpska sa i përket çështjes së Ukrainës.
Takimi mes Dodikut dhe Putinit u bë në margjinat e një tubimi, që pritet të mbledhë mbi 500 të ftuar nga nivelet më të larta të Federatës Ruse dhe të shteteve fqinje.
Dodik është një prej zyrtarëve të pakët shtetërorë që është takuar me Putinin, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Lideri pro-rus i Republikës Sërpska dhe Aleanca e tij e Socialdemokratëve të Pavarur, po ashtu kanë bllokuar miratimin e vendimeve në nivel shtetëror që do të mundësonin zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, që Bosnje e Hercegovina u është bashkuar.
Takimi midis Dodikut dhe Putinit vjen pas deklaratës së zëvendësministrit të Jashtëm rus, Aleksandar Grusko, i cili në mesin e muajit maj tha se Rusia do të vazhdojë të investojë në Republikën Sërpska dhe se Rusia duhet të jetë më shumë e pranishme në rajon.
Lini një Përgjigje