TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Dhjetor 2025, 14:19

Dobësia e të fortëve: Çfarë i kërcënon vërtet udhëheqësit e sotëm autoritarë?

Shkruar nga Stephen Kotkin
Dobësia e të fortëve: Çfarë i kërcënon
Liderët autoritarë

Kur shteti kontrollon punën, strehimin, arsimin ose mundësinë për të udhëtuar, njerëzit bëhen të varur dhe të pafuqishëm.

Jo shumë kohë më parë, vendet që dikur ishin strukur pas Perdes së Hekurt, dhe madje edhe disa republika sovjetike, u transformuan në anëtarë të klubit të “demokracive të forta”. Edhe disa nga ato që nuk ishin në këtë grupim, si Ukraina, Gjeorgjia dhe Kirgistani, përjetuan revolta të mëdha kundër zgjedhjeve të manipuluara dhe keqqeverisjes, por edhe për shkak të dëshirës së madhe të qytetarëve për t’u bashkuar me Perëndimin.

Tregtia e lirë u vlerësua sërish si një instrument paqeje. Promovimi i demokracisë perëndimore, sado i dobët që mund të ishte, mbolli frikë në korridoret e pushtetit të regjimeve autoritare. Denoncimet gjithnjë e më të ashpra të tyre ndaj komploteve të supozuara perëndimore për të nxitur “revolucione me ngjyra” dukej se konfirmonin një kurs drejt demokracisë.

Në fillim të viteve 2010, kryengritjet spontane tronditën Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, të cilat ishin shumë autokratike. Shpresat për më shumë liri politike, pati edhe në gjirin e regjimeve fanatike të Kinës, Iranit dhe Rusisë. Protesta në shkallë të gjerë shpërthyen në Iran në vitin 2009 dhe në Rusi në vitet 2011-2012.

Ndërkohë shumë njerëz mendonin me naivitet se Xi Jinping, që mori drejtimin e Kinës në vitin 2012, do të ishte një udhëheqës reformator. Megjithatë, liderët autoritarë e përmbysën dinamikën, duke i shtyrë demokracitë në prapavijë, aty ku mbeten ende sot.

Autokratët arabë, mullahët e Iranit dhe Putin i ndëshkuan me egërsi disidentët. Në Kinë, Xi e ngriti veten në diçka të ngjashme me perandorin, duke nxitur një version edhe më të konsoliduar të autoritarizmit. Ndërkohë, në demokracitë e maturuara, u përhap frika për shembjen e institucioneve dhe normave liberale.

Liderët autoritarë po mbështeteshin tek një sërë taktikash inovative për të sabotuar ndikimin demokratik nga jashtë ose nga brenda shoqërive të tyre: duke i etiketuar si “agjentë të huaj” (në thelb, tradhtarë) organizatat që marrin fonde nga jashtë, dhe duke përdorur inspektime tatimore për të skualifikuar kandidatët e opozitës nga kandidimi për poste publike.

Këto teknika u kombinuan me praktikën e provuar dhe të vërtetë të dominimit të medias. Dhe pastaj falë inovacioneve teknologjike të prodhuara nga shoqëritë e lira, ata zhvilluan mënyra të reja për të ndërhyrë me forcë në politikat e vendeve demokratike dhe ndonjëherë edhe për t'i destabilizuar ato.

Tani, liderët autoritarët po shohin me kënaqësi teksa udhëheqësit demokratikë të zgjedhur i lavdërojnë dhe i imitojnë lirisht ata. Gjithsesi, kini kujdes nga ata që dikur e përshëndetën “epokën e demokracisë” dhe që tani po shpallin fillimin e “epokës së autokracisë”.

Sado të frikshme që mund të duken këto regjime dhe në fakt mund të jenë të tilla ato kanëjo pak dobësi nga brenda. Ato mund të mobilizojnë burime dhe personel të madh në ndjekje të projekteve ambicioze kombëtare, por vuajnë nga paaftësia dobësuese që rrjedh nga korrupsioni, favorizimi dhe tejkalimi i kufijve.

Për të kuptuar dhe përballuar si duhet autoritarizmin, është më e dobishme të mos klasifikohen llojet e tij, por të identifikohen 5 dimensionet kryesore që e përbëjnë dhe tregojnë dobësitë e tij.

1. Grushti i hekurt për popullin, kacafytje nga brenda sistemit

Asnjë regjim autoritar nuk mbijeton pa forca të forta sigurie dhe ushtarake. Këto regjime shpenzojnë pa masë për policinë, monitorim (si censurën e internetit) dhe shtypjen e mendimit ndryshe. Ata ndërtojnë aparate me kompetenca që mbivendosen, për të krijuar rivalitet dhe paranojë brenda vetë sistemit (siç ndodh midis agjencive të sigurisë në Rusi ose Kinë). Ky rivalitet i brendshëm është një dobësi e madhe. Demokracitë mund ta shfrytëzojnë këtë duke nxjerrë në pah përçarjet dhe pakënaqësitë brenda elitave.

2. Burimet e të ardhurave i bëjnë të varur nga Perëndimi

Shpesh, liderët autoritarë nuk varen nga pëlqimi i popullit për të ardhurat. Ata mbijetojnë kryesisht falë burimeve alternative si nafta, gazi ose minierat, të cilat shiten në tregjet globale për valutë të fortë. Kjo i bën të pavarur nga mirëqenia e qytetarëve. Megjithatë, kjo varësi krijon një pikë të dobët. Sanksionet, kufizimet tregtare dhe koordinimi ndërkombëtar për të reduktuar qasjen në tregje dhe teknologji ,mund t’i godasin rëndë këto burime të ardhurash.

3. Kontroll i brishtë mbi narrativen zyrtare

Autoritarët krijojnë histori për të justifikuar pushtetin. Këto narrativa përfshijnë: frikën nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm që bashkëpunojnë midis tyre; dhe premtimin e rivendosjes së një epoke të lavdishme të kaluar nëpërmjet regjimit aktual.

Qasja anti-perëndimore dhe teoria e “Lindjes në ngritje dhe Perëndimit në rënie”, janë klishe të fuqishme. Megjithatë, këto histori janë të brishta. Ato mund të kundërshtohen me narrativa alternative dhe të vërteta që zbulojnë hipokrizinë dhe shkatërrimin e vërtetë të regjimit (siç është historia e “shekullit poshtërues” në Kinë, që i kundërvihet shkatërrimi i bërë vendit nga vetë Partia Komuniste).

4. Kontrolli mbi jetën e qytetarëve, si forca dhe dobësia më e madhe

Fuqia më e madhe e një regjimi autoritar është depërtimi i tij në jetën e përditshme të qytetarëve. Kur shteti kontrollon punën, strehimin, arsimin ose mundësinë për të udhëtuar, njerëzit bëhen të varur dhe të pafuqishëm. Ky kontroll i shtyp autonominë dhe u dëmton lidhjet shoqërore. Sektori privat mund të ofrojë një hapësirë për liri, por shpesh regjimet e kontrollojnë atë. Sanksionet e ashpra ekonomike ndonjëherë përforcojnë këtë kontroll, duke i shtyrë bizneset dhe njerëzit në duart e shtetit.

5. Mjedisi gjeopolitik

Rendi ndërkombëtar, ka qenë për një kohë të gjatë jashtëzakonisht i favorshëm për autoritarët. Transferimi i teknologjisë, qasja në tregjet perëndimore, investimet e huaja dhe përdorimi i sistemit financiar global i kanë dhënë mundësi regjimeve si ai kinez dhe rus, që të pasurohen dhe të fuqizohen.

Strategjia perëndimore e “ndryshimit përmes tregtisë” nuk funksionoi siç pritej, pasi këto regjime i përdorën përfitimet për të forcuar sistemet e tyre, jo për t’i liberalizuar ato. Sot, dobësitë e tyre (varësia nga eksportet energjetike ose tregtia) mund të shfrytëzohen përmes koordinimit ndërkombëtar, por kjo kërkon vullnet dhe strategji.

Lufta kundër autoritarizmit, kërkon durim dhe një strategji multidimensionale. Ajo nuk ka të bëjë me përmbysje të drejtpërdrejtë, por me forcimin e dobësive së tyre në të pesta dimensionet. Në fund, suksesi varet nga aftësia e demokracive, kryesisht e Shteteve të Bashkuara, për të rigjallëruar veten dhe për të vepruar në mënyrë të koordinuar me aleatët./ Marrë me shkurtime Nga “Foreign Affairs”

vladimir putin kim yong un lideret autoritare

1 Komente

  1. T
    Tony

    Ku ishe ? Hiçgjëkundi.

    Lini një Përgjigje