TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Gusht 2025, 21:51

“Dita e shpërthimit” në Izrael/ Qytetarët ashpërsojnë protestat, kaos në rrugë dhe aeroporte

Shkruar nga Pamfleti

“Dita e shpërthimit” në Izrael/ Qytetarët

Izraelitëve u soset durimi me luftën e stërgjatur…

Dhjetëra mijëra qytetarë izraelitë dolën në rrugë të martën, duke bllokuar autostrada, aeroportin “Ben Gurion” dhe sheshet kryesore, në një protestë të shpallur si “dita e shpërthimit” kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Familjarët e pengjeve të mbajtura ende në Gaza udhëhoqën marshimin kryesor në Tel Aviv, ndërsa në Jerusalem qindra qytetarë protestuan para zyrës së kryeministrit, pikërisht në momentin kur kabineti i sigurisë po diskutonte planet për luftën.

Protesta të tjera shpërthyen në të gjithë vendin, nga autostrada drejt Haifës deri brenda aeroportit ndërkombëtar, duke paralizuar për orë të tëra qarkullimin në vend.

Netanyahu nën presion mes planeve për ofensivë në Gaza

Ushtria izraelite është urdhëruar të përshpejtojë përgatitjet për një ofensivë tokësore në Gaza City, edhe pse ndërmjetësit ndërkombëtarë presin prej ditësh një përgjigje nga Izraeli për marrëveshjen e armëpushimit, tashmë të pranuar nga Hamasi.

Netanyahu ka injoruar paralajmërimet se një sulm mbi qytetin e Gazës do të ishte katastrofik për civilët palestinezë që jetojnë në kushte urie dhe një rrezik fatal për rreth 20 pengjet që besohet të jenë ende gjallë në territor.

Sipas gazetës Haaretz, kabineti nuk mori vendim për ofensivën, teksa zemërimi ndërkombëtar shpërtheu për sulmin ndaj spitalit Nasser në Gaza, ku humbën jetën 20 persona, mes tyre pesë gazetarë.

Ministria e Jashtme e Katarit i bëri thirrje Netanyahut të pranojë marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve, duke theksuar se propozimi përputhet me kërkesat që vetë Izraeli ka bërë më herët.

“Përpjekjet për vonesa me zhvendosje negociatash apo truke të tjera janë të qarta për komunitetin ndërkombëtar. Është koha që Izraeli të japë një përgjigje serioze,” – tha zëdhënësi Majed al-Ansari.

Shoqëria izraelite e ndarë mes paqes dhe luftës

Shumica e izraelitëve mbështesin një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, kryesisht nga frika për jetën e të afërmve dhe nga ndikimi i dy viteve lufte mbi ekonominë dhe shoqërinë.

Por sondazhet tregojnë gjithashtu një prirje shqetësuese: afro 75% e hebrenjve izraelitë pranojnë pjesërisht ose plotësisht narrativën e qeverisë se “në Gaza nuk ka civilë të pafajshëm”. Një tjetër sondazh tregoi se 78% nuk ndihen të shqetësuar nga vuajtjet e palestinezëve.

Familjarët e pengjeve akuzojnë kryeministrin se po zvarrit luftën për interesa politike.

“Ne mund të kishim mbyllur luftën një vit më parë dhe të sillnim pengjet e ushtarët në shtëpi. Por kryeministri zgjodhi, sërish e sërish, të sakrifikojë civilët për pushtetin e tij,” tha Einav Zangauker, nënë e një pengu 25-vjeçar.

Netanyahu, nga ana e tij, mbron idenë se vetëm forca ushtarake mund të garantojë sigurinë e Izraelit dhe të detyrojë Hamasin të lirojë pengjet e mbetur.

“Mjaft”, zëri i protestës civile

Përballë një qeverie të mbështetur nga parti të ekstremit të djathtë, një pjesë e shoqërisë po ngre zërin kundër luftës.

Ada Gorni, 88 vjeç, protestoi në Tel Aviv me vajzën e saj Carmen, e cila mbante një pankartë ku shkruhej “Mjaft” në arabisht, anglisht dhe hebraisht.

“Duam të ndalojmë luftën, të kthejmë pengjet dhe t’i japim fund urisë në Gaza”, tha Carmen. “E themi me zë të lartë, por nuk besoj se ata po na dëgjojnë”, shtoi ajo/ Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”

Lini një Përgjigje