TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Gusht 2025, 18:54

U emërua prej tij, gjyqtari federal rrëzon Trump: S’ka vend për sulme ndaj drejtësisë

Shkruar nga Pamfleti

U emërua prej tij, gjyqtari federal rrëzon Trump: S’ka vend

Një gjykatës federal, i emëruar nga Donald Trump, ka hedhur poshtë një padi të jashtëzakonshme të ngritur nga Departamenti i Drejtësisë i administratës Trump kundër të gjithë 15 gjyqtarëve federalë të Maryland-it, duke e cilësuar si një “përplasje kushtetuese pa precedent”.

Vendimi, i firmosur nga gjyqtari Thomas Cullen, thekson se pushteti ekzekutiv nuk ka të drejtë ligjore të padisë pushtetin gjyqësor për ushtrimin e funksioneve të tij.

“Administrata ka ndërmarrë një fushatë për të njollosur gjyqtarët federalë, duke i quajtur ‘radikalë’, ‘të korruptuar’, ‘të çmendur’ e ‘antikushtetues’. Ky sulm i qëllimshëm ndaj gjyqësorit është i paprecedentë dhe i dëmshëm për shtetin e së drejtës”, shkroi Cullen në vendimin 39-faqësh.

Si nisi përplasja?

Në qershor, Departamenti i Drejtësisë ngriti padi kundër të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Qarkut të Maryland-it, pasi kryegjyqtari i kësaj gjykate vendosi një rregull të ri: çdo emigrant që padiste deportimin e tij fitonte automatikisht një bllokim të përkohshëm ndaj dëbimit derisa çështja të shqyrtohej.

Kjo masë u pa nga administrata si pengesë për planin e saj të shpejtë të deportimeve masive. Rasti i fundit ishte ai i Kilmar Abrego Garcia, i cili u dëbua në mënyrë të paligjshme në El Salvador dhe më pas u rikthye në SHBA. Vendimi i gjykatës së Maryland-it e mbrojti atë nga një dëbim i menjëhershëm.

Cullen deklaroi se: Qeveria nuk ka të drejtë të padisë gjyqtarët për ushtrimin e funksioneve të tyre. Gjyqtarët federalë gëzojnë imunitet absolut ndaj padive të pushtetit ekzekutiv.

Një padi e ekzekutivit kundër gjyqësorit për ushtrimin e pushtetit gjyqësor nuk është normale dhe nuk do të bëhet precedent nga kjo gjykatë”, tha ai.

Ai shtoi se çdo përpjekje për të krijuar “një precedent të ri” do të ishte shkelje e rendit kushtetues amerikan.

Ky vendim është një goditje e rëndë për fushatën e Trump për të kontrolluar proceset e shpejta të deportimit, të cilat kanë shkaktuar përplasje të vazhdueshme mes gjykatave dhe administratës.

Për më tepër, fakti që gjyqtari që e rrëzoi padinë ishte i emëruar nga vetë Trump, i jep vendimit peshë të dyfishtë politike: një dëshmi se edhe brenda gjyqtarëve konservatorë ekziston shqetësimi për ndërhyrjen agresive të ekzekutivit mbi gjyqësorin.

Lini një Përgjigje