TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Janar 2026, 11:30

Digjet kisha historike në Amsterdam, autoritetet: Mund të shembet e gjitha

Shkruar nga Pamfleti

Digjet kisha historike në Amsterdam, autoritetet: Mund të shembet e

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë gjatë natës kishën monumentale Vondelkerk në qendër të Amsterdamit, duke shkaktuar shembjen e plotë të kambanores dhe dëmtime të rënda në pjesën qendrore të ndërtesës.

Sipas Rajonit të Sigurisë Amsterdam-Amstelland, kisha nuk mund të shpëtohet më, ndërsa flakët kanë përfshirë pothuajse të gjithë objektin.

Zjarri ka nisur pas mesnatës dhe është shpallur i përmasave të mëdha rreth orës 01:00, për shkak të intensitetit të flakëve dhe dendësisë së banesave përreth. Një “shi i madh shkëndijash” është përhapur drejt lindjes, duke rritur rrezikun për zonën përreth. Të gjitha banesat pranë kishës janë evakuuar, ndërsa zjarrfikësit kanë shkuar derë më derë për të nxjerrë banorët, për të pasur siguri.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Vondelpark, i cili ndodhet shumë pranë kishës, nuk është aktualisht në rrezik. Megjithatë, zjarri ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll dhe ekziston frika se e gjithë struktura mund të shembet. Kryetarja e bashkisë së Amsterdamit, Femke Halsema, e ka cilësuar ngjarjen si një zjarr shumë intensiv dhe tragjik në një kishë monumentale, duke theksuar se prioritet mbetet siguria e banorëve dhe mbrojtja e shtëpive përreth.

Vondelkerk daton në vitin 1872 dhe për shumë dekada ka shërbyer si kishë katolike, e njohur edhe si Kisha e Zemrës së Shenjtë të Jezusit.

Rreth një shekull më vonë, ndërtesa u la pas dore dhe u rrezikua nga prishja, por falë një plani restaurimi dhe krijimit të një fondacioni në vitin 1980, ajo u shpëtua dhe u shndërrua në një hapësirë për evente kulturore dhe koncerte. Zjarri i sotëm përfaqëson një humbje të rëndë për trashëgiminë historike dhe kulturore të qytetit.

Lini një Përgjigje