Raketa New Glenn e kompanisë Blue Origin shpërtheu teksa ndodhej në platformën e lëshimit në Cape Canaveral, Florida. Në një deklaratë të shkurtër të publikuar në rrjetin social X, kompania bëri të ditur se gjatë testit të ndezjes ishte regjistruar një “anomali”, duke theksuar se i gjithë personeli është i sigurt dhe i evidentuar.
Pamjet e incidentit tregojnë fillimisht sasi tymi që dalin nga pjesa e poshtme e raketës, përpara se ajo të përfshihej nga një shpërthim i fuqishëm dhe të shndërrohej në një top gjigant zjarri.
Deputeti i Floridës, Mike Haridopolos, zona elektorale e të cilit përfshin Cape Canaveral, deklaroi në X se kishte komunikuar me administratorin e NASA-s, Jared Isaacman, lidhur me ngjarjen.
“Jam mirënjohës që nuk ka persona të lënduar dhe falënderoj ekipet e emergjencës, inxhinierët dhe të gjitha skuadrat që reaguan me shpejtësi”, shkroi Haridopolos.
Shpërthimi përbën sfidën më të fundit për kompaninë hapësinore në pronësi të miliarderit Jeff Bezos. Vetëm muajin e kaluar, raketa New Glenn dështoi të vendoste një satelit komunikimi në orbitën e planifikuar, çka çoi në hapjen e një hetimi.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, videoja e incidentit tregon raketën 98 metra të lartë duke nxjerrë tym nga baza e saj, përpara se të shpërthente dhe të përfshihej nga flakë të mëdha.
Elon Musk, themeluesi i SpaceX, kompani rivale e Blue Origin, shprehu keqardhjen e tij duke e cilësuar incidentin si “shumë të pakëndshëm”./Corriere della Sera
Lini një Përgjigje